Dhjetë

Opinione

Dhjetë

Nga: Granit Hyseni Më: 17 shkurt 2018 Në ora: 11:12
Granit Hyseni

Sot, 10 vite më parë ti e dashur Kosovë arrite përfundimisht të bëheshe e pavarur dhe sovrane, fillove të gdhiheshe nga gjumi shumë vjeqar që të kishte kapluar vend e pa vend. Po atë ditë e tutje fillove të njiheshe si shtet sovran anembanë botës nga shtetet europiane, SHBA-ve e të tjerë, arrite të futeshe në analet e seriozitetit historik për një emancipim të mëtutjeshëm. Deri këtu mirë...

Kosovë e dashur vit pas viti ti ndryshove për 360 shkallë, arrite që nga maja e pritshmërive të bie në një shpejtësi të vrullshme, drejt një humnere të thellë e cila manifeston vetëm ngjyrën Zi, ku kjo e zezë hapi fillet e saj në çdo fushë, në çdo lami dhe na preku të gjithëve, por jo rastësisht, thjeshtë sepse e merituam.

Shumica e shteteve përparimtare pas luftërave, kanë arritur që pas pavarësimit apo çlirimit të zhvilloheshin deri në atë masë saqë arritnin hiq më pak se pas një dekade të bëheshin faktorë të zhvillimit ekonomiko-historik, por që ata karakterizoheshin me një intelekt të pasur zhvillimor dhe me një angazhim domethënës drejt një zhvillimi të të menduarit kritik dhe drejt emancipit rrënjësor të zhvillimit shkencor apo arsimor e tutje.

Fatkeqësisht ne nuk arritëm të bëhemi faktor zhvillimi, ne tok së bashku u bëmë faktor i së keqes dhe i një destabiliteti drastik që me një fjalë po merr aromën e Dështimit të mirëfilltë. Ne për këto viteve përpos destabilizimit ekonomik, arsimor dhe social na doli në rrugë viteve të fundit edhe problemi i Demarkacionit, Gjykatës Speciale dhe Flamurit në lokacion tek rrethi në hyrje të Prishtinës.

Procese këto të cilat sa dukën në thelb të rëndësishme por aq edhe qesharake sa i përket qështjes së angazhimit në lidhje me këtë aspekt. Faji jo vetëm në këtë rast por edhe në shumë raste të tjera jemi të gjithë ne si popull duke përshirë politikanë, udhëheqës, përfaqësues të sektorit privat, shoqërisë civile besa edhe qytetarit të thjeshtë. Për të mos u bërë ndoshta i mërzitshëm në këtë aspekt në lidhje me shkrimin personal, unë thjesht po i referohem tri pikave të rëndësishme të një shteti të cilat janë si vijon, e që në analizë përfshijnë pasqyrën tonë shtetërore tash e 10 vjet:

Arsimi, një koncept përparimtar që ka fillën e saj ndër vite si i vetmi solucion që zgjedhë rrugën adekuate për një të ardhme më të ndritshme, për një të ardhme që i garanton një bashkësie apo shteti termin e plotë të suksesit. Arma më e fortë që kishim nën kthetrat e pushtimit ishte pikërisht kjo, që na mbante shpresat gjallë për një zgjidhje më eminente për daljen nga zullumi idiotesk. Por, pas tërë këtyre viteve kjo armë po shëndrrohet në një aset të pa vlerë, në një vegzë me pikëpamje keqpërdorimi e që fundin e saj e shijon dita-ditës. Një koncept që po mvishet nga kushdo qoftë, që në prapavijën e tij ka fillesa e emërime poshtërsie dhe idiotësie. Po kultivohet një arsimim i plogësht i cili po keqpërdoret maksimalisht nga të shkolluarit dhe më shumë nga e ana e analfabetëve modern. Për këtë flet më së miri rasti Pisa...

Ekonomia, paraqet anën më të fuqishme të një shteti, pasqyron një koncept që me gërshetimin e të ardhurave nga të gjithë çon drejt një balancimi të një jete sa më të mirë. Aspekt ky i cili në vitet e mjerimit social ishte tejet i vështirë për tu menaxhuar, por ja që vullneti për mirësi dhe rilindje arriti që këtë mjerim në vitet e sundimit sllav të mbijetojë në mënyrë disi të kënaqshme. Por kjo rilindje tashmë “e realizuar” këtij koncepti disi i ka dhënë një goditje nokauti që vështirë mund të ngrihet për një rifreskim sfidash. Uzurpatorët, idiotët partiak dhe hajdutët e shtrijnë autoritetin e tyre mbi këtë fushë duke udhëhequr këtë sektor në mënyrën sa më fitimprurëse të mundshme për qëllimet e tyre personale e cila menaxhohet nga njerëzit jo-adekuatë dhe nga njerëzit “adekuatë” që këta të fundit cilësohen si shtazë më shumë si në sektorin publik poashtu edhe më shumë në atë privat. Tërheqja e investitorëve nga jashtë vit pas viti, motivimet shtetërore për kultivimin e biznesit dita-ditës vetëm si terma në ajër do të mbeten, e lëre më të ketë diqka adekuate dhe përparimtare në lidhje me këtë drejtim.

Drejtësia, është akter tejet eminent për seriozitetin që e tregon një qeveri ndaj popullit të saj dhe është një faktor themeltar mbi shtetndërtimin funksional. Në kohën e sundimit shumëvjeçar sllavo-komunist ishte pikërisht drejtësia që nuk gjendej zbatim në jetët e shqiptarëve, përkundrazi ajo u keqpërdor në mënyrën më mizore të mundshme që quan vendin drejt trazirave të dhunshme dhe të përgjakshme. Por, shtrohet pyetja se a u shpërblye ky mund i atyrëve që flijuan jetën për drejtësinë në këtë shtet? Them se Jo, ngase manipulimet e shumta që ndodhin në organet e drejtësisë me qëllim favorizimi të një personi me prapavijë politike përkrahet aq shumë saqë qytetari i thjeshtë nuk merr fare guximin të drejtojë një akuzë për çfarëdo padrejtësie që i bëhet, bile bile konsiderohet si i pa fytyrë se pse ai e maltreton veten duke kërkuar drejtësi nëpër institucionet përkatëse që janë për të drejtat e njeriut, e që faktikisht në Kosovë këto figurojnë vetëm si teori në letër ndërsa në praktikë janë koncepte të vdekura.

Për këto 10 vite ëndërruam e fantazuam shumë por ja që po na del dardhë me bisht, duke shpresuar si gjithnjë se do të bëhet mirë me kalimin e kohës, por a thua vallë si mundet të shpresohet për më mirë kur e keqja na ka ngulfatur tej mase në mesin tonë ?

Ne populli i Kosovës po kërkojmë zgjidhje me pikëpamje elementare ende pas 10 vitesh...

Por, si do t’ia bëjmë pas 10 viteve tjera ?!

Urime 10 vjetori popull i dashur, me një zemër të thyer e të trishtuar, Urime...

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat