Festimi i ditës së verës

Opinione

Festimi i ditës së verës

Nga: Haki Latifi Më: 14 mars 2018 Në ora: 17:23
Haki Latifi

Dita e verës është një festë pagane, që e ka origjinën në kohën kur njerëzit i faleshin përendive, e cila me kalimin e kohës u kthye në një pjesë përbërese të identitetit tonë etnik shqiptar. 

Kjo festë është kremtuar nga shqiptarët qysh në antikitet, pra para lindjes së krishtërimit. Nga pikëpamja gjeografike, ajo festohej nga mbarë shqiptarët, në qytet e në fshat, në fushë e në malësi, apo edhe në mërgim.

Me emërtim të ngjashëm në rajonin e Prizrenit, përfshirë krahinën e Opojës, rajonin më jugor të vendit, rrezë maleve të Sharrit, si dhe në trevën e Vrrinit, kjo ditë në këtë trevë quhet; “Ditët e Verëzes“ ose „Verëzat“, ku zakonisht pasdite dhe në mbrëmje të rinjtë, por edhe fëmijët, ngjiten bjeshkëve, te krojet që nuk shterojnë kurrë, mbledhin bimë a lule, drunj e shkurra dëllinje dhe ndezin zjarre.

Në këto Rite të festës, të rinjtë e të rejat mblidhen lule e bimë të zgjedhura, të cilat vendosen mbi portat e shtëpive, ku ndërlidhen edhe me zgjimin e bimësisë, gjallimin, kalimin nga dimri në pranverë.

Në Ditën e Verëzes zgjimi është i hershëm dhe vazhdojnë ritet e festës, pjesë e së cilës janë edhe këngët e vallet, edhe gatimet e traditës me miell misri apo gruri.

Dita e Verëzes festohet nëpër familje së bashku, si dhe me vizita te fqinjët e farefisi, me besimin se sjell fat, shëndet, mbarësi, përtëritje e dashuri njerëzore. Për drekë në tryeza-sofra shtrohet edhe mishi i qengjit, sipas traditës së këtyre anëve me blegëtori të zhvilluar. Ritet, përfshirë edhe lulet e bimët që vendosen mbi portat e shtëpive, ndërlidhen edhe me zgjimin e bimësisë, gjallimin, kalimin nga dimri në pranverë.

Në Shqipëri është festë zyrtare, megjithëse në treva të ndryshme festohet në mënyra të ndryshme.

Ndërsa në Kosovë për fat të keq, këto rite janë në zhdukje e sipër, të ciat janë të një rëndësie të lashtë pagane iliro-shqiptare. 

Për Ditën e Verës, më 13 mars, njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun që ta kenë në mëngjesin e datës 14 mars në shtëpi. Ky zakon i lashtë ruhet dhe festohet jo vetëm në rajonin e Prizrenit, por edhe në Dragash, Elbasan, Tetovë, Dibër, Prespë, Strugë etj..

Verëzat kanë një vlerë të veçant të kulturës dhe të traditës, të cilat për fat të mirë janë ruajtur brez pas brezi nga populli, por që ende nuk ka organizime institucionale në Kosovë, për festimin e Ditës së Verës.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat