Monedhat etruske

Opinione

Monedhat etruske

Nga: Dr. Niko Ferro Më: 19 shkurt 2018 Në ora: 15:53
Dr. Niko Ferro

Të shkruash për monedhat etruske, në radhë të parë është një përpjekje e madhe, një sfidë e vërtet kërkimesh shkencore, për një kulturë e cila ka më shumë 2000 vjet që është zhdukur krejt dhe në mënyrë “misterioze”. Siç dihet prerjet etruske janë shumë pak të njohura Shqipëri, jo sepse ato nuk paraqesin interes por që deri më tani shkrimet rreth tyre kanë qenë të pakta ose le të themi nuk ka. Pikërisht kjo bën që interesimi nga studiuesit e sotëm të shtohet dita ditës. Natyrshëm lindin pyetje që kërkojnë shpjegime si: Cilat ishin arsyet që çuan në emetimin e tyre? Si është e ndërtuar një monedhë etruske? Cilët ishin faktorët që ndikuan në përdorimin e sistemit monetar më të përparuar në Mesdhe? Ku shtrihej territori etrusk?

Image
Fig 1 Shtrirja e territorit etrusk

Në këndvështrimin gjeografik, territori në të cilin kanë banuar etruskët përkon sot me krahinën e Toskanës, Umbrias, dhe Lacios veriore të Italisë. Pjesa veriore e këtij territori kishte një peizazh kodrinor të pasur me ujë dhe bimësi ndërsa pjesa jugore ishte e pasur me metale. Pikërisht në këtë pjesë të gadishullit Apenine etruskët themeluan vendbanimet e tyre.

Shtrirjen e tyre më të madhe territoriale etruskët e arritën në shek. VII p.e.s Jo vetëm kaq nëpërmjet flotave të tyre ata shtrin sundimin edhe në ishujt Korsika dhe Sardenja. Ku e thënë më shkoqur deti Tirren sundohej krejtësisht prej tyre. [Edhe kolonizimi i dy qyteteve Adria dhe Spina prej tyre na nxit të hamendësojmë se etruskët mund të kontrollonin skajin më verior të detit Adriatik]. Por edhe rrugët tregtare tokësore që të çonin në qendër të Evropës, kontrolloheshin nga etruskët dhe se ata ishin përcjellësit kryesorë të mallrave të qytetërimeve të zhvilluar të Mesdheut Lindor dhe Jug-Lindor. Përveç këtyre ata tregtonin edhe mallrat e tyre, më të njohurat ishin amforat për transportin e verës, enë gatimi dhe tavoline, armët e bronzit dhe stolit nga më të bukurat. Për të lehtësuar tregtinë dhe shpërndarjen e këtyre mallrave, etruskët kishin ngritur një rrjetë të gjerë rrugor shumë efikas. Këto rrugë lidhnin veriun e Evropës me pjesën tjetër të Gadishullin Apenine. Si rezultat i këtyre shkëmbimeve lindi dhe nevoja e përdorimit “monetarë”. 

Në krahasim me kolonitë greke të Italisë së Jugut, monedhat në territorin etruskë u emetuan me pak vonesë. [2] Pavarësisht kësaj rrënjët e përdorimit fillestar të monedha etruske duhen kërkuar në Qytet-Shtetet të Populonis (Fufluna = etrusk) dhe të Vulqit (Velk = etrusk). Populonia ishte qyteti më i rëndësishëm etrusk në trafiqet detare në detin Tirren. Gjatë shek VI p.e.s falë pozicionit të saj strategjikë ajo u bë furnizuesja kryesorë me metale (hekur,bakër, bronz). Për sa i përket Qytet-Shtetit të Vulqit, i atribuohet roli tregtarë, si qendër pritje dhe shpërndarje për objektet luksit jo vetëm në drejtim të qendrave të tjera etruske por edhe në popujt e tjerë të Gadishulli Apenine e më gjerë.

Megjithatë monedha më të hershme etruske, prej ari e emetuar nga Qytet-Shteti i Populonisë, daton në mesin e shek. V p.e.s.[3] Monedha të tjera të kësaj periudhe kanë në “faqe”: Kokën e Gorgonës, Kokën e Djaloshit, Kokën e Luanit, Kukuvajka, Foka  dhe simbolin e vlerës, (psh X=10); Ndërsa në “shpinë” sipërfaqja është fushë dhe pa legjendë.

Image
Fig 2 Monedha e hershme etruske

Në shek IV p.e.s Populonia, emetoi të tjera seri argjendi, me peshë 5.80 gramë.  Emetimi i dytë u bë po në shek IV p.e.s  por pesha këtë herë ishte 17,44 gramë (e përafërt me peshën e tetradrahmes shumë e shpërndarë në Italinë e Jugut ndër kolonitë greke të Siçilisë.) [4] Në shek III p.e.s ajo emetoi një tjetër seri, bronzi. Këtë herë përveç figurave mitologjike shënohen edhe personat përgjegjës që i emetuan ato.   

Image
?Fig 3. Monedha etruske prej bronzi (Sipas F. Catalli 2000)

Në pjesën më të madhe të emetime prej argjendi dhe ari monedhat etruske ruajnë vetëm imazhin në “faqe” ndërsa në “shpinë” janë fushë pa legjendë. Në vend të rrethit me pika mund të jetë, një vijë e vazhduar me ose pa ndërprerje. Emrat e legjendave janë të lidhura më tepër me personazhet fisnik dhe përgjegjës për emetimin nga autoriteti lëshues,[5] sesa me emrat e qyteteve të cilat i emetuan. Imazhi dominues në monedhat etruske janë figura mitologjike e Gorgonës, Kokës së Luanit me gojë të hapur, Luani i tërë, Kali i detit, Kokë Vajze,Kokë Djali dhe Foka etj. Një tjetër veçori tek monedhat etruske, në krahasim me monedhat e tjera ato kanë simbolet e vlerës në faqe, X, XV, XX, XXV , ?.

Image
Fig 2.

Megjithatë Populonia nuk ishte e vetmja Qytet-Shtet etrusk që emetoi monedhat e para.

Vulqi të cilit i atribuohen tre seri të ndryshme prerjesh argjendi me legjendën e Thezit (Thezle= me peshë 5.80 gramë). Ku në “faqe” ka kokën Gorgonës me krahë. Dhe në “shpinë” me legjendë ΘESL. Kjo lloj monedhe datohet në shek 450-400 p.e.s  

Volsinjës i atribuohet emetimi i një monedhe prej ari ku ekziston vetëm një ekzemplarë dhe ruhet në British Museum. Në “faqe” kokën e Djaloshit. Dhe në “shpinë” fushë pa legjendë. Kjo lloj monedhe datohet në mesin e shek IV p.e.s  

Peithesa, emetoi një grup të vogël monedhash prej bronzi. Në “faqe” kokën e Hermesit. Dhe në “shpinë” legjenda e kukuvajkës. Kjo lloj monedhe datohet në gjysmën e parë të shek III p.e.s

Velathri i atribuohet prerja e tre serie monedhash prej bronzi. Në “faqe” kokën Bifronton (dyfytyra.) dhe në “shpinë”  legjendën e Velathrit.  Kjo lloj monedhe datohet në gjysmën e parë të shek III p.e.s.

Si përfundim mund të themi se ishte pikërisht aktiviteti i madhe metalurgjik i Populonisë, gjatë mesit të shek VI deri në fund të shek IV p.e.s ai që krijoi bazën solide të një monopoli për prodhimin dhe eksportimin e hekurit të marrë nga minierat e ishullit të Elbës. Zhvillimi i madhe i këtij tregu të brendshëm, mund të ketë favorizuar në përdorimin e sistemit monetarë. Përveç prerjeve prej ari ata emetuan edhe monedha argjendi, bronzi.

Me fuqizimin e Romës aty rreth gjysmës së parë të shek IV p.e.s , Qytet-Shtetet pësuan një tkurrje por prerja dhe emetimi i monedhave etruske “volteriane” do të vazhdonte për të paktën deri në fund të shek III. p.e.s  Tashmë ishte Roma, që ish-qytet i ndërtuar prej tyre, ajo që shumë shpejt do të merrte kontrollin monetar në të gjithë Gadishullit Apenine.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat