Agjërimi për njerëz serioz që duan ndryshime praktike

Opinione

Agjërimi për njerëz serioz që duan ndryshime praktike

Nga: Dedë Palokaj Më: 13 shkurt 2018 Në ora: 08:26
Dedë Palokaj

Koha e Kreshmëve në Kishën Katolike fillon nesër. Është kohë pendese dhe agjërimi, kohë e zgjimit shpirtëror në frymën e ungjillit dhe të kthimit kah Zoti kur kërkohet të ruhet dhe të mbrohet dhurata e lirisë kundër çdo gjëje që e dëmton dhe që e paralizon jetën tonë për t’i shërbyer Zotit dhe njeriut me dashuri. Fjala shqipe kreshmë, rrjedh nga gjuha latine quadragesimae, e cila haset edhe në disa gjuhë romane (fr.carême, it. quaresima, shpanisht, cuaresma) dhe do të thotë ketërdhjetëditore, në kuptimin e katërdhjetë ditëve të agjërimit para festës së Pashkëve. Prej fjalës kreshmë, kemi edhe foljen kreshmoj dhe mbiemrin kreshmor që tregojnë mënyrën e të ushqyerit, në këtë kohë për të krishterët dhe sjelljen e tyre. Gjuha shqipe ka edhe fjalë të tjera si psh.: ninesë (njënesë), ninim, ngjinim, agjërim bashkë me foljet ninoj, ngjinoj, agjëroj që janë shumë më të përdorura për agjërimin te populli.

Agjërimi mundet të jetë, por edhe të mos jetë i lidhur me fenë. Atëherë kur bëhet zhurmë rreth ushqimit, kur flitet vetëm për dobitë që sjell agjërimi shëndetësor dhe truporë etj. agjërimi i tillë s’ka lidhje me fenë. Sepse agjërimi nuk është të qenunit i uritur dhe i etur, por në radhë të parë është çështje shpirtërore që i përket tërë qenies sonë. Agjërimi nuk është vuajtje nga uria, të keshë përpara vetes tryezën e mbushur me ushqime, e të mos duash të hashë. Ç’kuptim ka të jesh i uritur për ushqim, kurse të tjerët t’i sulmosh si krokodil i uritur. Cili kishte me qenë mëkati: Të hashë një pleskavicë në kohën e agjërimit apo të shashë dhe të ofendosh dikën gjithë ditën mbarë e mbrapshtë? Të mos hashë ditën e të vjedhsh natën? Ta prishesh urinë apo ta ruash dembelinë? Të mos hashë asgjë apo të thurësh intriga? Të përmbahesh nga ushqimi apo të largohesh nga e keqja?…

Shumë besimtarë agjërimet mund t’i kuptojnë si mohim të ushqimit dhe të pijeve të ndryshme. Një agjërimet e tilla nuk dallohen nga dieta, sepse është në nivelin e trupit. Agjërimi në radhë të parë nuk është çështje e trupit - preokupim me trupin dhe ushqimin e përditshëm, nuk është dietë as grevë urie, por mbi të gjitha është mundësi e përshtatshme për t’ju ofruar shpirtit për tu kthyer kah Zoti. Siç duket ai që mbanë dietë dhe ai që agjëron shpesh e bëjnë të njëjtën gjë. Por, dallimi është ky: Ai që mbanë dietë preokupohet me trupin e vet, ndërsa ai që agjëron, preokupohet me Zotin duke e vënë Atë në vendin e parë.

Duhet dalluar agjërimin nga ajo që nuk ka të bëj asgjë me agjërimin, si p.sh. heqja dorë për një kohë të caktuar nga kafja, duhani, droga, alkooli, televizori, etj. Krejt kjo është gjë e mirë dhe e dobishme, por kjo ende nuk ka të bëj me agjërimin në kuptimin e plotë të fjalës, për arsye fetare dhe shpirtërore. Agjërimi krishterë nuk e ka në planin e parë mohimin e gjërave materiale. Plani i parë i agjërimit është hapi drejt vetvetes. Për çfarë arsye? Për t’i dhënë kohë vetes, shpirtit tonë njerëzor që pa ngarkesat e trupit t’i afrohemi Zotit, për të liruar hapësirën e brendshme të shpirtit nga errësira e së keqes, për takim me Zotin. Sepse nuk ka shkretëtirë më të madhe se shkretimi i shpirtit njerëzor. Agjërimi është takim me vetveten për ta mposhtur atë që është negative dhe e keqe brenda nesh që bëhet pengesë në mes nesh dhe Zotit. Kur i vërejmë këto pengesa, atëherë me hirin e Zotit agjërimi mund të na shërbejë si mënyrë për t’i larguar pengesat në udhën e Zotit. Pra, agjërimi nuk    është të hashë peshk e jo mish apo ushqime tjera kreshmore. Agjërimi është punë serioze me veten, është për njerëz serozë. Në esencë, agjërimi krishterë është lutja – komunikim me Zotin. Ndodh që gjatë 40 ditë agjërimi, të heqësh dorë nga duhani, alkooli, droga dhe ushqimet tjera, kurse pas Kreshmëve të vazhdohet me të vjetrën sikur asgjë të mos ketë ndodhur. Kam mbajtur 40 ditë agjërim duke hequr dorë nga shumëçka, në fund vazhdoj të mbetëm i varur nga narkotikët: duhani, alkooli, droga dhe varshmëritë tjera. A është ky agjërim? Ç’kuptim ka një praktikë e tillë agjëruese? Agjërimi është “projekt” për tërë jetën tonë.

MOS GËNJE VETEN DUKE BËRË KOMPROMIS ME TË KEQEN

 Kujdes! “Mbi të gjitha, mos gënje veten. Njeriu që genjen veten dhe dëgjon gënjeshtrat e tij, vjen në një pikë që s’mund të dallojë të vërtetën brenda tij dhe rreth tij, dhe kështu ai humb gjithë respektin për veten dhe për të tjerët. Dhe duke mos patur respekt për veten dhe për te tjerët ai nuk është më njeri i dashurisë” (F. Dostojevski). Mos eduko veten keq duke agjëruar si paganët dhe duke bërë kompromis me të keqen. Nëse shpirti ynë është i mbushur me dashakeqësi, mendjemadhësi, dyfytyrësi, urrejtje, xhelozi, fanatizëm, kokëfortësi, mizori, mosfalje dhe mospajtim etj. atëherë trupin tonë e ‘rrahim’ dhe e lodhim kot me agjërim trupor. Mund të themi si farisenjtë: kaq ditë kemi agjëruar, nuk kemi ngrënë as nuk kemi pirë duke u përqendruar tek ushqimi dhe nevojat trupore dhe materiale, por kjo nuk vlen asgjë, nëse nga njeriu i egër dhe i keq nuk jemi bërë më të mirë, më të dashur dhe më të butë. Agjërimi nuk është vetëm heqja dorë nga ushqimet dhe pijet e ndryshme. Agjërimi krishterë nuk është qëllim, por mjet për ta arritur qëllimin e ekzistencës sonë, i cili është Zoti. Nuk është edhe aq e rëndësishme se në çfarë mënyre agjërohet, por qenësore është përkushtimi, kthimi i përhershëm kah Zoti për ta ndërruar jetën, pastaj shprehja e devotshmërisë, falënderimit dhe dashurisë ndaj Zotit. Jezu Krishti duke parë formalitetin e agjërimit të bashkëkohanikëve të vet këshillon: “Kur të agjëroni, mos u mrrolni porsi shtiracakët, të cilët marrin një hije të rëndë në fytyrë për tu treguar njerëzve se po agjërojnë: përnjëmen po ju them: u ndanë veç me atë shpërblim! Ruajuni prej skribëve të cilët u ka endja të shetisin në petka të gjata e të kërkojnë t’i përshëndesin njerëzit nëpër sheshe, të zënë selitë e para nëpër sinagoga, kryet e vendit në gosti” (Mt 6:16; Lk 20:46).

Agjërimi krishterë, është stërvitje e vullnetit. Qëllimi i agjërimi nuk është për të arritur një entuziazëm religjioz për shkak se kemi agjëruar dhe plotësuar një obligim të detyrueshëm si një kontratë zyrtare ku palët detyrohen të nënshkruajnë një amendament apo një kontratë të re pune. Agjërim i tillë është agjërim farisenjësh lajkatar dhe shtiracak për t’u treguar meritorë përballë Zotit dhe për t’u admiruar nga të tjerët. Ky agjërim shton rrezikun për t’i gjykuar të tjerët që nuk agjërojnë. “Pse nxënësit tu nuk i përfillin mësimet që na i lanë të parët? Sepse nuk i lajnë duart para se të hanë bukë!” (Mk 2, 18; Mt 15, 2).

Agjërimi nuk i duhet Zotit, por na duhet neve, për ta ushtruar përkushtimin, zellin dhe vullnetin tonë, për ta bërë më të fortë dhe më cilësor. Zoti, i cili është dashuri, nuk bëhet me i kënaqur, më i lumtur as më i impresionuar me agjërimin tonë. Duhet agjëruar me tërë qenien tonë, si person shpirtëroro – truporë, e jo vetëm pjesërisht, nga ushqimet dhe pijet. Një agjërim – ndalim nga ushqimi dhe pijet etj., mund t’ju imponohet edhe kafshëve. Agjërimi i tillë është nënshtrues dhe skllavërues që njeriun nuk bën më të mirë dhe më të lirë sepse është vetëm trupor që nuk e përfshinë gjithë qenien tonë. Njeriu, qenia më e dashur në botë, nuk mëkaton vetëm me trup, por me vullnetin e vet të lirë. Ashtu si në mëkat që merr pjesë edhe shpirti edhe trupi, është e nevojshme që edhe në virtyt dhe në çlirim nga mëkati, të marrin pjesë që të dy. Jezusi thotë: “S’ka asgjë përjashta njeriut që mund ta bëjë atë të papastër duke hyrë në të, por çka del prej njeriu – ajo e bë të papastër” (Mk 7. 15 – 16). Në çastin e rënies në mëkat, gjymtyrët tona nuk janë “fajtor”, por janë sakrificë e pafajshme e përdorur keq në kundërshtim me të mirën, ndërgjegjen, lirinë dhe dashurinë e Zotit. Mu për këtë, në jetën fetare, agjërimi trupor nuk ka kurrfarë kuptimi nëse nuk është i lidhur me agjërimin shpirtëror. Shën Gjon Gojarti thotë: “Mashtrohet ai njeri i cili konsideron se agjërimi është vetëm të përmbajturit nga ushqimi. Agjërimi i vërtetë është largimi nga e keqja (mëkati), të përmbajturit në të folur, të hequrit dorë nga lakmia, nga shpifjet, gënjeshtrat etj. Ti mban Kreshmë (agjëron)? Tregoje me vepra. Çfarë veprash? Kur shikon ndonjë të varfër, ndihmoje. Kur shikon armikun tënd, të pajtohesh dhe të bëhesh mik me të, të mos shashë, të mos shpifësh, të mos vjedhësh, të mos bësh padrejtësi, të mos mbash nëpër gojë njerëzit, etj. Me fjalë tjera, nuk duhet të mbajë kreshmë vetëm goja, por edhe syri, edhe veshi, edhe këmbët dhe të gjitha pjesët e trupit tënd. Ti thuan: unë nuk ha mish? Mirë bën, por mos i lër sytë e tu të hanë imoralitet dhe paturpësi.”

I KEMI HEQUR MASKAT E HIPOKRIZISË APO JO?

Kreshmët na ndihmojnë të krijojmë disiplinë personale për të përforcuar lidhjen dhe dashurinë tonë me Zotit dhe me njëri - tjetrin. Kreshma e krishterë na lidhë me Kreshmën e Jezu Krishtit në shkretëtirë i cili është model i agjërimit dhe s’është tjetër veçse të hysh në shkretëtirën e brendshme të shpirtit për tu përballur me këto tundime për të fituar veten në vetvete: bukën; shëndetin; duresën; pushtetin dhe jetën.

Kjo është koha e kthimit për të rivendosur dialogun e ri me Zotin – rrugëtimin për liri të vërtetë. Agjërimi truporë pa agjërim shpirtërorë është vetmundim, një dietë shëndetësore – agjërim farisenjësh për t’ju rënë në sy njerëzve tjerë. Agjërimi nuk është vetëm të mbyllësh gojën nga ngrënia e ushqimit, por gjithashtu të mbyllësh gojën nga të folurit keq, sytë nga të shikuarit keq, veshët nga të dëgjuarit keq, mendjen nga të menduarit keq dhe duart nga të bërit keq, për të mos u ndotur me korrupsionin, vjedhjen dhe grabitjen. Kreshmët kanë qëllim edukues për tu përmbajtur nga e keqja. Qëllimi i Kreshmëve është kthimit rrënjësorë kah Zoti e jo vetëm të qenunit i uritur.     

Pa disiplinë nuk fitohet asgjë. Jeta është shkollë e disiplinës që nuk mund ta përdorim si gomën për t’i shlyer gabimet. Hipokrizia e njeriut ka shumë fytyra. Prandaj, duhet pyetur veten: I kemi hequr maskat e hipokrizisë apo jo? Çfarë fshihet pas maskave tona: pas fjalës, paraqitjes publike, buzëqeshjes, mirësisë, drejtësisë, dashurisë, religjionit dhe moralit të rrejshëm? A jemi ujq të egër që sulmojnë të tjerët për shkak të egërsisë së brendshme apo jemi qengja të butë? Sepse zemra e njeriut është si bishë egër, që vetëm kthimi rrënjësorë kah Zoti mund ta zbus atë.

Kuptimi thelbësor i agjërimit krishterë nuk është antropocentrik (përqendrim në njeriun) por teocentrik (përqendrim në Zotin). Të agjërosh donë të thotë jesh i lirë për t’i shërbyer Zotit dhe njeriut. Të agjërosh pa përpjekje në virtyt është tërësisht e punë e kotë. Mu për këtë Kreshmët e krishtera janë kohë heshtje për të menduar më thellë, kohë lutje, agjërimi, pendimi, vetëmohimi etj. kohë kur nuk bëhet zhurmë, paradë dhe marketing rreth ushqimit si formë dhe mënyrë e agjërimit. Sepse krishterimi e ka afër Krishtin e ngjallur, aq afër sa që nuk mund ta refuzosh Atë.

Vet Jezusi agjëroi dhe i mësoi nxënësit e tij të agjërojnë. Qëllimi i agjërimit është të fitosh kontrollin mbi veten dhe t’i mposhtësh pasionet e trupit. Vet Jezusi mësoi se disa forma të së keqes nuk mund të mposhten pa agjërim (khs. Mt 17, 21; Mk 9, 29). Njeriu nuk agjëron, ngase i pëlqen Zotit që shërbëtorët e Tij të mos hanë, sepse “djalli, gjithashtu nuk han as nuk pinë”; as nuk agjëron që t’i shkaktojë vetes vuajtje dhe dhimbje, sepse Zot nuk kënaqet në vuajtjet e njerëzve të Tij; as nuk agjëron me idenë se uria dhe etja e tij mundet në njëfarë mënyre të shërbejë si “riparim” për mëkatin e tij. Një kuptim i tillë nuk është dhënë asnjëherë në Shkrimin Shenjt ose në shkrimet e shenjtërve, që shpallin se nuk ka asnjë “riparim” për fajin e njeriut, përveçse kryqëzimit të Jezu Krishtit në kryq. Shpëtimi është një dhuratë e lirë e Zotit që asnjë vepër e njeriut nuk mund ta kryejë nga merita (khs. Rom 5. 15 – 17; Ef 2. 8 – 9).

MEDITIM

Ta pyesim vetën: A mos jemi të dremitur nga reklamat dhe lezeti i botës moderne, duke mrizuar si delet nën flladin e hijes së ditës? Shiko se mrizimi i gjatë i deleve shkakton vdekjen, aq më shumë nëse bariu mrizon bashkë me to. A jemi njëmend të varur nga duhani, alkooli dhe droga – trekëndëshi duhan-alkool-drogë dhe nga varshmëritë tjera, siç janë: sëmundja për para, për pushtet, për imoralitet, për destruktivitet dhe veprime tjera banale, kriminale dhe animale?

NËSE VENDOS TË AGJËROSH

-Agjëro nga lakmia.

-Agjëro nga armiqësia.

-Agjëro nga tradhëtia.

-Agjëro nga xhelozia

-Agjëro nga vaktësia.

-Agjëro nga mendjemadhësia.

-Agjëro nga dyfytyrësia.

-Agjëro nga kopërracia.

-Agjëro nga mitomania.

-Agjëro nga plogështia.

 -Agjëro nga zemërngushtësia.

-Agjëro nga kokëfortësia.

 -Agjëro nga sjelljet e këqia.

-Agjëro nga padrejtësia.

-Agjëro nga hidhërimi.

 -Agjëro nga pëshjellimi.

-Agjëro nga durimi.

-Agjëro nga shpifja.

-Agjëro nga egoizmi.

-Agjëro nga hedonizmi.

-Agjëro nga parazitizmi.

-Agjëro nga serviliteti.

-Agjëro nga imoraliteti

-Agjëro nga agresiviteti.

- Agjëro për të qenë i pari.

Nëse kështu agjërohet atëherë do kemi fryte krejt të reja.

Qendra për Ripërtëritje Shpirtërore “Flori dhe Lauri” në Prishtinë, uron Kreshme të mbara antarëve të saj dhe gjithë të krishterëve kudo që jetojnë dhe veprojnë. Drejt një zgjimi të ri shpirtëror. Të qëndrueshmit fitojnë, të dobëtit pësojnë. “Zgjohu ti që flenë, ngritu nga të vdekurit dhe Krishti do të shndrisë!; Ai që qëndron deri në fund do të shëlbohet” (Ef 4:14; Mt 24:13).

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat