Disponim i rrezikshëm kundër perëndimit në Turqi

Opinione

Disponim i rrezikshëm kundër perëndimit në Turqi

Nga: Sherif Ramabaja Më: 22 shkurt 2018 Në ora: 14:22
Sherif Ramabaja

Në Turqi ngjarjet e dy viteve të kaluara kanë lënë gjurmë të theksuara. Sidomos kjo po hetohet pas përpjekjes për grusht shtet, ndërrimet kushtetuese për forcimin e pushtetit të Erdoganit dhe intervenimit  ushtarak në Siri. Të gjitha këto po krijojnë polarizim në masat e popullit dhe po krijojnë një përçarje me pasoja. Përkrahja që mbretëronte më parë për Erdoganin e që pushtetin hap pas hapi e kishte çimentuar, po venitet edhe në radhët e partisë së vet.

Ngjallja e nacionalizmit, që është bërë deri më tash po funksionon vetëm te shtresat e pashkolluara dhe te njerëzit e moshuar, kurse rinia dhe shtresa e mesme ka filluar të mendojnë se presidenti i tyre po i shpie në një rrugë pa krye. Kjo po vërehet sidomos në nxitjen që po bën kundër EU, perëndimit dhe SHBA-ve. Këto vlerësime i bënë politikologu, Michael Werz, nga institucioni “Center for American Progress “. M. Werz ka bërë hulumtimet e opinionit në Turqi para se t`i paraqes këto të dhëna. Vështirësitë ekonomike, inflacioni i lartë, izolimi gjithnjë e më i madh i Turqisë, pastaj zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare që do të bëhen në vitin 2019 janë sinjale që shoqëria turke dhe partia e Erdoganit ndodhën nën presion të madh.

Përkundër të gjitha këtyre vështirësive Erdogani me aparatin e tij shtetëror, traditën e instaluar islamike dhe  kontrollin që ua bën  medieve, po arrin që të mbahet në pushtet. Hulumtimet që i bën M. Wertz kanë të bëjnë edhe me qëndrimin kundër EU-së dhe SHBA -ve. Kundër EU-së, përmendet rruga e gjatë dhe thuaja e pa arritshme për tu bërë pjesë e Unionit. Kërkesat janë të shumta si të EU-së dhe të shteteve të veçanta siç është Gjermania, Holanda etj. Kurse sa i përket Amerikës janë krijuar teori të konspiracionit që nuk qëndrojnë fare. Thonë se SHBA duan që ta dobësojnë dhe ta përçajnë Turqinë. Kjo bindje po thellohet edhe më shumë tash kur Turqia po i sulmon kurdët në Siri, kurse Amerika i kishte armatosur dhe angazhuar kundër shtetit islamik IS. Fyerja që i bëhet  Gjermanisë, Holandës, Amerikës dhe perëndimit nga partia e Erdoganit , në popull reflektohet shumë dhe e përforcon atmosferën helmuese.

Rusia shikohet me sy më të mirë

Është për tu habitur, para dy vitesh më se 40 përqind të popullsisë Rusinë e merrnin si rrezik për Turqinë, kurse tash një e treta e vlerësojnë Rusinë pozitivisht. Kjo ndodh për arsye se me të madhe dhe në mënyrë ekstreme paraqitet në opinion qëndrimi antiperëndimor. Me brengosje po përcillet edhe vetë nga Nato, afrimi i Turqisë me Rusinë.

 Edhe qëndrimi i Turqisë ndaj refugjatëve nga Siria po ndryshon. Më parë bëhej shumë për refugjatët, ishin më se 4 milion në Turqi, kurse tash 8 nga 10 turqit janë kundër përkrahjes ndaj tyre. Presidenti Erdogan para pak ditësh deklaroi se Turqia do t`i kthej refugjatët në veri të Sirisë posa t`i marr këto pjesë nën kontroll. Pra para zgjedhjeve  të vitit 2019 gjendja në Turqi ndaj refugjatëve do të ndryshoi. Hulumtimet e opinionit dhe të dhënat nuk japin prognozë të mirë, po në mënyrë cinike mund të thuhet se Turqia i përshtatet EU, thotë në fund M. Werz.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat