10 vjet vetmi - Bota Sot
10 vjet vetmi

Opinione

E martë, 22 maj 2018

10 vjet vetmi

Nga: Kimete Berisha Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 21:34
Kimete Berisha

- Te 'rrethi' ish dashur të valvitet çanta e Anita Haradinaj, se ajo çantë kushton 2000 euro më 'shtrenjtë' se flamuri kombëtar, që pak me pas durim m'u shty me shitësin n'aksham pasar ta lë në dorë me 2 euro. 

Që thoshte, i shkreti, Dritëro Agolli, 'leckë është flamuri'.

- Çanta e Anitës e tregon standardin e Republikës së Kosovës, dhe aftësinë e gruas së Rambos se si me rrogën 600 euro (kurrë pa shku n'punë), mund ta blejë 'gospoxha' çantën 2,000 euro.

- Thonë që ka thënë Zoti, se njerëzit e këqij jetojnë gjatë. Aq gjatë, sa një shekull. Prandaj, na mbyti mërzia...
s'ka njeri normal që sot nuk e ndjen veten 'gotë e zbrazur' në këtë vend, të pushtuar nga llumi i shoqërisë, të udhëhequr nga niveli më i ultë i mundshëm që ekziston mbi këtë dhé.

- Kurrë më keq dhe më e shpërfytyruar, më e dhunuar, më e shëmtuar, më e ndyrë, më e varfër se sa tani nuk ka qenë Kosova. 
Si gotë e zbrazur ndjehem edhe unë sot e përditë ç'prej se Rambo dhe 120 hajdutat e tij i bën nderime me një minutë heshtje vrasësit të fëmijëve shqiptarë, Oliver Ivanovicit...

Çka mund të bëj një njeri më keq se kjo që ka bërë Ramush Haradinaj!

- Kur vjen puna deri këtu, sa ta kemi luksin të flasim për dashuri, si sot në 'ditën e të dashuruarve', duhet të tregojmë të vërtetën se sa shumë urrehemi o Zot.

S'dua të flas për dashurinë, mbasi që ka ardh puna deri këtu sa sot nuk i njoh dy njerëz që kalon dita pa e lënduar dhe pa e fyer njëri-tjetrin, më së paku një herë në ditë, a po do me fjalë, a po do me vepra, a po do me heshtje, a po do me stupc.

- Dashuria është armiku ynë më i madh. Sepse, nuk e lëmë të na pushtojë e të na bëj njerëz normal.

- Ne ia plasim zemrën njëri-tjetrit, kurrë pa pushu. Këta jemi ne. Dhe nuk ngihemi derisa të sigurohemi se veç kacia ka mbetur pa e kryer punën e 'saj'.

- Prandaj, më egër duhemi, sesa urrehemi.

- E këtillë, e cekët, e thjeshtë, injorante dhe e ndyrë sa s'ka ishte edhe korrespodenca intime në kuvendin shqiptar, në mes shtetases shqiptare GD dhe atij djalit me buzë të kuqe. 
Të tilla janë sekretet, të ndyra dhe të turpshme, prandaj mbahen fshehtë.

Gratë e mira nuk kanë sekrete.

Gratë shqiptare, agresive siç janë, deri në atë shkallë sa në këtë korrespodencë seksuale nuk dihej cili ishte mashkull aty.

Shtetasja shqiptare assesi të bindej se si ndodhi që ajo, heeeej asaj i ndodhi, të shfrytëzohet dhe të braktiset nga një djalë 10 vjet më i ri. 
Kot bundat, pelerinar e fustanat me kallana, s'bëjnë punë mëngët e qëndisura me detaje aq të shumta sa tavanet e katedraleve të Venedikut, e flokët strofull nga llaku i pakompromis TAFF që nuk e lë as ajrin të hyjë mes llokmave të saj të ngrira.

Të lë, për besë të lënë gjinja, mashkulli më i keq ta ftoh jetën, dhe besa ta shkatërron pjesën e mbetur të jetës, e cila të kalon duke kërkuar arsye tjera se pse të çoi përtej diellit një mashkull i keq, duke e pasur ti arsyen si zonjë para hundës, që është gjithmonë e njejta arsye pse të mashtrojnë dhe të tradhtojnë njerëzit, thjesht veç pse s'të duan.

- Të gjitha luftërat i fitojnë vajzat e urta dhe të buta. Kurrë deri sot, asnjë grua e 'shtirë', e rrezikshme dhe arrogante, që flet shumë dhe me zë të lartë, nuk gjeti prehje, paqe e dashuri në këtë jetë.

- Është normale të flasësh për jetën private të dikujt (kur bëhet publike), aq sa është normale të shikosh seriale, shtyrë nga kureshtja kush me kë e bën e kush me kë ndahet. Kjo është natyra jonë. Tema mbi të cilën u shkrua bota dhe jeta sillet rreth ushkurit. S'ke çka bën. 
Boll e ka që nuk ia bëjnë si te 'E bija e Rajanit', me ngreh zhag prej zhelesh jashtë nga katundi.

- Nuk kisha dashur të rilindesha përsëri, kurrë, por nëse s'do të pyetem, si kësaj here, do të zgjedhja ta dua vetëm veten, kurrë pa sakrifikuar as një qime të flokut për asgjë dhe për askënd. Të provosh të bëhesh skajshmërisht vetjak- kjo do të ishte lumturia.

- Kur e pashë flamurin kombëtar duke e larguar policia me urdhër të Ramushit nga 'rrethi', ashtu siç as krimineli Sllobodan Millpsheviç nuk e ka larguar, e ndjeva barkun kur m'u rrotullua.
S'mbet rrëfim i të burgosurve politik që s'mu kujtua, sidomos i njërit prej tyre që në qelinë e Goli Otokut, kishte fjetur me minj e me gjarpërinj, në terrin e vetmisë së madhe, për atë flamur me shqiponjën e hamamit të Hyrës.

- Kush jetoi më bukur, më gjatë, më me lavd dhe më mirë: Ai që u kalb në burg për flamurin, apo ai që tha 'leckë është flamuri'!

- A ia ka marrë anën e keqja të mirës! 
A po e mund djalli-Zotin! 
E pse gjithë kjo vuajtje për njerëzit që s'e bëjnë kabull haramin, djersën e huaj, tradhtinë, kurvërinë, spiunazhin, krimin...

A janë këta njerëz të shëmtuar ndëshkimi ynë!

- Pse asnjë të mirë në këtë vend nuk e arrin duke qenë i ndershëm.

- E luta sot një shoqe 'eja shkojmë në kishën e Llapushnikut e ndezim nga një qiri e lutemi' ose afrohemi te naj teqe, del ku të del...
eeee Kim, më tha, lëre krejt, Krishti e di si jemi, me dasht na ndihmon...edhe pa e lutur. 
Zoti më shumë po i plotëson dëshirat dhe kërkesat e njerëzve të këqij.

- A nuk thatë ju se asgjë, bash asgjë, as e keqja dhe padrejtësia më e madhe, s'ndodh pa lejen e Zotit.

- Kadri Veseli e shfrytëzoi gjendjen e Adem Demaçit për t'ia dhënë dhuratë flamurin për të cilin askush s'ka luftuar dhe s'ka bërë burg, prandaj askush s'ndjen dhimbje për të, që do të thotë, s'ndjen dashni.

- Dashuri është te ndjesh dhembje të shpirtit, e jo lezet për dikë. Vetëm dikush që të dhimbsesh-e do. 
Çdo gjë është dhimbje, e dashuria është dhimbja supreme.

- Për ironi, në faqen e djathtë të bacës shiheshin disa njolla të kuqe, gjak.

- Kosova gjithkah dhe gjithkund ia ka gjetur vendin flamurit të Serbisë por nuk ka lënë vend për flamurin kombëtar.

Shko në Graçanicë largoje flamurin e Serbisë, n'guxofshë. 
Ata s'janë si ne, ata të përgjakin!

- Jo flamurin, por Ramush Haradinaj nuk lë t'zezë pa bë për pushtet. Nuk i tregojnë që s'ka shqiptar që nuk ndjehet i mërzitur dhe i pashpresë në këtë vend. 
S'njoh njeri që nuk e urren me shpirt e që nuk e shan me fis e me farë.

- 10 vjet vetmi.
Shtet vetëm për ata që kanë vjedhur, shkatërruar, privatizuar, uzurpuar, vrarë, falsifikuar, kurvëruar, korruptuar. 
Të izoluat, edhe më të varfër, dyfish të lënduar, të frikësuar, të pamundur dhe të parrugëdalje. 
10 vjet pa drejtësi.
Pavarësinë e Kosovës nuk e gëzoi populli që edhe pas 10 vjetësh mbetet më i varfëri në Evropë, por e gëzuan bandat krimnale dhe mafia politike.

- Neverinë ndaj qeverisë Haradinaj e bën kaq të madhe edhe pafuqia e opozitës. S'kanë ndjerëzit ku t'i varin shpresat.
LDK pa kokë, e imiton kryetarin e saj të sëmurë, e gjithë partia sillen si pacientë të shtrirë për toke, dhjetë ditë heshtin e një ditë flasin pak, dhe bëjnë aq shumë gabime sa e duartrokasin edhe gjestin e ultë të Kryeministrit me flamurin kombëtar, në vend se ta shfrytëzojë rastin ta sulmojnë e ta bëj tokë.

- Edhe sikur LDK s'do të kishte arsye ta sulmonte qeverinë Haradinaj, duhet t'i shpikë ato arsye dhe ta shfrytëzojë në maksimum neverinë qytetare ndaj kësaj qeverie, më të dështuarën, më injoranten dhe më antikombëtaren që ka njohur deri sot Kosova.

- E Albin Kurti ka filluar të zbutet. Kjo nuk na pëlqen. Po lejon ta 'zbusë' frika nga vetmia dhe izolimi. Dhe 'zbutja' as nuk po i ka hije. Dikujt nuk i ka hije urtësia. 
Albini nuk po e fsheh nevojën për të zbritur nga 'qielli' e për t'u bërë 'njëri nga ata' që e fyen dhe e mashtruan. 
Njeriu i 'madh' dhe serioz nuk shpreh nevojë publike për njerëz të ligë e të ultë që të flasin pas shpinës dhe të mashtrojnë, sepse kështu tregon se sa i vetmuar dhe i humbur ndjehet anipse nuk është.

P.S. Kur dola nga puna dhe u nisa për në shtëpi, u tesha me një djalë që mbante një pako letre në dorë me të cilën kishte shpërndarë gjithë ditën karanfila të kuq falas. Më shikoi në sy, deshi të ma dhurojë karanfilin e fundit për sot, por kur shikoi në pako, e gjeti një të vetëm të thyer në mes  ????.

S'ka gjë i thashë. S'e dua. 
Karanfila u dhurohen edhe të vdekurve.

Komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh
test