Vallë, deri kur kështu?!

Opinione

Vallë, deri kur kështu?!

Nga: Lirim Begzati Më: 11 shkurt 2018 Në ora: 19:04
Lirim Begzati

Të flasim për tjetrin, t’a kritikojmë apo edhe t’a njëllosim tjetrin - atëherë kur duhet e sidomos kur s’duhet - gati se një traditë kjo e pashterur e përditshmërisë dhe kahmotshmërisë së politikave tona.

Sa janë (jo)interesante debatet që përqëndrohen kryesisht në kritikat e drejtuara në adresë të individit, të personit apo të dikujtë që nuk na pëlqen neve, që na pengon, që është humbësi ose fitimtari i një zgjedhje, e aq më tepër për shkak se nuk i takon vizionit tonë, apo thjesht edhe vetëm për ate se ne e mërzisim, se ndoshta dëshirojmë t’ia marrim vendin apo ai na duket se na ka zënë vendin!

E panevojshme me i kërkuar të gjitha arsyet për këto çudira të “mrrekullueshme”, pasi që ata si zakonisht janë të pakuptimta, të pafundëta!

Në jetën politike, marrë parasysh kalkulimet e ndryshme, qofshin edhe të imponuara nga rrethanat e caktuara, ndonjëherë aksioni i veprimit çonë detyrimisht në drejtim të përqëndrimit të disa diskurseve në personalitetin dhe aktin politik të dikujt, duke përdorur regjistrin e kritikave të nduarnduarshme, sadoqoftë edhe të papëlqyeshme për dikendin.

Mirëpo, kjo nuk e arsyeton aspak faktin që në kuadër të strategjive të zgjedhura – niveli i individualizimeve të temave, të marrjes me njëri tjetrin -  të jetë i një shkallë aq të tepruar sa që nuk lënë aspak hapësirë të mjaftueshme për diskutime konstruktive rreth proceseve zhvëllimore, dialogut dhe bashkëpunimit të ndërsjellë, rreth çështjeve që i nevojiten realisht vendit dhe popullatës.

Duket se pikërisht humbja e kohës me etiketime ndaj njëri-tjetrit, me thashetheme, me përqëndrimin e prioriteteve aty ku nuk duhet, janë shkaktarët kryesorë ata të cilët ndikojnë drejtpërdrejt edhe në mos gjetjen e kohës së mjaftueshme për me i prekur më me seriozetet çështjet dhe prioritetet që e preokupojnë më së tepërmi popullatën.

Ndikojnë natyrisht edhe faktorë të tjerë, tashmë aq të njohura sidomos për ata që e kuptuan njëherë e përgjithmonë se për shkuarrje përpara nevojitet edhe diçka tjetër, e jo vetëm profili i personit të “shpërblyer” me poste me përgjegjësi madhore, vetëm falë ndonjë akti trimërie të dëshmuar në të kaluarën, duke anashkaluar kështu kërkesat që dalin nga nevojat e profesionalizmit, nga nevojat e kohës! 

Të marrim, sa për ilustrim, shembullin e disa debateve që zhvillohen në Parlamentet tona. Nuk është një tabu të thuhet se ndodhë shpesh që, megjithë rendin e ditës që duhet debatuar dhe i cili duhet të prek ndonjë çështje vitale të vendit, diskutimet marrin një kahje tjetër, duke u përqëndruar në sharje dhe ofendime ndaj njëri-tjetrit, duke iu larguar kështu një teme të rëndësishme që është objekt diskutimi, e fundja, edhe duke anashkaluar rolin të cilin ia ka besuar dikujt një rezultat demokratik. Tonalitetet e agresivitetit të shprehura marrin dimensione aq të çuditshme, sa që japin ndonjëherë edhe përshtypjen se nuk kuptohet aspak ajo se për çfarë debatohet!

Gjëra këto që ndodhin shpesh, që përsëriten pa fije mëshire e turpi. Nëse ata shkaktojnë revoltën tek një pjesë e popullatës tashmë të lodhur me kësisoj veprimesh, “politikbërja” e tillë vazhdon ende të shoqërohet paralelisht me jehona perceptimesh të llojit  “sa i zoti është ky, a e vërejte çka i tha...?”, “ me sa guxim e ngriti zërin, çfarë patriot i madh na qenka ky?”. Reagimet e tilla duket se i inkurajojnë pastaj akterët e tillë të “guximit politik”, që t’iu mbeten besnik qëndrimeve të tyre. Kjo nënkupton ate se edhe ne jemi pra, në njëfarë mënyre, bashkëfajtorë procesesh!

Të marrim edhe shembullin e rivaliteteve të egërsuara ndërpartiake, brenda vetë një partie, por edhe brenda partive në përgjithësi të vendit. Edhe për këtë, sa shpesh jepet përshtypja se sa gabimisht janë kuptuar vlerat dhe parimet e pluralizmit, sa çuditërisht veprohet në emër të disa lirive demokratike. Pasojat që dalin nga dukuritë e tilla konfliktuale, na çojnë logjikisht në përfundim se “sot jemi aty ku jemi, e jo aty ku nevojitet të jemi”.

Vitet kalojnë dhe aq shumë i përngjajnë njëra tjetrës, kurse koha na tregon pastaj se vetëm fjalët, anekdotat, e disa nga gjestet e papërgjegjshme, mbeten të ngulfatura në kujtimet e njerëzve, e jo aq shumë diçka tjetër që dikushi ëndërronte dhe pretë me shpresë edhe sot e kësaj dite për një arrdhmëri më të mirë të vendit!

Po pra, aq e logjikshme kjo, kur dihet se avansimet, prosperiteti i një shoqërie, i një vendi, arrihen me punë të tjera, me rezultate konkrete, e assesi përmes disa akteve e veprimeve që privilegjohen në disa qarqe tona politike. Nëse shprehemi me pak më tepër optimizëm, atëherë do të kishim thënë “padiskutim se është bërë diçka, por ka mundur të bëhet edhe shumë më tepër”, e gjithë kjo me kusht nëse do të mënjanonim shijen e theksuar ndaj disa mënyrave të dëmshme të veprimit politik.

Është e vërtetë se disa nga veçoritë e potencuara në kuadër të këtij reflektimi i hasim edhe në demokracitë moderne, por manifestimi i tyre në shoqëritë përkatëse funksionon, si zakonisht, me logjikën e shëndosh. Proporcioni i shfaqjes së kësaj dukurie mbetet kësisoj i pakrahasueshëm, për shumë aspekte, në mes të asaj që ndodhë te na dhe që vërejmë në demokracitë e mirëfillta.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat