Qeveria po rren, vizat nuk hiqen as këtë vit

Opinione

Qeveria po rren, vizat nuk hiqen as këtë vit

Nga: Faton Mehmeti Më: 13 mars 2018 Në ora: 21:22
Faton Mehmeti

Kryefjala këto ditë në Kosovë është demarkacioni me Malin e Zi. Ndonëse, Kosova ka humbur territor nga kjo marrëveshje, intriguese mbetet ajo çfarë premtohet pas kësaj, faktikisht është mjaft e leverdishme-liberalizimi i vizave. Edhe pse flitet shumë, pak njerëz e dinë se  Shëngeni është qytet i  Luksemburgut, aty ku u nënshkrua marrëveshja  në vitin 1985. Fillimisht në Zonën e Shëngenit u përfshin 25 vende, derisa tani është shtuar ky numër.

Nëse bëhet liberalizimi i vizave tani, qytetarët e Kosovës do të mund të udhëtonin në 31 shtete në Zonën Shëngenit. Derisa për shtete të tjera është kërkuar si kusht luftimi i korrupsionit, drejtësi të pavarur dhe respektim të të drejtave të njeriut, Kosovës po i kërkohet edhe ratifikimi i demarkacionit me  Malin e Zi. Çdo herë kur përmenden marrëveshjet, gjithmonë na kujtohen pasojat që kemi pasur pas tyre. Kjo të diktuara nga shtete që asnjëherë nuk na kanë çmuar sa duhet, edhe kanë tentuar të na marrin territor. Kësaj i shtohet edhe tradhtia e trashëguar e politikanëve, derisa populli i vuajtur ka bërë sehir me pahirin e madh të mashtrimit.

Derisa BE i vë kushte Kosovës të veçanta,  kjo as nuk është e drejtë as njerëzore, për më tepër i ngjan një “ftohtësie” ndaj shqiptarëve të trashëguar ndër shekuj. Gjithsesi, është e kotë të shfletojmë të shkuarën, pasi nuk mund të ndryshohet, por duke iu rikthyer të tashmes dhe të ardhmes, mund dhe duhet të mos bëjmë gabime të tilla. Duhet theksuar realitetin se disa nga shtetet e BE-së, dhe tri shtete të tjera që nuk janë në BE por janë pjesë e Shëngenit, nuk e mirëpresin aq mirë heqjen e vizave për shqiptarët e Kosovës.

Kjo ngase shqiptarëve iu ka dal zëri për të zi në Evropë, edhe pse kjo nuk është e drejtë të identifikohet një popull nga një pakicë kriminale, gjithsesi duhet pasur parasysh ky fakt. Ndërkohë që qytetarët e Kosovës, presin liberalizimin si mundësi për të dalë jashtë, për të kërkuar punë, thjeshtë për mos të jetuar më këtu. Me një popullsi mbi 40 % të papunë, dhe me mbi 20 % të atyre që punojnë dhe nuk paguajnë dot shportat mujore, është krejtësisht e kuptueshme që liberalizimi i vizave të shikohet si mundësi për të dalë jashtë. Ndonëse, liberalizimi i vizave nuk përfshinë mundësinë për të punuar, kjo nuk i ndalon njerëzit të ëndërrojnë apo edhe bërë plane praktike se si të mos kthehen më në Kosovë. Për këtë gjë është e njohur edhe BE.

Duhet kujtuar se raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek ka thënë se Kosova “duhet t’i bind ministrat e brendshëm të vendeve të Bashkimit Evropian, që pas heqjes së vizave për qytetarët e Kosovës, këta të fundit nuk do të emigrojnë”. Politika është fajtore kryesore që shqiptarët sot shikohen me drojë nga vendet e BE-së, politika i ka varfëruar aq shumë qytetarët e Kosovës, aq sa papunësia dhe padrejtësitë iu kanë humbur shpresën se një ditë do të bëhet mirë në Kosovë. Shqiptarët e Kosovës janë viktima të politikanëve të tyre, dhe të bashkësisë ndërkombëtare. Gjithsesi, edhe nëse miratohet demarkacioni, liberalizimi i vizave nuk do të bëhet këtë vit, mbase kah fundi i vitit tjetër. Deri atëherë qytetarët duhet të vuajnë “dënimin në burgun” e quajtur Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat