Pushtetarët e pabesë karshi qytetarëve naiv!

Opinione

Pushtetarët e pabesë karshi qytetarëve naiv!

Nga: Betim Kelmendi Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 17:30
Betim Kelmendi

Gjatë muajve të fundit vendosa që t’i rilexoj ca vepra të autorëve shqiptar. Vepra, të cilat i kam lexuar pothuajse para dy dekadash apo edhe tri ndoshta. Mbrëmë teksa po e lexoja veprën “Historia e Skënderbeut” të Naim Frashërit, më ra në sy poezia: Krujë o qytet i bekuar.

Që në vargjet e para të kësaj poezie, m’u përfshi fytyra nga një qeshje e lehtë ironike. Kruj’, o qytet i bekuar, Prite, prite Skënderbeun, se po vjen si pëllump i shkruar, të shpëtonjë mëmëdhenë. Duke u nis nga rregulli universit që çdo gjë e mirë e ka edhe të keqën e saj, si dhe çdo e keqe e ka të mirën, mendoj se, as poezia e Frashërit, s’i shpëton këtij rregulli.

Në kuptimin që, në njërën anë poezia në fjalë, ka shërbyer për t’u ngrit moralin të stërnëpërkëmbur shqiptar por në anën tjetër, kam përshtypjen se na ka lanë pasiv. Pasiv ngase, shoqëria jonë, siç duket akoma është në pritje të “Skënderbeut” për t’i shpëtuar, jo nga ndonjë armik i jashtëm, por nga vetvetja. Gjendja morale e popullit tonë ka qenë, është dhe kam frikën se do të jetë mish/mash në kuptimin negativ edhe në të ardhmen.

Çlirimi nga okupatori është i zorshëm. Por jo me i zorshëm se çlirimi nga vetvetja.

Çlirimi nga vetvetja bëhet duke vënë vetës pasqyrën përpara dhe duke i bërë pyetje: kush je dhe se për çfarë bëhet fjalë?

Duke e analizuar e shtjelluar gjendjen në të cilën ndodhemi, më lind pyetja: a jemi ne, populli bashkëfajtor të kësaj situate??

Unë them që po, jemi.

Populli shqiptar, më shumë se sa patriot, kam përshtypjen se përbëhet me të pabesë, mashtrues dhe vetiak.

Mjafton t’a lexosh Fan Nolin ku ndër të tjera, për Ismajl Qemajlin thotë se japi tokë grekut për t’a mbajt pushtetin.

“Për të nisur me Ismailin-se, siç thotë fjala frënge “a tout seigneur tout honneur” - si mor Shqipëtarë pikë-varë e të humbur, i kini besë këtij njeriu dhe e dërgoni në Parllament? Përse nukë hithni një sy mi jetën e tij të shkuar, që është një Iliadë çarllatanirash, batakçillëkesh, dhe tradhëtirash? Përse nukë pyesni ç’ka bërë për Shqipërinë gjer më tani?

A është nevoje të ndyj pendën që t’u’a thom unë? Ky kallpozan s’ka bërë në jetë të tij tjatër gjë veç të shesë pyje të Shqipërisë në kumpanira italiane, kongresë dhe kryengritjera Liberalëve, dhe të gënjejë Grekët duke u falur Epirin”, shkruan Noli.

Pa hy tek këta t’sotmit që falin detëra e falin tokë për t’qëndruar në pushtet.

Historia tregon qartë se më shumë se ç’na kanë dëmtuar të tjerët, ne kemi dëmtuar vetën. Asnjëherë respekt për t’ndershmin, gjithnjë respekt për të pandershmin. I’u kemi kënduar dhe i kemi puth durët kriminelëve e gangsterëve. Pikërisht ata që kanë lujt me ndjenjat tona dhe kanë bërë pazare me trojet tona, janë vënë në “krye t’odës”. Kështu ka ndodh n’t’kaluarën tonë, e kështu, sic e shohim, po ndodh edhe tani. Hajt, po themi që, unë jam krejtësisht gabim dhe se e vërteta është krejt ndryshe. Po të ndalemi pak e t’shohim se c’kanë thënë rilindasit që para 100 vitesh, do t’shofim se, s’ka ndryshuar gjë për t’mirë. Pra, në vend se, ato shtrëngata dhimbjeje të shkruara në letër nga rilindasit shqiptar para 100 vitesh, të ishin t’ruajtura diku në muze, ato janë edhe sot aktuale, e qe besa, druaj se do t’jenë edhe në të ardhmen. E kur e mendon që po bëhet fjalë për gati një shekull, për nder, t’rrotullohet barku nga dëshpërimi. 1 vit e 2 janë shumë, e lëre më një shekull. Ironia është se, të gjithë patriotët e shquar shqiptar, janë vrarë e prerë, po nga shqiptarët. E dhimbshme apo jo?! Kështu është vrarë Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri e plot e për plot të tjerë…

Po kështu, janë vrarë po nga shqiptarë edhe ca patriot tjerë të shquar, në fundshekullin e kaluar.

Këtë, e kam përjetuar në palcë. Fati im i keq, është se këtë konkluzion e kanë nxjerr edhe autor të shumtë e qe besa, s’do fort mend për t’parë se, edhe ti e merr si t’vërtet.

Mendoj që n’a duhet urgjentisht, është reflektimi. Reflektimi me vehtën.

Ka thënë një herë dikush se njeriu është mësuesi më i mirë i vetës. Mjafton për t’patur dëshirë për t’u përmisuar.

Të mos i’a duam të keqën njëri tjetrin. Të mos e paragjykojmë tjetrin. Të mos kemi inate e dashakeqësi ndaj tjetrit. T’a duam tjetrin sic do t’donim vetën. Të mos zgjohemi në mëngjes me idenë se si t’a vjedhim shtetin. Të dënojmë politikanët korruptiv. T’a duam shtetin tonë, vetën tonë, njerëzit tanë.

Në qoftë se nuk ka reflektim, atëherë do t’vazhdojmë të mbesim në pritje të “Skënderbeut” që s’do t’vjen kurrë.

Njëjtë sic ka thënë Konica një herë e dikur:

Duke parë dhe duke dëgjuar, bota mësojnë ment dhe ndërtohen. Ne shqiptarët s’marrim dot mësime; malet të tunden dhe të rrëkëllehen, ne nuk e ndryshojmë mënyrën tonë. Mbani mirë këtë që po u thom: në njëqint vjet, në vafshim si vemi, do të jemi aqë poshtë sa dhe sot.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat