Pse mos ta duam njërin flamur dhe ta respektojmë tjetrin?

Opinione

Pse mos ta duam njërin flamur dhe ta respektojmë tjetrin?

Nga: Shkelzen Marevci Më: 14 shkurt 2018 Në ora: 10:47
Shkelzen Marevci

Kosova para dhjetë vitesh shpalli pavarësinë, dhe si shtet i pavarur domosdoshmërisht është dashur ta ketë flamurin. Ky fakt, pra flamuri i Kosovës ka ndikuar në një forme në rivalitetin e flamurit kombëtar dhe ka provokuar tema me mendime pro dhe kundër sa të duash. Por si duhet të veprohet në këtë rast?

E para, mendimet e atyre që janë pro vendosjes në vende të ndryshme të flamurit kombëtar duhet respektuar, ngase flamuri kombëtar mban gjallë një emocion dashurie të papërshkueshëm tek shumë shqiptarë, ngase për shumë kohë shqiptarët e të gjitha trojeve kanë qenë të lidhur aq fort për këtë flamur, saqë kanë dhënë më të dhimbshmen për të. Prandaj, mendoj se duhet mirëkuptuar të gjithë ata që kanë mendimin se duhet të dominoj flamuri kombëtar para atij shtetëror.

E dyta, flamuri i shtetit të Kosovës ka ardhur si pasojë e shumë sakrificave dhe gjakderdhjeve, edhe pse gjatë procesit të çlirimit të Kosovës nuk është menduar se do të dal në skenë një flamur tjetër nga ai kombëtar. Megjithatë, për dallim nga dashuria që kemi për flamurin kombëtar, flamurin e shtetit të Kosovës duhet me çdo kusht së paku ta respektojmë, ngase mosrespektimi dhe  mohimi i tij dëshmon për prezencën e mendimit të mosrespektimit apo mohimit të shtetit të Kosovës, ngase është absurde të thuhet se i dua dhe respektoj institucionet dhe shtetin e Kosovës dhe në të njëjtën kohë t’i urresh simbolet e po atij shteti!

Përfundimisht ne si shqiptarë kudo që jemi, duhet që, të vazhdojmë ta duam ashtu siç e kemi dashur dhe ta ruajmë në vazhdimësi flamurin kombëtar dhe ta respektojmë e ta ruajmë flamurin shtetëror, ngase për të dy është derdhur djers e gjak kohë pas kohe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat