Sakrificë sublime e përbuzur nga pushtetarët

Opinione

Sakrificë sublime e përbuzur nga pushtetarët

Nga: Hajdar Mallaku Më: 8 mars 2018 Në ora: 21:58
Hajdar Mallaku

 

Më në fund, pas tetëmbëdhjetë vjetësh, u përmbyll kapitulli i shpërblimeve për të gjitha kategoritë e dala nga lufta. Mbetën  vetëm arsimtarët e fundshekullit të kaluar, gjeneratë që punoi pa bujë, pa mburrje, pa kërkesa, kategori që eci viteve me kokë në trastë, jo një muaj, jo dy vjet, por tërë jetën e veçmas në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit të kaluar. Punuan këto gjenerata tamam me vetëdije atdhetare, me ideal se do ta kemi një Kosovë të lirë që do t’i ngjajë një parajsi të kulluar, ku do të mbisundojë ligji, drejtësia, siguria, por që mjerisht e përjetuam një parajs të grabitur, me njerëz të dëshpëruar, me pushtetarë të papërgjegjshëm. Punuan këto gjenerata pa uniformë të rrejshme, por publikisht, me emër dhe mbiemër, me dokumente brënda institucionit arsimor përkatës, sipas hierarkisë ligjore që rëspektohej në shtetin e Kosovës, me planprograme të Republikës së Kosovës. Ishin ata që e bënë të parët pavarësimin e një elementi kryesor të Pavarësisë së Kosovës, ata që publikisht i refuzuan planprogramet e Serbisë dhe krijuan sistemin paralel që një ditë e fshiu nga faqja e historisë planprogramin arbitrar të Serbisë. Ishin ata që dhanë dëftesa dhe diploma shkollore që nga shkolla fillore e deri në universitet dhe me vulë të Republikës së Kosovës. Dha ndonjë segment tjetër dokumente të tilla në atë kohë? Përgjigjja e çdokuj do të jetë: Jo!

Dhe me fundëshekullin e kaluar shkoi dhe nata qindvjeçare sllave falë UÇK-së dhe forcave të NATO-s dhe erdhi liria. Po më pastaj ne e kuptuam se pas çlirimit po fillon lufta për liri. Si thoshte plaku Zenun, kur shkonte për t’i uruar familjet që ndaheshin. I thoshte secilit vëlla: “Për hajr që u ndave me vëllezër! Tash e ke pushuar betejën më vëllezër dhe e paske hapur me djemtë tuaj”. Edhe ne punëtorët e arsimit e pushuam luftën me Serbinë( se ishim mashtruar pa vetëdije ose me dhunë me vëllazërim- bashkimin hileqar me kombet slave që na e mbajtën thikën pas qafe gjithnjë) dhe e filluam me bijtë tanë që janë shkolluar nga ne në atë periudhë, ose më herët dhe që i kemi zgjedhur vetë në pushtet.

Përballja e parë ndodhi me grevën e organizuar nga sindikata e arsimit fill pas çlirimit që zgjati shumë dhe përfundoi pa asnjë përfitim, se udhëheqësit e sindikatës e ulën bishtin dhe heshtën për t’i ruajtur pozitat e tyre. Udhëheqësit e këtyre sindikatave janë zgjedhur që nga paslufta dhe i kanë bërë monopol të tyre këto pozita duke marrë paga të rehatshme, njerëz që nuk kanë dhe të kaluar të mirë që (një pjesë e tyre) e kanë një duhmë  ish-udbashësh. Fyerje e rëndë na u duk ajo e prindërve dhe pushtetarëve të atëhershëm që nuk e kuptuan gjendjen e rëndë materiale të punëtorëve të arsimit, por deklaruan: “ Arsimtarët po i hanë si gogolë ëndrrat e fëmijëve”. Asnjë prind nuk u gjet në anën tonë. Ku mbeten kohët kur ne i mësonim fëmijët e tyre pa pagesë e ata i bënin nga dy pushime verore gjatë një viti. Pjesa dërmuese thonin se ne e kidhim treguar veten dhe e kishim larë obligimin ndaj atdheut. Megjithse kishte dhe të tillë që thonin: “Po mbledhim para për mësues.” Njërit prej tyre i thashë:” Nuk po mbledhni para për mësues, por për fëmijët tuaj. Edhe ne dimë të marrim rrugën e Perëndimit dhe të kthehemi pas çlirimit me vetura luksoze dhe me standard, por ne e kemi zgjedhur sakrificën për atdhe, për gjenerata që po vijnë, e jo për xhep”. “Më fal, profesor,-më tha , nuk e mata mirë. Ke të drejtë”. Përpjekjen tjetër e bëmë pa e ndërprerë mësimin, prap të udhëhequr nga sindikata. Një pushtetar i atëhershëm, A.  S. deklaroi: “Punëtorët e arsimit marrin paga edhe kur flejnë”. Kish llogaritur ky gjuhëshkurtër dhe fjalëkeq duke e pjesëtuar pagën mujore të mjerë të arsimit në 30 ditë dhe pastaj në 24 orë të ditës.

Pasoi pastaj shkrimi i një gazetari pehlivan në shkrim, por i çalë në mendje (emri nuk më kujtohet) i cili pati deklaruar: “Të gjithë arsimtarët që kanë punuar para çlirimit kanë qenë spiunë të Serbisë”. Dhe askush nuk reagoi.

Kohët e fundit ky avaz vazhdoi me fjalët e Ministrit A.B. se Kosova edhe sot po i vuan pasojat e asaj periudhe (kur kemi punuar në shtëpitë shkolla). Thuase edhe pas 18 vjetësh çlirimi fajet i paska ajo periudhë.  Si ta fshihte ky dështimin e testimit nga Pisa, sepse të gjithë Ministrat nga periudha e pasluftës bënë vetëm improvizime, bënë prova, ndërruan planprograme, ndërruan dhe i tejngarkuan nxënësit me libra, trajnuan e trajnuan punëtorë të arsimit, rikualifikuan kuadro, e bënë ekskluzive punën me teste, punë e rehatshme dhe pa u lodhur për arsimtarët, ndërruan kurrikula e së fundi do të bëjnë dhe profilizimin e arsimit nëse janë përgatitur; shpërlanë e shpërlanë para e çfarë nuk bënë, por nuk bënë asgjë për atë se çka bëhet brenda në orë të mësimit. Si ia bënë hyzmetin, e pësuan ata, e më shumë studentët. U përjashtuan si Shoqatë e Kosovës për Akreditim.

Kapakun vekshit ia vuri Kryeministri i Kosovës që deklaroi përafërsisht se arsimtarët më tepër luajnë shah se i mësojnë nxënësit. A e ka pasur ky mësuesin që ka lozur shah dhe nuk e ka mësuar mirë, apo tha kuturu diçka të pamatur, le të jetë begati e tij që fyen një armatë të tërë arsimtarësh. Nuk përjashtohet mundësia që një numër i vogël i arsimtarëve të vonohen në orë duke lozur shah, ashtu si mund të vonohet një arsimtar shembullor në ndonjë rast. Tek e fundit ku janë inspektorët dhe drejtorët që vijnë nga partitë tuaja politike.

Për arsimtarët e asaj periudhe, pra, u punua me pa të drejtë që të rrënohet kapitali moral, të mos vlerësohet mbushja e atij vakumi dhjetëvjeçar që do të mbetej po të mos ishte organizuar mësimi paralel, punë që u bë me sakrificë më sublime dhe hap pas hapi me jetën dhe vdekjen.

Kush i jep përgjigje pyetjes: Çka do të ndodhte dhe çfarë pasoja do të kishim sikur dhjetë gjenerata do të mbetëshin analfabetë? Sa prindër do të shpërnguleshin jashtë vendit për shkollimin e fëmijëve të vet? A nuk ishte një porosi atdhetare e arsimtarit që të rinjtë të frymëzoheshin dhe mobilizoheshin për në radhët e UÇK-së?

Pushtetarët tanë nuk panë arsyeshmëri që me një rezolutë në Parlament të bëjnë një falenderim për ato gjenerata. Nuk e panë arsyeshmërinë që secili nga ata punëtorë të asaj periudhe ta ketë një fletë falenderimi nga Presidenti i Kosovës. Se për kompenzim ne nuk kemi menduar as punuar atëherë. Por shumë djallëzore është zvarritja e Ligjit për arsim të asaj periudhe, pasi është inicuar  dhe ecën me hapa zvarranikësh, pa u aprovuar në Parlament. Me të drejtë nuk e duan grevën nxënësit, prindërit dhe pushtetarët e aq më pak arsimtarët që janë shkolluar për punë në arsim, që e ndiejnë në shpirt thyerjen e kontinuitetit të mësimit, që kur largohen nga nxënësit u duket sikur largohet nëna nga fëmijët dhe, më në fund, vetë ata janë prindër. Por le të kuptohet se kanë të drejtë ta mbrojnë dinjitetin moral, juridik dhe material të tyre. Dialogu nuk funksionon. Nuk është në edukatën e tyre demonstrimi, gjuajtja me vezë, me gurë, me molotov, me gaz lotsjellës etj.

Prandaj Shoqata e Vetëranëve të Arsimit në Prizren kërkon nga Deputetët e Parlamentit të Kosovës, e veçmas nga ata nga Prizreni, që i kemi edukuar dhe arsimuar ne, i kemi votuar ne, që ta aktivizojnë dhe çojnë deri në aprovom këtë ligj.

Për ndryshe thirrja jonë, jo me dëshirë, do të jetë:

“Pushtetarë, merrni pjesë në funerale mortore edhe në rastin e vdekjes së arsimtarit të fundit të asaj periudhe! Atëherë e keni më lehtë për t’u shprehur mirënjohje dhe kompenzim. Veproni si mbreti i Persisë që i premtoi poetit të njohur Firdusit se do t’ia shpërblejë me nga një dukat çdo varg të një poeme heroike për luftat e lavdishme të Persisë. Firdusi e shkroi “Shahnamenë”, një poemë të gjatë heroike, por shpërblimin e mori po atë ditë kur nga dera e oborrit po dilte kufoma e tij e në anën tjetër në oborr po hynte qerrja e dërguar e mbretit jo me duketër, por me premtime, se kishte ardhur për kryeshëndosh. Se ku është zëri i mësuesve, arsimtarëve, profesorëve dhe akademikëve që kanë punuar në atë kohë , nuk e di. Përpos nëse është një heshtje e kallur në flijim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat