Rusia dhe Serbia mbeten një rrezik i përhershëm për shqiptarët

Opinione

Rusia dhe Serbia mbeten një rrezik i përhershëm për shqiptarët

Nga: Avni Xhemajli Më: 11 shkurt 2018 Në ora: 23:05
Avni Xhemajli

Brenda strategjisë së re serbo-ruse, Rusia përmes Serbisë po e sulmon politikisht dhe juridikisht NATO-n dhe po ashtu edhe BE-në. Duke qenë se veprimet e tilla po bëhen në këtë duet të përbashkët Serbi & Rusi, kjo fuqi aq sa i atribuohet njërës, po aq i atribuohet edhe palës tjetër. Pra, qëllimi është që Serbia të mos duket vetëm e fuqishme, por edhe të jetë e fuqishme dhe e rrezikshme, njësoj sikurse Rusia.

Posaçërisht kur kemi parasysh faktin se Rusia i falë armë të sofistikuara Serbisë, si për shembull sisteme raketore S-300, aeroplanë modern bombardues MIG, etj. pra, domethënë se nuk kemi të bëjmë më thjeshtë veç me një Serbi, por me një Rusi brenda Serbisë! Prandaj edhe siç shihet, tërheqja e vërejtjes ndaj Serbisë se ''nuk mund të ulet në dy ulëse'' nga ana amerikane, del të jetë e pamjaftueshme.

Përmes prezencës ushtarake ruse në Serbi si dhe influencës politike dhe të investimeve, Rusia po i bën presion BE-së për çështjen e sanksioneve të ngritura për çështjen e Ukrainës, kurse Serbia përmes lejimit të prezencës ruse në Serbi, po kërcënon BE-në dhe komplet të gjitha vendet e rajonit në aspektin sigurisë. Pra, në njëfarë mënyre, ky lloj ndërveprimi reciprok ushtarak, politik, juridik, ekonomik e diplomatik, ekspozon dhe emeton para gjithë botës se Rusia është Serbi dhe Serbia Rusi. Dhe askush nuk mund të thotë se një gjë e tillë nuk bëhet pa shkas.

Me anë të kësaj strategjie, Serbia po mundohet ta favorizon veten në procesin e anëtarësimit në BE, kundrejt vendeve të tjera që kanë mbetur akoma jashtë integrimit. Rusia me anë të këtij partneriteti, po iu kundërpërgjigjet NATO-s për veprimet në Baltik, ndërsa BE-së për sanksionet për rastin e Ukrainës. Përmes involvimimit të fuqishëm të Rusisë brenda territorit të serb, ajo po e faktorizon dhe po e shndërron Serbinë në një aktër potencial të destabilizimit dhe të rrezikimit të gjithë rajonit dhe më gjërë. Pra, me një potez të vetëm, duke u futur gati në çdo pore të jetës brenda Serbisë, Rusia ka deklasuar dhe zhvlerësuar totalisht politikën e BE-së për integrimin e herëshëm që i bëri Rumanisë, Bullgarinë dhe Kroacisë në BE, me qëllimin e evitimit nga zona e influencës ruse. Pse? Sepse tanimë duke qenë se Rusia ka një prezencë të fuqishme në Serbi, ka arritur t'i fus në zonën e radarit të gjitha shtetet e Bashkimit Evropian që u anëtarësuan në vitet e fundit në BE. Pra, në këtë mënyrë Serbia është bërë e rrezikshme për të gjitha shtetet e Evropës Juglindore, veqanërisht në këtë fazë të krizes që ndodhet BE-ja, të gjitha këto veprime shkojnë në favor të vet Serbisë. Edhe në këtë rast, Serbisë po i del që sulmi është mbrojtja më e mirë. Dhe derisa t'i del kështu, ajo nuk do ta shkëpus bashkëpunimin me Rusinë, aq më pak provokimet dhe sulmet ndaj Kosovës për pengimin e shtetndërtimin dhe ndarjen e saj.

Pra, të gjitha veprimet që Serbia po i bën në koordinim dhe në bashkëpunim të ngushtë me Rusinë, është që Serbia t'ia përshpejtojë dhe lehtësojë vetes procesin e anëtarësimit në BE (pa pasur nevojë ta njoh Kosovën), që edhe është faktike, pasi ajo tanimë edhe ashtu po prin në procesin e integrimit të BE-së për dallim prej të gjitha shteteve të tjera të mbetura peng në këtë proces, duke qenë se ajo edhe nga aspekti politik edhe ai strategjik ka arritur t'iu imponohet BE-së.

Një gjë që mund të vëresh në çdo hap që bën Serbia e që nuk e sheh as të Kosova dhe as të Shqipëria, është përpjekja e pandalshme e saj, për një të ardhme më të mirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat