Zani i Luftës

Opinione

Zani i Luftës

Nga: Roland Sylejmani Më: 12 shkurt 2018 Në ora: 18:06
Roland Sylejmani

Kushtrimi është një nga punëtoret e ndërtimit tek pallatet e reja tek lagjja e Spitalit në Prishtinë. Fytyra e tij ka një karizëm që e dallon nga moshatarët e tij. Ai, është fjalëpak, por sa herë flet brenda zërit të tij ka tone krenarie, karroca me beton të cilën e shtyn nuk peshon më rëndë se sa historia e jetës së tij. Pranvera e vitit 1999, në fshatin Mejë të Gjakovës, përgjysmoi familjen., Masakra e ndau përgjithmonë nga i ati dhe vëllai i tij, i cili ende nuk kishte shkuar në shkollë. Fatin tragjik të Kushtrimit,  e jetojnë edhe qindra familje të tjera nga mizoritë e tmerrshme të luftës së fundit në Kosovë.

Për Kushtrimin, rrëfimi mbi luftën nuk është aspak i lehtë.,  Gjithnjë shoqërohet me sy të përlotur, me një lodhje që shfaqet nëpërmjet plasaritjeve nëpër duar, apo vijave të kuqrremta në fytyrë, të shkaktuara nga qëndrimi i gjatë nën rrezet e diellit. Pesha e gjithë asaj çfarë ka kaluar në luftë duket sikur i lehtësohet, sa herë kthehet tek nëna e gjyshja, me të cilat jeton ato pak orë nga muzgu deri në agim, kur edhe nis ditën e re në punën me orar të stërzgjatur. 

Përjetimin  e luftës Kushtrimi nuk e ka shndërruar në kartë për lëmoshë institucionale, as atëherë kur aplikoi për të marrë statusin e studentit në degën e mjekësisë, as kur nënës së tij i duheshin barërat për të mposhtur kancerin në gji, e as për të mbuluar tretmanin për gjyshen, e cila  tashmë është gjysëm e verbër për mungesë trajtimi adekuat.

Për Kushtrimin, dinjiteti qëndron i varur brenda kornizës së fotografisë në murin e dhomës ku kalitet buzëqeshja e të atit dhe vëllait. ,  Për Kushtrimin, motiv jete është kërkimi i drejtësisë për ta.

2000

Paslufta e Kosovës, ishte një kapitull i ri në faqet e së cilit do të mund të shkruanim historinë tonë të lavdisë, krenarisë, por edhe të vuajtjes, dhimbjes e trishtimit. Lufta u fitua me faturën e gjakut të qindra dëshmorëve, civilëve të vrarë, grave e burrave të keqtrajtuar e dhunuar seksualisht. Por, siç duket, ne humbëm mundësinë për të shkruar kapitullin e lirisë, kapitullin e dëshmisë së përjetimit tonë, në mënyrë që historia të mos përsëritet.

Tregimi mbi Kushtrimin dhe familjen e tij, është një tregim i pathënë;, është universal, tregim trishtimi, lufte, vrasje, krimi, historie që endet gojë pas goje, shtëpi pas shtëpie, sokak pas sokaku, me një fuqi rrëfimi mbi të vërtetën, mbi të drejtën për të ditur, mbi të drejtën për të dokumentuar. Por jo edhe një tregim i arkivuar, i ruajtur e dokumentuar në jetën tonë të mbamendjes institucionale. Pra, kur vjen të institucionalizmi i narracionit mbi luftën, diçka pritet, përshtjellohet, si një shirit kasete. Për dallim prej rrëfimit të secilit prej nesh, tregimi ynë institucional mbi luftën është i mbushur me pluhurin e përmendorëve dhe memorialeve, vlera e të cilave është e barazvlefshme me shumat financiare të tenderimit dhe lulet e vyshkura pa ngjyrë të cilat vendosen vetëm në lavdet para kamerave.

Në dekaden e parë të shtetit tonë, shtëpia e Jasharajve në Prekaz rrezikon të paguajë çmimin e rrënimit, për arsyen e vetme se shteti nuk pati vullnetin e mjaftueshëm të tregojë kujdesë të veçantë për të. Përmendoret, memorialet, emrat e rrugëve dhe forma të tjera të përkujtimit e nderimit kanë humbur fuqinë e përfaqësimit të drejtë të historisë. Të shëmtuara, me mesazh të deformuar pa shije artistike, ato u kthyen në ekspoze vetëm gjatë kohës kur individëve të caktuar u duhej t’u vendosej në kanar votash kredibiliteti i tyre publik përballë qytetarëve. 

Masakrat e Krushës, Izbicës, Rrezallës, Reçakut, Mejës, dhe e Studimes, janë vetëm disa prej plagëve të mëdha në kujtesën tonë. Ato qenë aktet më barbare për të cilat bota u alarmua që më pas të trokiste liria jonë e përbashkët. Paslufta i harroi ato fshatra, gati të rrënuara, në shumë prej tyre pa as edhe një shenjë ose simbol që do të tregonte se aty dikur ishte ngjizur liria jonë. Fushat e masakrave të Kosovës, u shndërruan në skena mbi të cilat do të ngjiteshin njerëz pa sedër, me fjalime zgjedhore, vend në të cilin vetëm ndërim për viktimat nuk ka!

Prej përfundimit të luftës, shumë prej insitucioneve në nivel qendror e lokal janë udhëhequr pikërisht prej njerëzve që kanë kontribuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Krerët e institucioneve tona, në raport me argumentet për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, me pompozitet fajësonin ndërkombëtarët se po barazonin viktimen me agresorin, ndërkohë që vetë, ndonëse kanë udhëhequr me vendin gjithë vitet e pasluftës, nuk kanë arritur të themelojnë as një muze mbi luftën, as një libër të mirëfillt me informacione të plota mbi historikun e luftës sonë,. Madje dështuan ta mbrojnë luftën e tyrë përballë vetëvetës, në momentin kur nisën e falsifikuan lista veteranësh.

Vetëdija institucionale ka mënjanuar nevojën për dokumentimin e luftës për liri, jo vetëm si domosdoshmëri për të dëshmuar, faktuar, por si një argument jetik përballë lirisë. Prej përfundimit të luftës, shumë familje si ajo e kryepersonazhit të këtij shkrimi, jetojnë mes ngarkesës emocionale që i sjellë e kaluara dhe mungesës së mirëqenies ekonomike.

Derisa të vajtojmë gjykatat ndërkombëtare; prodhim i neglizhences sonë, të shprehim mllefin pa karar mbi të tjeret, do të duhej të reflektonim seriozisht mbi kohën e humbur, zhytjen në harresë të luftës sonë, mbytjen e shpreses që Kosova të jetë vend i mirë për të jetuar, e hermetizimin e artikulimit të  zanit të luftës, atij zani që mungon tash e 18 vjet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat