Ndërmjet patriotizmit të deputetëve milionerë dhe sovranit skamnor

Opinione

Ndërmjet patriotizmit të deputetëve milionerë dhe sovranit skamnor

Adem Breznica Nga Adem Breznica Më 23 shkurt 2018 Në ora: 23:39
Kolona...

Me mijëra qytetarë (shqiptarë) të Kosovës morën nënshtetësi dhe pasaporta maqedone, malazeze, serbe, bullgare, romune, hungareze... për t'i shpëtuar izolimit ndërkombëtar; 

Me mijëra qytetarë të Kosovës morën nënshtetësi dhe pasaporta shqiptare, në emër të patriotizmit dhe njëkohësisht për ta anashkaluar izolimin ndërkombëtar; 
Me mijëra të tjerë hoqën dorë nga nënshtetësia e Kosovës, meqë disa vende ku kanë emigruar nuk pranojnë dy-shtetësi; 

Me mijëra shqiptarë-kosovarë - pjesë e sovranit të madh popullor, që ua dha votën deputetëve për t’i përfaqësuar në Kuvendin e Kosovës - ndërruan përkatësi etnike duke u deklaruar si pjesëtarë të komuniteteve RAE, goranë ..., e çka jo tjetër, dhe duke qenë se këto komunitete janë të 'diskriminuara' dhe 'përndjekura' nga shumica shqiptare, nën këtë markë ata do mund të fitonin statusin e leje-qëndrimit në vendet e BEsë dhe më gjerë; 

Me mijëra shqiptarë u detyruan të deklarojnë rrejshëm se janë pinjollë të familjeve të përziera shqiptare-serbe (se kanë nënat shkina), dhe si të tillë janë të përndjekur nga ‘racistet’ shqiptarë; 

Me mijëra të tjerë u detyruan të shpallnin se janë homoseksual dhe familja e shoqëria ‘patriarkale’ shqiptare nuk po e pranuakan një fenomen të tillë që, tashmë, është normal dhe i mbrojtur me ligj në vendet perëndimore; 

Me mijëra shqiptarë, që nga skamja u arratisen nga Kosova, deklaruan se janë të hasmuara ose në gjak me familje të tjera shqiptare dhe, duke qenë në një ambient të tillë ‘tribal’, kanuni po ua rrezikuaka jetët e tyre jashtë kullave të izoluara; 

Me mijëra shqiptarëve të tjerë iu imponua kurorëzimi me shtetase të huaja (në shumicë të rasteve, me diferencë të madhe në moshë) në mënyrë që të mos dëboheshin prej nga kishin ardhur, në shtetin më të varfër dhe më të izoluar të Evropës; 

Me mijëra shqiptarë sakrifikuan (në përqindje të lartë) dashurinë e tyre për të gjetur vajza, po ashtu shqiptare, në Perëndim, në mënyrë që ta anashkalonin izolimin dhe skamjen në vendin e lindjes së tyre; 

Me qindra-mijë vajza shqiptare në Kosovë s'mund të gjejnë ‘shpirtin binjak’, meqë proporcioni gjinor është 2 me 1, në (dis)favor të tyre; 
Me mijëra vajza shqiptare detyrohen për t'u martuar në Perëndim dhe, meqë burrat u vajnë gjithë ditën në punë, ato duhet të kalojnë jetën me kalamajtë e tyre brenda katër mureve; 

E ajo që është më poshtëruesja: Me mijëra shqiptarë u detyruan t'i shkelin parimet e lartcekura (patriarkale, kanunore, morale, fetare e humane) dhe lidhen kurorë me kunatat e tyre, madje dhe me motrat e tyre që kishin marrë mbiemra tjerë pas martese (tashmë shtetase të vendeve perëndimore), në mënyrë që të iknin nga pasojat e papunësisë dhe skamjes në vendin e lindjes së tyre; 
*** 
E pastaj gjithë këto vuajtje e poshtërime të bashkatdhetarëve të vet, kuvendarët e hardallosur, ‘patriotë’ e milionerë, i kthejnë në remitanca për gjepat e tyre të zhdjergur, pikërisht në ato pikat kufitare që pretendojnë se janë duke i mbrojtur nga tkurrja...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat