Vonesa e kandidaturave për president në dëm të shoqërisë malazeze

Opinione

Vonesa e kandidaturave për president në dëm të shoqërisë malazeze

Nga: Gjekë Gjonaj Më: 15 mars 2018 Në ora: 20:33
Gjekë Gjonaj

Qytetarët e Malit të Zi më 15 prill 2018  do të dalin në vendvotime për të zgjedhur kryetarin e shtetit. Deri në ditën e votimit  mbetën  vetëm një muaj. Të gjitha forcat politike ende nuk kanë zgjedhur kandidatët nga radhët e tyre.Opozita dhe pozita një kohë të gjatë  dukeshin sikur të kishin  rënë në gjumë të thellë. Krahu i opozitës për habi shpenzoi  pak kohë  e energji në kërkim të një kandidati të përbashkët,  i cili sipas tyre do të dilte fitues në këto zgjedhje përballë kandidatit  të partisë më të madhe  politike në vend, Partisë Demokratike të Socialistëve, e cila tash  28 vite mbanë timonin e  drejtimit të shtetit. As PDS-ja nuk u tregua aktive në këtë proces.

Opozita qytetare edhe në këtë rast, sikur në shumë raste tjera të mëparshme, u tregua  e ndarë, jo kompakte dhe e pafuqishme të sjellë vendim të përbashkët serioz, siç është  zgjedhja e kreut të shtetit. Ideja e saj ( opozitës)  për një kandidat jopartiak   për kryetar të shtetit  në zgjedhjet presidenciale  dështoi përfundimisht.  Deri  në mbyllje të këtij shkrimi  nga radhët e opozitës kemi katër kandidatura  të propozuara.

Një pjesë e opozitës, të cilën e përbëjnë  Fronti Demokratik, Lëvizja Qytetare “ Ura” , Mali i Zi Demokratik dhe Partia Socialiste Popullore, ka rënë dakord  që kandidati i tyre i përbashkët të jetë ish – deputeti dhe ekonomisti i njohur   Mlladen Bojaniq. Sipas   mbështetësve të tij Bojaniqi  është njeriu i cili  me veprimin e vet të deritashëm në parlament dhe jashtë tijka dëshmuar se është opozitar i respektueshëm dhe  kandidatë i denjë për president të Malit të Zi.

Deputetja e Partisë Socialdemokrate  prof.dr. Draginja Vuksanoviq do të jetë kandidate për kryetare të shtetit në zgjedhjet e 15 prillit. Kjo është kumtuar  nga partia e Ranko Krivokapiqit. Krivokapiq ka thënë  se Kryesia e partisë njëzëri e ka propozuar Vuksanoviq për  kandidat presidencial.

Lideri i Malit të Zi të bashkuar, Goran Danilloviq, do të jetë kandidat i kësaj parti në zgjedhjet presidenciale në Mal të Zi. Kjo është kumtuar në konferencën pë media të kësaj parti në Podgoricë. Mirëpo, kryetari   i Malit të Zi të Bashkuar Goran Danilloviq nuk ka qenë i pranueshëm për Frontin Demokratik dhe një pjesë të opozitës qytetare, si kandidat i përbashkët i opozitës për president të Malit të Zi.

Kryetari i Mali të Zi të Vërtetë,Marko Millaçiq do të jetë  kandidat i kësaj parti për president të Malit të Zi. Kjo është bërë me dije në  Kongresin themelues të kësaj parti në ndërtesën e vjetër të Qeverisë.

Partia  Demokratike e Socialistëve në pushtet e Millo Gjukanoviqit ende nuk e ka propozuar  kandidatin presidencial. Nga kjo parti është kumtuar se “ka filluar faza finale e zgjedhjes së  kandidatit të PDS-së  për president të Malit të Zi dhe se është  folur për disa propozime cilësore për kandidatë për president, i cili do të fitojë me siguri. ”Në mbledhjen e Këshillit Qendror, e cila do të mbahet brenda kësaj javë, Partia Demokratike e Socialistëve, do të caktojë  kandidatin e vet për kryetar të Malit të Zi”, theksojnë nga PDS-ia.

Komisioni Zgjedhor Shtetëror ka vërtetuar më 6 mars kandidaturën për president të Malit të Zi, Vasilije Miliçkoviq-njeriu që merret me ekonomi dhe Hazbija Kallaç-kryetar i Partisë së  Drejtësisë  dhe Pajtimit.

Nga ana tejtër kandidaturën e pavarur për president të Malit të Zi e kanë shpallur edhe dekani i Fakultetit për Studime Shtetërore dhe Evropiane në Podgoricë, Gjorgjije Bllazhiq dhe  Dragan Hajdukoviq.

Vonesa kaq e madhe e partive më të mëdha opozitare, veçmas e partisë më të madhe në pushtet, për të  propozuar  kandidatët e tyre për president të Malit të Zi, tregon se shoqëria malazeze në përgjithësi akoma nuk është në gjendje të propozojë një figurë normale politike dhe kjo situatë nuk është  e dëshirueshme. Bile do të duhej  të jetë shqetësuese.Vonesa  bën pështypje se është në dëm të shoqërisë.

Vlen  të theksojmë se Mali i Zi asnjëherë deri më tani nuk ka pasur president jopartiak. A do të ketë kësaj herë?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat