Pendesa e një francezi

Opinione

Pendesa e një francezi

Nga: Mr. sci. Sylejman Salihu Më: 24 shkurt 2018 Në ora: 21:02
Sylejman Salihu

Kështu e nisi rrëfimin e D’ESTORNELLES de CONSTAND:

"Pata fatin e madh të emërohem, në pranverë të 1879, sekretar i Komisionit të caktimit të kufijve të Shqipërisë dhe Malit të Zi. Erdha në Shkodër, pastaj u njoha atje, me kolegët, vendet, krenar për postin tim të parë, duke mos e marrë me mend, ç’është e vërteta, punën për të cilën ishte ngarkuar komisioni."
Dhe ç' kishte për të bërë ai dhe bashkëpuntorët e tij me gërshërë në dorë?

"po e qethnim territorin e Shqiperisë në dobi të Malit të Zi. Dhe Shqipëria ishte pa mbrojtje".

D’ESTORNELLES de CONSTAND, ndërgjegjjevrarë, pas shumë vitesh , për dëmin që ia kishte shkaktuar Shqipërisë shkruante " “...Unë i kam shumë borxh Shqipërisë; unë do t’ia paguaj këtë borxh të rinisë...Në Shqipëri, për herë të parë, kam ndjerë se aty kishte, jo vetëm qënie, por njerëz që nuk mund të braktiseshin pa turp, në dobësinë e tyre". Pra ai paska parë se paskësh pasur njerëz në Shqipëri, jo vetëm qenie, por njerëz!!! Pra paska parë shqiptarë kësulëbardhë, që paskan jetuar me dinjitet dhe që e paskan dashur atdheun e vet dhe që paskan luftuar për të. Por ai paska parë se përballë tyre kalëronte me gjogun e tij Princ Nikolla dhe syrin e kishte drejtuar tutje larg , atje ku dallgëzonte Adriatiku me valët e tij të shkumëzuara. 

Shqiptarët, thotë senatori s' kishin avokat. Ndaj ishin në bankën e zezë, në bankën e të akuzuarit. Në bankën e të dënuarit. Në bankën e të ekzekutuarit. Sa do të mirrte atëherë Mali i Zi, që kishte vëlla Carin në Shën Petersburg? Ai do të mirrte aq tokë sa do të shkelte me patkonjtë e kalit të tij fushat e gjera shqiptare larg nga shkëmbinjtë e thepisur.
Se senatori ndërgjegjevrarë dhe banda e tij ia bën të mundur Malit të Zi: 

"Ai kishte dyfishuar, trefishuar sipërfaqen e tij, kishte kaluar me një të rënë të lapsit nga 4.405 në 15.355 km2 në dëm…të Shqipërisë…" 

Harta e Malit të Zi rritej, shtrihej cep më cep të tokave shqiptare dhe harta shqiptare zvogëlohej. Sërish e thotë ai: "Territori malazez…shtrihej me qytetin më verior shqiptar, Tivarin, deri në det. Ka një port! Të mjerin Tivar, të bombarduar, të zbrazur nga artileria që e nënshtroi, unë e kam njohur vetëm të shkatërruar…"
Dhe sërish e sërish:

"Mali i Zi gurishtor, fole zogjësh të egër gjahu, ishte i varfër, por ai kishte për udhëheqës një mbret që nuk pranonte t’i falte shërbimet e tij….Shtinte në dorë fushat më të pasura, malet dhe liqenet, rivierën e Shqipërisë….

…Ndërsa ne diskutonim mbi hartën, në Shkodër, apo midis shkatërrimeve të Podgoricës së djegur dhe të pushtuar nga trupat e Princ Nikollës, kufijtë e territoreve të dhëna Malit të Zi, ja që shqiptarët refuzonin me këmbëngulje dhe me sa fuqi që kishin të na bindnin…" Kot sokëllinte Jakup Ferri me trimat e tij! Kot ishin tubuar në Prizren burrat dhe paria shqiptare. Zëri i tyre pak dëgjohej se atë zë e kishte ngulfatur Baba Dovlet. Apo edhe ata kishin përbrenda tyre ndonjë të tillë siç i kemi ne sot me bollëk, që falin prapa shpine. 
Kështu ishte atëherë. Po tash? Tash sërish si atëherë. Atëherë pushka s' arriti t' i mbronte sa duhej tokat shqiptare. e tash lapsi shqiptar ia dhuron vetë.

Se Mali i Zi ende nuk ka të ngopur. Atëherë i mori me bekimin e Fuqive të Mëdha dhe tash sërish i merr 8000 hektarë, por me bekimin dhe pëlqimin e renegatëve shqiptarë, ndihmuar nga "miqtë"ndërkombëtarë.A thua edhe sa tokë, a thua edhe sa det do të na marrin apo do t' ua falim vetë dhe do t' ua bëjmë tapi?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat