Nji botë e re e premtuese na pret: Le ta perqafojmë!

Opinione

Nji botë e re e premtuese na pret: Le ta perqafojmë!

Nga: Sami Repishti, Ph.D. Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 19:44
Sami Repishti, Ph.D.

Ridgefield,CT. Me 17 shkurt 2018, miljona shqiptarë dhe miq të Kosovës shqiptare festojnë me krenari fitoren e madhe, fryt i sakrificave mbinjerëzore të popullit shqiptar kosovar: Pavarësinë e Republikës së Kosovës! Vëllazën, motra shqiptare kudo që banoni: Gëzuar pavarësia e Republikës së Kosovës!

Në atë tokë të djegun nga agresionet e vazhdueshme; për atë popull të vramë e të sakatuem për ma shumë se nji shekull pa mëshirë, lindi liria e meritueme, u fitue pavarësia e dëshirueme me afshin e zemrës dhe me gjakun e parzmës kosovare: sot, nesër e për të gjithë jetën e jetëve!

I lirë je o vëlla kosovar, e lirë je o motër kosovare –të pavarun, krejt të pavarun, në sherbim të vullnetit të sovranit, popullit kosovar pa dallim, pa përjashtim. -i vrami, i sakatuemi e i coptuemi popull kosovar që sot ngren kokën, falënderon qiellin e përkëdhelë tokën me dashuninë e nji prindi për votrën e tij dhe të parëve të tij, me shekuj e mileniume pa ndërpremje. Gëzohu Kosova shqiptare! E meriton!

*****

Historia e Kosovës ashtë nji tragjedi e shkrueme me gjak, ashtë “nji lum gjaku” i derdhun pa shkak, …. gjak viktimësh të pa faj!

Që nga fillimi i konfliktit të pafund shqiptaro-serb, 1877-78, shqiptarët e Kosovës kanë qenë viktima ma e persekutueme në Ballkan. Ushtritë e organizueme serbe e malazeze zhvilluen masakra sidomos në Kosovë dhe në Shqipërinë Veriore- skena terrori të papamë. Masakrat serbo-malazeze shoqënoheshin nga nji propagandë intensive për dehumanizimin e shqiptarëve, propagandë e shoqënueme nga thirrje histerike në emën të nji kryqëzate kundër “turqeve” (Çdo ‘mysliman’ quhej ‘turk’ nga serbët). Për dyzetë vjet me rradhë (1878-1918) shqiptarët u ndoqën sistematikisht, u poshtënuen nga kjo propagandë shnjerëzuese e cila i konsideronte “…krijesa të egra që kalojnë natën në pemë tue lidhë bishtin e tyne në degët e drujve.” (KM serb Vladan Gjeorgjeviq). Gazetari serb përparimtar, Dimitrije Tucoviq, shkruente:” ‘Të drejtat historike’ të Serbisë (mbi Kosovën,SR) shkuen edhe ma larg; ata ‘të drejta’ kërkojshin nji Kosovë pa shqiptarë…” Oficeri serb dhe deshmitar okular, Kosta Novakoviq, zbulonte: ”Ekziston dokumentacioni që konfirmon se vetëm gjatë vitit 1912, shqiptarët e masakruem nga ushtria serbo malazeze arrinë shifrën 12.777”.

Me 31 dhetor 1912, The N.Y.Times, me titullin “Nji lum gjaku” raportonte:

”…në marshimin e saj në tokët shqiptare, ushtria serbe nuk u ndal në sulmin e saj mbi popullsinë  shqiptare e pa armë dhe pa mbrojtje, mbi pleq dhe mbi gra, mbi fëmijë dhe mbi foshnje të posalinduna. Oficerët serbë, të dehun nga fitoret e tyne (mbi Turqit,SR) deklarojshin se mjeti ma efektiv për paqësimin e Shqipërisë do të ishte asgjasimi total i myslimanëve shqiptarë. Urdhëni i ditës u adoptue në heshtje nga ushtria serbe e okupacionit, dhe u zbatue plotësisht …..”

“Ka pasë njikohësisht edhe krematoriume barbare ku qindëra gra e fëmijë shqiptarë u dogjën për së gjalli…Përsëri, u provue se nji lëvizje rebele popullore, qoftë edhe nga fiset ma primitive ashtë gjithmonë ma shumë njerëzore se praktika e nji ushtrie të organizueme, të cilën shtetet moderne shfrytëzojnë me shtypë rebelimin” .(D.Tucoviq).  Shovinistët serb kanë qenë “Nazistë”.… avant la lettre!

Fondacioni amerikan Carnegie konfirmon:

“….Shtëpi dhe fshate të tana janë  reduktue në shkrum e hi, popullsia e pa armatosun dhe e pafajshme shqiptare ikën en masse, dhunë dhe akte të papërshkrueshme, grabitje, brutalitete të çdo lloji- të tilla kanë qenë mjetet që u përdoren, dhe që përdoren akoma, nga ushtarakët serbo-malazez, me nji qellim të caktuem: me ndryshue karakterin etnik të kësaj krahine, të banueme eksluzivisht nga shqiptarët”.(Report.Carnegie Endoëment for Internat. Peace, Ëashington, DC. 1914)

Kjo valë terrori nuk pushoi mbas mbarimit të L1B; me nji përjashtim. Jehona e krimeve serbo-malazeze tërhoqi vrejtjen e qeverive amerikane dhe britanike. Ndërsa në Paris (Francë) qeveria serbe reklamonte toka tjera shqiptare përtej kufinjve të Kosoves–me premtimin e “misionit qytetnues“(sic!)- në Kosovë vazhdohej pa ndërpremje asgjasimi i popullsisë shqiptare. Me 18 prill 1919, Sekretari i Shtetit amerikan, i shkruente kolegut tij në London, Lord A.J.Balfour:  “…Ambasada britanike në Ëashington ka informue Departmentin e Shtetit në lidhje me akuzat e masakrimit të shqiptarëve në Mal të Zi. ‘Gusia, Plava, Peja, Gjakova, Pozhuri dhe Rozhaja kanë qenë skena të terrorizmit dhe të vrasjeve nga ana e ushtrisë serbe dhe agjentëve serbë, qellimi i të cilëve duket se ka qenë çfarosja (“the extermination”) e popullsisë shqiptare në atë krahinë. Sinqerisht i jueji,

Robert Lansing” (The Paris Peace Conference,1919,vol.XII, 184.018/3)

Ma vonë, gjatë rregjimit monarkist jugosllav (1918-1941), shqiptarët e Kosovës nuk u lejuen me hapë shkolla ose qendra kulturore të çdo lloji; as sherbimet mjeksore e sanitare. Të vorfënuem ekonomikisht, deshprimi i popullsisë arriti kulmin. Vetëm gjatë viteve 1938-41, rreth 400.000 kosovarë, të uritun e të persekutuem emigruen në Turqi në kerkim të nji jete të sigurtë. Diskriminimi dhe persekutimi synojshin me largue popullsinë vendëse dhe me vendosë “kolonët serbë e malazez”. Tokët e shqiptarëve u zaptuen. Bagëtia u sekuestrue ose u ther sistematikisht, taksat u rritën jashtë çdo mundësie për pagesë; dhe akoma ma keq, shqiptarët u banë “free game” (gjuejtje e lirë) për policinë lokale dhe repartet ushtarake, spjegon Milovan Djilas. Ai shton:

”Ligji ra në dorë të matrapazve ma të pa fëtyrë dhe të paskrupulltë të njohun nga të gjithë në të gjithë Jugosllavinë…i gjithë llumi i shoqënisë serbe ekzistonte në trupin administrativ. Ata që dëshirojshin me u pasunue shpejt, mbushën kuadrot e administratës në Sanxhak, Kosovë, dhe Maqedon!”(Memoirs of a revolutionary)

Deputetët shqiptarë në Parlamentin e Jugosllavisë –Nazif Gafurri, Ramë Bllaca, dhe Sherif Voca,- u vranë ….! Akademia Serbe e Letërsisë dhe Arteve përgatiti dy Memorandume (1937 dhe 1944) nga shovinisti Vaso Çubrilovic, dhe nji të tretë nga diplomati serb Ivo Andriq (1941) tue përshkrue metodat ma efektive për dëbimin e shqiptarëve nga Kosova.

Në prill 1941, me kolapsin e plotë të ish-Jugosllavisë, Italia fashiste dhe Gjermania naziste pushtuen Kosovën. Nji administratë lokale u ngrit në kambë. Shkolla shqipe u hapen në shumë vende, spitalet filluen me funksionue. Me mijëra vullnetarë ofruen sherbimet e tyne ndertesës së re shtetnore. Për të paren herë në historinë e Kosovës banorët e vendit filluen me pranue barren e detyrës si qytetarë të lirë; ata merrshin në duert e tyne fatin e tyne, në vendin e tyne.

Paralel me këte përpjekje për krijimin e nji administrate vendëse kosovare, nji grup të rijsh kosovarë me tendenca komuniste, dhe të nënshtruem ndaj udhëheqsit jugosllav J.B.Tito, filloi nji rezistencë të armatosun kundër nazistëve. Për forcimin e pozitave të tyne politike, në fund të vitit 1943, grupi pro-komunist mbajti nji Konferencë në katundin Bujan (Shqipëri) dhe vendosi me avancue kërkesen e tyne për nji “bashkim me Shqipërinë” nji anatemë për të gjithë jugosllavët e të gjitha rrymave.  Ngjarjet që ndoqën gjetën këte grup si të vetmin trashëgimtar të pushtetit në Kosovë..…për pak kohë! Parimet e Deklarueme të Konferencës së Yaltës (1945) për Europën e Çlirueme nuk u respektuen nga rregjimi i ri jugosllav.”Të drejtat e të gjithë popujve me zgjedhë formën e qeverisë nen të cilën ata dëshirojnë me jetue…” nuk u përfill. Para nji situate të këtill, lufta e kosovarëve mori nji formë e dimension të ri: lufta për të drejtat demokratike, zgjedhje të lira, në rradhë të parë…. Kjo nuk ngjau edhe për faktin se Shqipëria, atdheu nanë, përqafoi nji qendrim servilizmi ideologjik e politik të neveritshëm ndaj pushtuesve jugosllavë. Kerkesës së Presidentit Roosevelt të shqyrtohet e ardhmja e Shqipërisë, kryeministri britanik, Ëinston Churchill u përgjegj:

”Unë mendoj se duhet të insistojmë mbi Greqinë dhe jo mbi Shqipërinë, sepse Enver Hoxha ashte nji sherbëtor besnik i komunistëve jugosllavë; prandej, nuk jemi në gjendje me ndërmarrë nji hap në këte drejtim pa dijeninë e Titos”. (Zeri- Prishtinë, 9 shkurt 1991, f.6))

Në Nandor 1944, forcat komuniste të Marshalit Tito pushtuen me forcë Kosovën që rezistoj me guxim të madh në nji luftë që nuk mund të fitohej. Ushtrimi i dhunës së fortë që komunistët jugosllavë përdorën në Kosovë shkaktoi nji kryengritje të armatosun që zgjati afër 6 muej. Rreth 30.000 shqiptarë moren malet të vendosun me mbrojtë premtimet e bame në kohën e luftës: për vetëvendosje mbas disfatës naziste. Besohet se numri i të vramëve shqiptarë arriti  30-40.000 për vitet 1944-48.

Në këto kondita terrori u vendos që Kosova të mbetet njisi autonome “pjesë përbamëse e Republikës Popullore të Serbisë”(Prizren, korrik 1945). Ka arsye me besue që kjo “autonomi” që shgënjeu shqiptarët, ka qenë bërthama e shtetit të ardhëm të Kosovës.

Që nga fillimi deri në ditën e çlirimit të Kosovës nga zgjedha serbe (qershor, 1999) ballafaqimi në mes të dy palëve të kundërta mori përpjestime përherë rritëse me rritjen e represionit serb e jugosllav, “… që përdorën masa ekstreme, që në shumë raste ndryshuen shumë pak nga masat e përdoruna prej autoriteteve te okupatorit gjatë luftës”. (Paul Shoup) Këto metoda represive u banë publike veçanërisht mbas demaskimit të kriminelit serb A. Rankoviq(1966), shef i policisë sekrete serbe.

Që nga ajo datë, shpresat dhe aspiratat e ushqyeme nga shqiptarët kosovarë filluen me marrë nji formë ma të konkretizueme dhe treguen veten me demonstrata dhe aktivitete të hapta kundërshtare, në kerkim të nji identiteti politik të pranueshëm e të njohun, eventualisht me pavarësi nga zgjedha serbe…. megjithëse akoma si njësi me të drejta të barabarta në Federatën Jugosllave. (Kushtetuta e vitit 1974) Demonstrata popullore dhe studenteske treguen se situata po keqësohej shpejt, dhe se zgjidhjet pjesore të problemit kishin konsumue kohën e tyne. Rruga ishte tashma e hapun për nji rezistencë që kërkonte pavarësinë e plotë të Kosovës.

Kjo lëvizje për pavarësi të plotë u drejtue me dinjitet e guxim nga klasa intelektuale e Kosovës, me nji udhëheqës paqësor e kambëngulës, Dr. Ibrahim Rugova, apostull i rezistencës aktive e paqësore, ma vonë President i Republikës së Kosovës (1992)-(Unë pata fatin e madh me e njohë dhe me bashkëpunue). Krahas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe “Qeveria kosovare e përkohëshme në emigrim”-Dr.Bujar Bukoshi kryeministër- mbushën mungesën e madhe të nji strukture shtetnore të “shtetit” në lindje…!

Në vitin 1995, përfundoj Konferenca e Dayton-it (SHBA) për zgjidhjen e problemit të Bosnje-Herzegovinës. “Problemi kosovar” u anashkalue, me rezultate katastrofike për shqiptarët. Lindi nevoja për nji rezistencë ma të fortë, qoftë edhe me mjete jo-paqësore, që të bindin bashkësinë ndërkombëtare se “problemi kosovar” duhet të trajtohet menjiherë dhe seriozisht. Në Kosovë, doli në skenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK), kryesisht e rinisë, e cila ngjalli nji entuziasëm të ri mbrenda dhe jashtë Kosovës. Me zhvillimin e ngjarjeve, aksioneve ushtarake, dhe nji fushate të fortë propagandistike nga të dy palët e rezistencës kosovare, sidomos në SHBA dhe Europë, “problemi kosovar” zuni vend në tryezat diplomatike. Në Kosovë, vrasja barbare e 51 anëtarëve të familjes Adem Jashari (Prekaz, Mars, 1998)- symbol i rezistences se armatosun,- dhe ofensiva serbe që detyroi ma shumë se nji miljon kosovarë me u arratisë në vendet fqinje, kryesisht në Shqipëri, krijoi nji atmosferë urgjente për zgjidhjen e problemit.

Serbët sulmuen katundin Reçak dhe “masakruen” mizorisht 45 fshatarë (njeni 12 vjeçar!). Gjendja e krijueme detyroj Fuqitë e Mëdha me ndërhye. Në Rambouillet (Francë) Sekretarja e Shtetit, M.Albright dhe ambasador R. Holbrooke organizuen nji Konferencë për shqiptarët dhe serbët, pa rezultate të dukshme. Megjithate, kosovarët formuen nji qeveri koalicioni nën drejtimin e Hashim Thaçit, udhëheqës politik i UÇK-së. Kosovarët u kthyen përsëri në Paris (15 mars 1999) mbasi u pranue formula se “vullneti i popullit” don të thotë “referendum” praktikisht pavarësi për shumicën dërmuese shqiptare të Kosovës.

Nji tentativë e fundit për nji zgjidhje të problemit u ba në mars 1999, pak ditë para bombardimit të NATO-s. Gjenerali amerikan Ëesley Clark, komandant i forcave të NATO-s gjatë nji vizite në Beograd me bindë Presidentin serb Millosheviq të hiqte dorë nga persekutimi i kosovarëve, pati këte dialog:

-“Milosheviq: Gjeneral, përse kujdesoheni kaq shumë për shqiptarët? Na e lini neve këte problem….Na dijmë si ta zgjidhim. E kemi ba edhe ma pare .

-Gjen. Clark; Si mendoni ju me e zgjidhë, z. President?

-Milosheviq; Na i vrasim të gjithë...!

-Gjen. Clark: Z. President, ashtë pikërisht kjo që na nuk do të lejojmë…”

(Nga kujtimet e Gjen. Ëesley Clark)

Serbët refuzuen pjesëmarrjen në bisedime. NATO filloi bombardimin 78 ditor deri në disfatën serbe. Gjatë këtyne 78 ditëve :

    “…paramilitarët serbë shumica e të cilëve ishin persona të liruem nga burgu me konditë që të sherbejshin në ushtri, u lëshuen rreth e rrotull Kosovës tue vra, grabitë, dhunue dhe djegë shtëpitë e boshatisuna…. Nji nga pikësynimet e Milosheviqit duket se ka qenë dëbimi i sa ma shumë shqiptarëve kosovarë që të ishte e mundun” (Tim Judah)

Bombardimi i NATO-s u ndal me 10 qershor 1999, dhe trupat e NATO-s hynë në Kosovë. Kosovarët u kthyen në vatrat e shkrumueme. Numri i viktimave civile kosovare tejkalon shifrën 12.000! Ma shumë se 2.000 femna shqiptare u dhunuen….!

“Ata kurrë mos u harrojshin/Në kangë e në valle por u këndojshin!” (A.Gj.Fishta)

Jashtë Kosovës, shqiptarët pa dallim u mobilizuen dhe ndermorën inisiativën me paraqitë “problemin kosovar” para Botës së Lirë dhe diplomacisë ndërkombëtare, kryesisht amerikane. Kongresi amerikan kaloi shumë Rezoluta me thirrje për ndalimin e terrorit në Kosovë. Ambasadori Ë.E.Ryerson e vlerësoi këte veprimtari të diasporës shqiptare në Amerikë si vijon:

”….Pa dyshim, krediti për çlirimin e Kosovës ashtë i Sekretares M. Albright për sensin e saj me njohë të drejtën, dhe për aftësinë e saj me bindë bosin (Presidentin Clinton SR) dhe kolegët e saj me veprue, e jo vetëm me fërkue duert. Megjithate, ajo nuk do të kishte dalë fituese sikur ju, dhe të tjerët si ju, të mos kishin punue me durim për edukimin e publikut amerikan, dhe ma me randësi, me edukue udhëheqsit tonë politik, mbi seriozitetin e problemit që krijohej nga shtypja serbe e shqiptarëve (në Kosovë). Ju keni të drejtë me qenë kryenaltë për sukseset e jueja . Ju nuk e kryet këte sherbim vetëm, por unë dyshoj se pa përpjekjet e jueja të gjata udhëheqsit politikë amerikanë do të kishin veprue ashtu si vepruen.”

(Letter. Ryerson to Repishti, 5 shtator 2001)

Narrativa e jonë ka pasë tre boshte kryesore: a) dokumentimin e krimeve serbe në Kosovë me saktësi e hollësi, b) kërkesën urgjente që këto krime të ndalohen, dhe c) pavarësinë e Kosovës si nji domosdoshmëni historike. Puna e jonë u kunorëzue me sukses!

Nji proces i gjatë i mbarështrimit dhe ringjalljes ekonomike të strukturës kosovare me ndihmën e UNMIK-ut filloi në Kosovë, me hjedhjen e hapave të parë të shtetit/protektorat i OKB-së të Kosovës. Me 17 shkurt 2008, “protektorati” mbaroi dhe u shpall zyrtarisht Republika e Kosovës, shtet i lirë, i pavarun dhe demokratik, sot i njohun nga 115 shtete të botës.

******

Ashtë nji ironi e hidhun e historisë së popullit kosovar: çdo herë që serbët kanë paraqitë “zgjidhje” për problemin kosovar, ata kanë përdorë të njajtin ”ilaç”: “çfarosjen fizike të shqiptarëve në Kosovë”, shprehje që na kujton holokostin e Luftës 2 Botënore, dhe krematoriumet. Nji mendje normale nuk ashtë në gjendje me konceptue, e nji zemër njerëzore nuk ashtë në gjendje me perballue…e ndoshta as me falë këte qendrim kaq anti-njerëzor! E megjithate, vetëm pak ditë ma parë, ministri serb i mbrojtjes deklaroi se Serbia ka blerë raketa që arrijnë ”edhe cepin ma të largët të Kosovës” Çfarosje? Përsëri cfarosje? Ky ashtë sot trashëgimi i tmerrshëm historik i Kosovës. Kjo ashtë panorama që përballojnë sot kosovarët!

Vitet e fundit mbas pavarësisë (2008-2018) kanë qenë vite të vështira për ndërtimin e shtetit të ri. Pa eksperiencë në qeverisje, pa kuadro të nevojshme për administrimin e vendit, pa të ardhuna të mjaftueshme me përballue nevojët e shoqënisë kosovare, udhëheqja kosovare ka ra viktimë e ndasive partiake, bindjeve politike të ndryshme, dhe frymës agresive të elementit “luftarak”. Rezultati ka qenë mbrapambetja e Kosovës në fushën politike, ekonomike, arsimore e kulturore, dhe  smundja e korrupsionit të pafre…kapitalizëm pa mend me fluturim në defrime!

   Shoqënia kosovare jeton sot me mungesa të mëdha, dhe funksionon në nji atmosferë të padëshirueshme. Me gjithë të metat objektive që pengojnë zhvillimin, ashtë përshtypja e përgjithëshme se “fajtori” kryesor ashtë faktori “njeri”, dhe se shqiptarët në Kosovë nuk kanë gjetë akoma rrugën e duhun e vullnetin e fortë me tejkalue apelin ideologjik, për hir të interesave kombëtare, sidomos atë të bashkimit shpirtënor sot, e politik nesër …... Nji qendrim i këtill ashtë veçanërisht i theksuem në ditët e krizave politike të njimbasnjishme që Kosova kalon me dame të pallogaritëshme për vendin. Në këto momente, grindjet ideologjike janë krejtësisht të dorës së fundit, dhe nji luks që nuk i nevojitet Kosovës …..varrezë e mijërave dhe shtëpi e vorfnueme e dy miljonë qytetarëve.

Ashtë përshtypja e përgjithëshme se Kosova duhet të krijojë nji identitet kolektiv gjithëkosovar (jo krahinor!), nji besim të përbashkët për të ardhmen, nji bindje që synon bashkimin e të gjitha forcave të vendit. Ideja e bashkësisë ka peshën e vet magjike. Nji identitet i këtill duhet të jetë modern, përtej vlerave tradicionale, diçka e re dhe e ndryshme. Ashtë nji thymje me të kaluemen e ngushtë patriarkale, diçka inteligjente dhe krijimtare, qoftë edhe vlerë e marrun nga kulturat tjera.

 Synimi i demokracisë liberale në shoqëninë kosovare duhet të jetë “ndihma” për popullin që kerkon kontrollin e jetës së individit nga individi vetë, e mbrojtjes së tij kundër efekteve të kolektivizimit absorbues. Ky fuqizim individual ashtë versioni modern i pavarësisë. Struktura shtetnore ekziston vetëm e vetëm me mundësue potencialin maksimal të pjestarëve të shoqënisë.  Asgja ma shumë!

Ashtë përshtypja e përgjithëshme se demonizimi i kundërshtarit në Kosovë ashtë anti-demokratik, elementi ma damtues i shoqënisë kosovare. Na duhet nji Kosovë që ndërton të ardhmen e lirë nga hijet e zeza të së kaluemes tragjike.(sous peine de mort!)

Unë mendoj se përparimi i “shtetit” dhe “shoqënisë” kosovare do të vijë vetëm kur çdo qytetar kosovar do të dëshiroj të ardhmen e fëmijve të vet ma shumë se urrejtjen për kundërshtarin…. Dhe këte ditë e uroj me gjithë shpirt.

Dhe jam përsëri optimist! Nji botë premtuese pret popullin e Kosovës; le ta përqafojmë!

-----------------------------------------------------------------------------------------------------------

* Dekorue, nga Presidenti Rugova, me “Medaljen e Artë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit” (2003). Bashkëthemelues dhe presidenti i parë i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (1996-98)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat