Pushteti nënshtroi ekonomikisht qytetarin për ta mbajtur nën kontroll votën e tij

Opinione

Pushteti nënshtroi ekonomikisht qytetarin për ta mbajtur nën kontroll votën e tij

Nga: Azem Osmani Më: 24 shkurt 2018 Në ora: 13:57
Azem Osmani

Nëpër oda, çajtore e berberhane në vazhdimësi flitet e përflitet nga individë-altoparlantë të pushtetit se punët i kemi mirë, dhe se duhet të jemi të kënaqur meqë tani jemi të lirë dhe nuk e kemi "shkaun" mbi kokë. Në dukje të parë këta njerëz të krijojnë përshtypjen e kënaqshme për gjendjen aktuale në Kosovë. Në fakt, kjo i bie sikur ta ndërtojmë me fije shkrepëse një shtëpi model, pastaj gjithë kohën të mos veprojmë e të mos reagojmë duke i mënjanuar pakënaqësitë e gjendjes së rëndë nëpër të cilën po kalojmë, për të sajuar pastaj një optimizëm mbështetur në një kënaqësi të imagjinuar ngase kemi në posedim shtëpinë prej fijeve të shkrepëses.

Pjesa dërmuese e qytetarëve kur ankohen e vënë në rend të parë arsimin, pastaj shëndetësinë, drejtësinë e tek diku në fund e vënë në gojë zhvillimin e ekonomik.

Nuk mund të arsimohesh pa para! Nuk mund të shërohesh pa para! Nuk mund ta kërkosh të drejtën tënde përmes rrugëve juridike pa para!... Vetëm oksigjenin për frymëmarrje mund ta sigurosh pa para! Sigurimi i nevojshëm dhe i ndershëm i parave arrihet në një shtet ku ka zhvillim ekonomik. Aty ku ka zhvillim ekonomik, dobësohet deri në maksimum ndikimi i kontrollit të politikës ndaj qytetarit.

Nuk mund të pretendohet të jetë i pasuruar (me nder) secili qytetarë, sepse kjo gjë nuk ka ndodhur kurrë, dhe as pritet të ndodhë, por të krijohet mundësia që qytetari të jetoj me të hyra mujore të nevojshme për t’i realizuar kërkesat e veta normale në kuadër të standardit jetësor në raport me kohën që po jetojmë.

Më herët, familjet tona si rezultat i varfërisë por edhe në mungesë të kulturës në të ushqyerit e tij, fare pak kanë përdorur shumëllojshmërinë e ushqimeve vitaminoze dhe ushqimeve që përmbajnë materie të tjera të shëndetshme për organizëm. Për fatin e mirë tani kjo gjë po ndodh. Këto kërkesa nuk janë lukse, por nevojë e domosdoshme për shëndetin e njeriut. Shtrohet pyetja se a mund t’i përballoj buxheti ynë familjar shpenzimet për sigurimin e tyre? Sigurisht, që pjesa dërmuese nuk mund t’i siguroj.

Në kohën e teknologjisë moderne kanë ardhur kërkesa të reja për mundësitë e komunikimit dhe informimit përmes internetit. As kjo kërkesë nuk është lukse, por nevojë e domosdoshme e kohës, e cila po ashtu kërkon para.

Nevojë tjetër familjare e kohërave të sotme është edhe makina, e të mos flasim për nevojat e tjera të shtëpisë, si: mirëmbajtja, veshmbathja, ngrohja, largimi i mbeturinave, shpenzimi i energjisë elektrike, sigurimi i ujit të pijshëm dhe largimi i ujërave të zeza. Të gjitha këto, por edhe nevojat e tjera që nuk arritëm t'i përfshijmë, kanë një kosto të madhe financiare.

Duke u bazuar nga ky realitet, atëherë secila përpjekje e pushtetarëve për të fshehur hallet e atyre që punojnë, qoftë në sektorin publik apo privat dhe për t’u marrë vetëm me përqindjen e të papunëve dhe të atyre që jetojnë në varfëri ekstreme është një e padrejtë e madhe, e të mos flasim edhe për shumën e parave që marrin pensionistët dhe përfituesit e ndihmave sociale, të cilat janë më pak se sa simbolike.

Duhet të mos na vij turp e ta pranojmë se ne jemi një shtet ekonomikisht i varfër, edhe atëherë kur bashkatdhetarët tanë ndihmojnë familjet e tyre në atdhe, edhe kur fëmija e financon prindin, edhe kur vëllai financon vëllain. Jemi të varfër, sepse individi përderisa nuk arrin ta siguroj vet (apo nga shteti) ekzistencën e tij, ai nuk mund të jetoj i dinjitetshëm dhe i rehatshëm, as në familje dhe as në shoqëri.

Kosova edhe pas 20 vitesh liri nuk ka arritur të krijoj një stabilitet pothuajse as minimal të zhvillimit ekonomik. Klasa punëtore përpos që merr paga të ulëta, asaj i shkelen edhe të drejtat më elementare të punës, sidomos në sektorin privat.

Kontingjentet e mëdha të ekonomistëve të diplomuar ose nuk po dinë, ose nuk po duan që të ngritin fuqishëm zërin e tyre kundruall kësaj gjendjeje të rëndë. Në mos tjetër, ata duhet të bëjnë gjetjet në caktimin e vlerave se sa euro në muaj i duhet një individi dhe një familjeje për të plotësuar kërkesat normale në kuadër të standardit jetësor të kohës që po jetojmë. Tjetër gjë është se a mundet pastaj shteti t’ua përplotësoj me ndihma në të holla të gjithë atyre që nuk e arrijnë kuotën normale për një jetesë të dinjitetshme. Kryesore është të kemi një pasqyrë të qartë të realitetit, që të mos mund pastaj politika të manipuloj me gjoja rritjen e mirëqenies dhe cilësisë jetësore të qytetarëve.

Kjo gjendje e rëndë ekonomike, nuk ka ardhur si rezultat i mosdijes së klasës aktuale politike, por si qëllim i tyre i qartë strategjik për ta nënshtruar ekonomikisht qytetarin e rëndomtë. Nënshtrimi i qytetarit do të thotë futja nën kontroll dhe arritja e sigurt për të manipuluar me të në marrjen e votës së tij. Kjo strategji politike e realizuar me paramendim është një strategji e pandershme dhe moralisht e ulët. Ata u shndërruan në milionerë, kurse qytetarët ngelën të varfër.

Si përfundim duke i analizuar praktikat e deritashme të pushteteve qendrore dhe lokale, përgjegjësia më e madhe bie në ato parti politike që kanë qëndruar më gjatë në pushtet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat