Dy data historike të “Pavarësisë së Kosovës”, njëra verës e tjetra dimrit!!!

Opinione

Dy data historike të “Pavarësisë së Kosovës”, njëra verës e tjetra dimrit!!!

Nga: Msc. Adem Lushaj Më: 13 shkurt 2018 Në ora: 21:38
Msc. Adem Lushaj

Jemi në prag të festimit të 10-vjetorit të “pavarësisë” së Kosovës. Dhjetë vite më parë, (17 Shkurt 2008), Kuvendi i Kosovës, me deklaratën e lexuar nga ish kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte shpallë Kosova si shtet i pavarur dhe demokratik. Pra, të shtunën (17 Shkurt 2018), mbushën dhjetë vite nga kjo ngjarje e madhe historike, e përkrahur edhe nga disa shtete të Bashkësisë ndërkombëtare. 

Por, shqiptarët në Kosovë, çdo vit shënojnë dy data historike që kanë të bëjnë me shpalljen e “pavarësisë” së Kosovës. Bile, njëra është shpallë gjatë stinës së Verës, e tjetra të Dimrit! Që të dyja kanë specifikat e tyre.

Para njëzet e tetë vitesh (2 Korrik 1990), me deklaratën e lexuar nga Muharrem Shabani, deputetët e Kuvendit të atëhershëm të Kosovës (edhe pse nën masa të dhunës shtetërore serbo-sllave, dhe pa ndonjë përkrahje legale nga bashkësia ndërkombëtare), kishin marr vendim që Kosovën ta shpallin “Shtet të Pavarur”, e që njihet si, “Deklarata e Pavarësisë”. Pas kësaj, ka pasuar edhe “Kushtetuta e Kaçanikut” dhe “Referendumi për pavarësi”. Edhe këtë ngjarje, shqiptarët (ndoshta ka të atillë që nuk e njohin) e vlerësojnë si ngjarje historike, në rrugëtimin e tyre për liri dhe demokraci.

Edhe pse në mendjet dhe zemrat tona, janë dy data të ndryshme për të njëjtën ngjarje, këto kanë edhe specifiket e tyre, e që mund të thuhet se janë të ndryshme. Përderisa, para dhjetë vitesh kjo ngjarje ishte në koordinim të hapur me faktorin ndërkombëtar (SHBA-të) dhe pa presion të dhunës shtetërore serbo-sllave, ajo e para njëzet e tetë vitesh, ishte ngjarje e shënuar para dyerve të këtij Kuvendi, dhe nën kërcënimin ushtarako-policor të asaj kohe.

Funksionimi i institucioneve të asaj kohe (Parlamenti dhe Qeveria), të prira nga ish presidenti ynë, dr. Ibrahim Rugova, ishte vënë në vështirësi nga presioni dhe dhuna që ushtrohej nga terrori shtetëror i asaj kohe. Mirëpo, përkundër dhunës dhe represionit, këto institucione merrnin vendime, pa pyetur Qeveri apo institucione të shteteve armike. Ndërsa tash, në këtë kohën e pavarësisë që kemi, do kisha dëshirë të di, se cilat vendime merren pa ndërhyrje ndërkombëtare dhe pa pyetur qeverinë e Serbisë.

Në atë periudhë të vështirë të historisë sonë krenare, kishim shpresën se e ardhmja ishte për Ne, për lirinë dhe demokracinë e plotë të këtij vendi. Edhe pse ishte e vështirë të kalonte ditë pa maltretime, burgosje dhe vrasje, kishim vetëbesim dhe unitet, ngase ishte në ballë të zhvillimeve, dr. Ibrahim Rugova, njeriu me vizion të qartë, lideri i shqiptarëve të asaj kohe.
Tash pas dhjetë vitesh të pavarësisë, me të gjitha institucionet funksionale dhe prezencën ndërkombëtare, tek qytetarët mbretëron zhgënjimi, krimi dhe korrupsioni, e të menduarit për ikje nga ky vend, duke bërë që shpresa që kishim dikur, të jetë e heshtur.

Pra, janë dy data, (dy ngjarje) të mëdha historike për Kosovën, në të cilat Kosova shpallët “shtet i pavarur dhe demokratik”!? Urime “Pavarësija e Kosovës”!

Autori është drejtor i “Shoqata e Intelektualëve të Pavarur” Deçan.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat