Politikani kontraverz Lawrov dhe konfuzioni që krijoi në Serbi

Opinione

Politikani kontraverz Lawrov dhe konfuzioni që krijoi në Serbi

Nga: Sherif Ramabaja Më: 24 shkurt 2018 Në ora: 23:01
Sherif Ramabaja

Sot për sot demokracia është armiku numër një i Rusisë. Po të shikohen veprimet e këtij shteti në Evropë dhe Botë, ndjenë dhimbshmëri për popullin rus, ku e kanë katandisur udhëheqësit e tij politikë. Përpjekjet e opozitës ruse për t`iu bashkuar botës së përparuar demokratike kanë përfunduar me likuidimin e tyre, me burgosjen dhe eliminimin e tyre politik. Rusia kurrsesi të dal nga kthetrat e diktaturës, autokracisë dhe diktatorëve, siç është tash Putini. Popullin e bombardojnë me propagandë kundër perëndimit, EU-së dhe Amerikës, gjoja se ata ditë e natë punojnë për ta shkatërruar shtetin dhe popullin rus. Kjo propagandë i shkon përshtati pushtetarëve rus, kur thonë se perëndimi është fajtor për rënien e BRSS në vitin 1989.

 Putini konsiderohet si shpëtimtari dhe premtuesi i ringjalljes së Rusisë së dikurshme. Për t`i realizuar këto ënd

rra, atij i duhet pushteti i përjetshëm. Në mars pritet që ai sërish të rizgjidhet kryetar i shtetit  dhe kështu vazhdon misioni i tij si pasardhës i figurave të njohura, Leninit dhe Stalinit. Për t`i realizuar këto ide Putinit i duhet një politikan i kalibrit si Lavrov që është aq kontraverz, që më tepër bëhet qesharak dhe palaço, se sa që kupton dikush gjë prej tij. Qëndrimet kontraverze të tij i paraqet si në OKB, në misionet diplomatike, takimet politike në Rusi si dhe nëpër vizita në vende të ndryshme. Kësaj rradhe fjalën e kemi për vizitën e tij në Serbi.

 Lavrov kësaj radhe bashkësisë ndërkombëtare ia tërhoqi vërejtjen për tendencën e krijimit të Shqipërisë së madhe. Kryeparlamentari në Maqedoni e kishte vendosur flamurin shqiptar në tavolinë, tërhoqi vërejtjen ai. Gjuha shqipe do të avancohet në Maqedoni. Kosova iu nda Serbisë. Harroi të thotë se zëri i është shterur shërbëtorit të tij serb, Daçiç.. duke kërkuar që shtetet që e kanë njohur Kosovën t`i tërheqin ato njohje të mallkuara. Ballkanit po i ofrohet inkuadrimi në EU dhe NATO, pa pëlqimin e tyre nacional. Të gjitha këto rrugë për zotin Lavrov janë të papranueshme dhe kanë ndodhur  pa pëlqimin e Rusisë.

 Bota demokratike dhe e civilizuar, idetë e zotit Lavrov do t`i quante raciste. Rusia e zotit Lavrov dhe punëdhënësit të tij, zotit Putin, bëjnë çmos për ti frenuar proceset që e avancojnë Botën. Mjafton të përmendet vetëm fakti se këta dy persona i përkrahin partitë e djathta ekstremiste në tërë Evropën, vetëm për ta luftuar dhe shkatërruar EU. Pse, do të pyeste dikush? Thjeshtë: veç e veç këto shtete, këta dy pushtetarë do ta kishin më lehtë t`i vejnë në lojë. Të manipulojnë me to dhe t`i përçajnë sipas interesave të tyre, kurse EU-në e bashkuar e shohin si rrezik të tyre. Këta dy zotërinj e din gjithë Evropa, se e përkrahin edhe Partinë e Frontit Nacional të zonjës Le Pen në Francë. Partinë e ekstremit të djathtë dhe naziste NPD dhe AFD në Gjermani, pastaj partinë e ekstremit të djathtë në Holandë, Austri dhe çdo Parti sado e vogël që ekziston. Për ta primare është se ato parti janë për dalje nga EU-ja, janë kundër valutës Euro dhe në fund për kthimin në shtete nacionale.

 Zoti Lavrov në kohën kur refugjatët në vitin 2015 kishin vërshuar Evropën dhe sidomos Gjermaninë ishte mjaftë i zëshëm. Sidomos ai e merrte rolin e zëdhënësit të një lëvizje PEGIDA në Gjermani, që ishte ngritur kundër refugjatëve. Kjo lëvizje PEGIDA mes tjerash kishte lansuar  gënjeshtrën se një vajzë 15 vjeçare e miguar nga republikat ish ruse, që jetonte në Berlin, ishte përdhunuar nga refugjatët në Gjermani. Protestat për këtë rast organizoheshin çdo ditë, e sidomos manipuloheshin edhe gjermanët të ardhur vitet e fundit nga vendet ruse. Vajza ishte po e këtij komuniteti dhe zoti Lavrov kishte reaguar edhe vetë si burrështeti.

 Nga organet gjermane rasti ishte sqaruar, se ky ishte lajm i rrejshëm, ngase vajza vetë kishte deklaruar se ishte larguar vullnetarisht nga shtëpia dhe se kishte fjetur te i dashuri i saj. Ajo personalisht kishte deklaruar se kjo s ka të bëjë fare me realitetin. Zotit Lavrov kjo si shkonte për shtati. Ai dëshironte të zgjeroheshin  protestat. Në njërën anë pushtetarët rusë dëshironin që ta dobësonin pozicionin e zonjës Merkel dhe ta përçajnë shoqërinë gjermane. Zoti Steinmeier, atëherë ministër i punëve të jashtme gjermane, personalisht e kishte marr në telefon zotin Lavrov, për tia bërë me dije se po merrej me propagandë  që nuk qëndron. Me një fjalë, një kryediplomat nuk duhet të merret me fjalë të rrugëve dhe aq më pak me gjëra të pavërtetuara dhe të trilluara, për t`u bërë pastaj vetë pjesë e lojës kontraverze.

 Zotit Lavrov mjafton pastaj për tia cekur okupimin e Krimesë, nxitjen e luftës në Ukrainë. Tentimi i Grusht shtetit në Mal të Zi, kaosi që shkaktoi me zgjedhjet e vitit të kaluar në Maqedoni, përzierja në zgjedhjet amerikane. Lufta e përditshme kibernetike në Botë e që lidhet me emrin Rusi.

Pastaj bllokimi i rezolutave në OKB, që lidhen me Sirinë e bëjnë edhe atë përgjegjës për tragjedinë e popullit sirian. Ai ka  shkuar edhe më larg. Rusia ka intervenuar ushtarakisht në Siri dhe po vret popullsinë civile sikurse diktatori Asad. Rusia po e mban në pushtet Asadin me çdo kusht, i jep instruksione dhe e ndihmon ushtarakisht së bashku me Iranin.

Rusia mban përgjegjësi për ndarjen e territoreve shqiptare në Kongresin e Berlinit më 1878 dhe konferencën e Londrës më 1913. Fatkeqësisht u vërejt edhe këto ditë se po të ishte ai edhe atëherë pjesë e aparaturës shtetërore, njësoj do kishte vepruar dhe deklaruar siç deklaroi edhe këto ditë në Serbi. Ne vërejtëm se shqiptarët i konsideron si pengesë për arritjen e qëllimeve destruktive të tij. Aleatë dhe përkrahje ka edhe nga bashkëbiseduesit e tij, si zoti Vuçiç dhe Daçiç. Ata po mundohen të hanë me dy lugë, po do ta kenë vështirë. Më me dëshirë do ti bashkoheshin Rusisë, po ajo s ka çfar t`u ofroj. Më se 40 milion rusë jetojnë në varfëri ekstreme, sepse buxheti ndahet për armatim, për  të treguar se janë fuqi atomike. Duke u munduar të tregohen të fuqishëm, të paraqiten ata që në realitet nuk janë. Derisa populli rus i duron, ata  vazhdojnë me të tyren. Llogari shumë kush mund të kërkoi nga ta. Sepse shumë popujve në Botë u kanë hyrë në hak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat