“Siddharta”

Opinione

“Siddharta”

Nga: Fatbardha Hasi Më: 9 mars 2018 Në ora: 10:49
Fatbardha Hasi

Siddharta, bir Brahmani, që ka kaluar një pjesë të jetës i rrethuar më të mira, i pajisur me arsim dhe edukatë të lartë, vendosë të braktisë jetesën e begatë, e t’u bashkohet Samanajave. Hesse ka përzgjedhë një djalosh të ri, me premisa që të ketë një të ardhme të ndritur, që ta hedhë në sfidat e jetës, për shkak të papërmbushjes së tij shpirtërore. Ai, gjatë jetës, kishte marrë mësimet më të mira dhe kishte mësuar lutje e meditime që ta lironte shpirti, por asnjë nga ato s’e kishte ndihmuar për ta përmbushur boshllëkun e tij.

Hesse e merr tezën filozofike sokratiane njih vetëveten dhe e bën bazë të veprës së tij. Ai e zgjeron konceptin e njohjes së unit njerëzor duke iu ikur të gjitha mësimeve, dogmave dhe ndalesave të vëna nga feja dhe shoqëria. Hesse e vendos individin (Siddhartën) në luftë me vetveten. Ai individ, vullnetarisht, braktisë familjen, rrethin shoqëror dhe del në kërkim të njohjes së vetes. Pyetja që do shtronte gjithësecili është se pse ju desh Siddhartës të largohet nga shtëpia për ta përmbushur qëllimin e tij, që ishte nirvana, pasi që e gjithë lufta kishte të bënte me brendinë e tij? Hesse e bën atë zgjedhje, pra rrugëtimin e Siddhartës për arsye se: njeriu duhet të provojë vetë sfidat jetësore, qofshin ato të mira, apo të këqija, të përballet me to në mënyrë që ta dijë se çka e përmbushë atë shpirtërisht. Hesse vë në pah se nuk mund të arrihet paqja shpirtërore duke u bazuar në praktikat jetësore të të tjerëve.

Siddharta përvetson shumë mësime të reja gjatë rrugëtimeve të ndryshme. Si agjërimin për ditë të tëra, durimin dhe mendimin. Por, as këto se përmbushin atë. As mësimet e Budës se përmbushin dhe rrugëtimi i tij vazhdon në kërkim të njohjeve të reja.

Siddharta bëhet i njëjt ë me masën, ai mëson lojën e dashurisë përmes kurtizanes Kamala, por ai nuk mëson të dashurojë. Mëson tregtinë, por nuk bëhet tregtar, bëhet lakmues, kur humbë në bixhoz, pra, gjatë gjithë asaj kohe, ai ka bërë veprimet që gjithmonë i ka përqeshur, mirëpo gjithmonë duke e ndier veten superior dhe ndryshe nga të tjerët. Ndien neveri ndaj vetvetes. Ai harron praktikën e të menduarit, durimit e të agjëruarit.                            

Vazhdon rrugëtimin Siddharta për mbërritjen e qëllimit jetësor të tij, njohjen e vetes. Shumë herë, kishe menduar që i ka dalë në krye atij qëllimi, deri në hapjen e boshllëkut të radhës brenda tij.

Duke u nisur nga pohimi filozofik se ai i cili nuk mund të jetojë në shoqëri është zot ose kafshë, a mos ishte Siddharta portretizim i zotit?

Uji i  lumit është një metaforë e Hesses përmes të cilës bën  personazhin e tij të përmbushet shpirtërisht. Nuk është gjuha e lumit ajo që i flet Siddhartës dhe që e bën atë të kuptojë se dashuria është zgjidhja e enigmës. Është përvoja, rritja dhe pjekja e tij shpirtërore përmes sfidave jetësore që Siddhartën e ndihmojnë ta zotërojë veten.

E quajtur nga Hesse poemë indiane, ku pjesa e parë është dedikim për mikun e tij Romen Rolan, ndërsa e dyta për të kushëririn Vilhelm Gundertin, romani strukturalisht ndahet edhe në kapituj përveç këtyre dy pjesëve, ku secili kapitull është i emeruar sipas  personazhit më të cilin ka të bëjë Siddharta. Lirizmi në të shkruar, mënyra e ngadalshme e rrëfimit, e mbushur me fraza filozofike të krijojnë njëfarë prehje gjatë leximit. Jo rastësisht, Hesse  zgjedhë veten e tretë për rrëfim, duke iu drejtuar Siddhartës me AI. Ai është një epitet vetem për zotin, ai i madhërishmi, ai i larti, ai hynori. Siddharta rrëfen për vete si i shkëputur nga vetvetja, që të krijon përshtypjen për përfshirjen edhe të një narratori. Personazhet e tjera flasin dhe veprojnë, por vetëm kur është fjala për Siddhartën potencohet: ai Siddharta, foli Siddharta, bëri Siddharta.

Përzgjedhja e emrit të personazhit Siddharta është figurativ. Etimologjia  e tij rrjedhë nga dy fjalë sanskrishte: siddha – arritje dhe  artha – ajo që kërkohet. Hesse në tekstin e tij simbolin e ka figurën dominuese. Kemi simbolikën e ëndrrës si shpërfaqje e realitetit, vdekja e zogut të Kamalës që e sheh në ëndërr Siddharta, që asocion edhe me vdekjen e tij, lumi si rrjedhë e jetës ku Siddharta rikthehet dhe gjen qetësinë, bixhozi, prostitucioni, epshet instiktive të njeriut për pasuri e dashuri.

Hesse në romanin e tij pikën kulmore e vendos tek kapitulli “Omi”. Siddharta i braktisur nga i biri kur qëndronte buzë lumit pëshperiti, OM – in. Omi, valvitej përreth tij në mbarë natyrën. Në këtë gjendje Siddharta pushoi së luftuari me fatin e vet, u lëshua në krahët e atyre fsherëtimave dhe e arriti nirvanën.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat