Të nëmat shkrimore

Opinione

Të nëmat shkrimore

Nga: Sulejman Mehazi Më: 13 mars 2018 Në ora: 09:08
Sulejman Mehazi

Na besoni miq, gjëja që na ka vrarë, plagosur, plandosur e hidhëruar më shumë gjatë jetës sonë kanë qenë shkrimet, në vend që të na qetësojnë ato na shqetësojnë. Sa keq për ata që  shkruajnë, sa vuajtje, pikëllime e tortura psikofizike, shpirtërore, materiale e familjare. Shkrimet janë ujë të njelmosura trurore e shpirtërore, sa më shumë  të shkruani  aq më  shumë etja e të  shkruarit të kaplon.   Nuk është lehtë të jeshë përherë i etur e i etur për të shkruar, qortuar, kritikuar pushtetarë, intelektualë, artistë, hoxhallarë priftërinj, qytetarë, tuxharë, spiunë, hipokritë, hajdutë, kurvarë, t'ua nxjerrësh fshehtësitë e liga nga shpirti e t'ua plasosh hapur në opinion. 

Shpesh i themi vehtes, a më mirë të heshtim e t'i vëmë pikë të shkruarit e të jemi të shoqëruar e të nënçmuar para elitës së prishur, t'i durojmë padrejtësitë hilet, gënjeshtrat e politikanëve, intelektualëve të pafytyrë e të pamoralshëm, patriotët e trilluar që pa flijuar aspak mbahen  shqiptarë të fuqishëm? T'i vëmë pikë shkrimit, e t'i lëmë të na dalin para poetët e artistët që pa farë energjie të mbrendshme shpirtërore mundohen të bëhen të njohur e të famshëm?

T'i lëmë rehat pushtetarët për të luajtur me ne si të duan ata?,  Të heshtim me pikë për shkak shkrimeve të papëlqyeshme? Çështë më mirë: të  shoqërohemi e të jemi të nënçmuar apo të urrejtur e të jemi të vetmuar para shpirtprishurve?

Pra, a mund të jenë e të kenë shpirt të qetë ata që shkruajnë e dashurojnë?, a mund të jenë të gëzuar e të lumtur ata që shkruajnë e dashurojnë? A i do dikush ata që shkruajnë e dashurojnë? A mund të gënjejnë ata që shkruajnë e dashurojnë? A mund të jenë të pasur ata që shkruajnë e dashurojnë?

Çështë më mirë kultura e pikës së heshtjes, apo kultura e të shprehurit me shkrim?, pika apo shkronja, cila prej cilës ka dalë, pika më e parë e më e mbarë apo shkronjat? Po cila ka lindur më parë: pika apo shkronjat?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat