Këmbimi i territorit shqiptar-shqiptar, ide vetëvrasëse dhe mbitradhti esadiste

Opinione

Këmbimi i territorit shqiptar-shqiptar, ide vetëvrasëse dhe mbitradhti esadiste

Nga: Prof.Dr.Mehdi Hyseni Më: 11 shkurt 2018 Në ora: 18:33
Prof.Dr.Mehdi Hyseni

*** Kush ka dëshirë, që të bjerë “hero” i Serbisë sikurse dikur (1920) Esat Pashë Toptani për shkak të faljes së territoreve  të Shqipërisë Etnike, atëherë, mund t’i hyjë një aventure të tillë tradhtie, por, me rrezik të madh, se mund të përfundojë karrierën politike sikurse Esat Pashë Toptani. Këtë fatalitet nuk do ia dëshiroja asnjë lideri politik shqiptar.
 
-Serbomëdenjtë kolonialistë dhe neokolonialistë me presidentin e tyre Aleksandar Vuçiq në krye, me ministrin e Mbrojtjes Aleksandar Vulin dhe me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq le të propozojnë çfarë të donë  sipas “listës  së dëshirave” të tyre për ricopëtimin dhe rikolonizimin e Kosovës, por, ne nuk do ta pranojmë me asnjë kusht, sepse  territori i Kosovës, i Preshevës dhe i Medvegjës është pjesë integrale e territorit të SHQIPËRISË ETNIKE.

Fundja, historia dhe praktika e derisotme e politikës  ekspansioniste të Serbisë kanë provuar se, gjithmonë janë pajtuar me  idetë, me propozimt dhe me planet e politikës shqiptare, që kanë qenë në dobi të interesit të përgjithshëm nacional dhe shtetëror   të Serbisë së Madhe, JO të shqiptarëve e as të Shqipërisë Etnike.
 
Pikërisht, në këtë frymë kanë shpikur Dialogun e Brukselit (2011-2018), të cilin në mënyrë të vullnetshme e ka pranuar edhe  qeveria dhe parlamenti i Hashim Thaçit dhe i kamarilës së tij të dëgjueshme dhe të instrumentalizuar.
 
Ndarja e  Veriut të Kosovës me Preshevën shqiptare, hap i parë i rikthimit të Serbisë gjenocidale në Kosovë
 
-Arsyeja: Nga se  në kuptimin historik, gjeopolitik  dhe juridik ndërkombëtar, një këmbim  i tillë është i papranueshëm  mbase kemi të bëjmë me këmbimin e territorit shqiptar-shqiptar, JO, assesi me territorin shqiptaro-serb.

- Një tregtim i tillë, do të mund të quhej këmbim territori serbo-shqiptar vetëm në këtë rast, sikur shqiptarët të kërkonin këmbimin e territorit të Kosovës me territorin e Serbisë (Kralevë, Krushevc, Kragujevc, Rashkë, Vërnjaçka banja  etj.) . Mirëpo, shqiptarëve nuk u nevojitet kurrfarë pazarllëku i territoreve të Shqipërisë Etnike me ato të Serbisë, por i duan vetëm territoret e veta natyrale dhe historike. 

 Liderët e apostrofuar politikë për “këmbimin” e territorit të Kosovës me Preshevën e Kosovës, përkatësisht të Shqipërisë Etnike, nuk janë të vetëdijshëm, pse, si hap të parë të ripushtimit të Kosovës, homologët e tyre serbë të Serbisë po kërkojnë ndarjen e veriut të saj, e jo sipas “vijave të trashigimisë religjioze dhe kulturore” (Graçanicë, Patrikana e Pejës dhe Manastiri i Deçanit), që sipas hegjemonistëve dhe kolonialistëve serbë “përbëjnë kokën e Serbisë”. Këtë dhjetra herë e ka pohuar mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej se “ trupi i Serbisë pa kokë nuk mund të jetojë”.

Pra, si hap të parë të “bombardimit” të shtetit të pavarur të Kosovës, Beogradi po ngulmon, që ta shkëputë pjesën veriore të Kosovës, e cila është e pasur me burime të minerlave të çmueshme nëntokësore (ari, argjend, plumb, bakër dhe zink), të cilat Serbia më se  një shekull i ka shfrytëzuar për ndërtimin dhe për zhvillimin e saj ekonomik modern të superstrukturës dhe të infrastructurës. Kjo i “dhemb” Serbisë, jo manastiret dhe minoriteti i saj  serb (8%), që në sy të Evropës dhe të botës  i propagandon me falsitet se gjoja janë bazamenti   themelimit të shtetit serb në Ballkan. Mirëpo, harrojnë kolonialistët serbë se në trojet  ilirike-shqiptare për herë të parë janë shfaqur si fise barbare në fund të shekullit  të 12-të.

Kjo do të thotë se serbët dhe Serbia kolonialiste nuk kanë kurrfarë të drejte historike mbi Kosovën, mbi Preshevën, mbi Bujanocin, mbi Medvegjën, mbi Nishin, mbi Bllacën, mbi Vranjën, mbi Prokuplën, mbi Leskocin, mbi Kushumlinë, mbi Novi Pazarin…etj.
 
Liderët e shitur politikë shqipfolës gjithmonë kanë kryer punëra të ndyra të Serbisë në territoret e Shqipërisë Etnike
 
Nga liderët shqiptarët, ai që, do të merrte një vendim të tillë për  këmbimin  e veriut të Kosovës me Preshevën, që do të thotë falje e territorit të Shqipërisë Etnike Serbisë, mund ta ketë fatin e Esat Pashë Toptanit dhe të përfundojë me turp në varrezat e luftëtarëve serbë në Paris. 

Këtë të ligë të zezë nuk do ia dëshiroja asnjë shqiptari, që është bir shqiptari i ismail Qemalit, sepse territoret shqiptare nuk janë mall konsumi dhe tendera privatë të liderëve  vagabondë, korrupcionistë dhe kanabistë politikë shqiptarë, të cilët Shqipërinë dhe Kosovën i kanë shndërruar dhe shkretëruar në plaçkë private të tyre (1990-2018).
Mjaft e keni shkatërruar një gjeneratë të intelektualëve shqiptarë (mësues, arsimtarë, profesorë dhe akademikë), duke e hedhur në rrugë si lecka plehu, duke e lënë pa punë, pa strehë, pa kurrfarë mjetesh për ekzistencë si brenda, ashtu edhe jashtë Kosovës dhe Shqipërisë. –Në vend të tyre instaluat llumin injorantë sipas lidhjeve dhe favoreve nepotiste, mahallore, nahijore, miqësore, ideologjike, politike, partiake dhe korrupcioniste.
 
Një strategji e tillë  antnjerëzore dhe antikombëtare, duhet të marrë fund  njëherë e përgjithmonë, sepse Kosova, Ilirda e as Shqipëria nuk janë tapi private  e trashëguar stërgjyshore e liderëve dështakë, nepotistë, korrupcionistë, despotikë dhe milionerë : Hashim Thaçi, Ali Ahmeti dhe Edi Rama e të tjerë.

Prandaj, këta tre liderë perversë politikë nuk kanë të drejtë  morale e as ligjore, që të  propozojnë ndonjë ide a plan të tyre për “këmbimin”-faljen e territorit të Shqipërisë Etnike  Serbisë, Greqisë, FYROM-it dhe Malit të Zi, edhe pse u ka hyrë në gjak tregtimi i pasurisë  dhe i shfrytëzimit të popullit, duke e lënë në rrugë të papunë, duke e vrafëruar dhe duke e shpërngulur në mënyrë sistematike (siukrse Serbia, Mali i Zi, Greqia, FYROM-i me masat e tyre spastruese dhe pacifikuese) në vende të ndryshme të Evropës dhe të botës.

Liderët politikë shqiptarë nuk duhet të “harxhojnë” mend se si ta copëtojnë territorin e Kosovës, ashtu si i konvenon Serbisë kolonialiste dhe gjenocidale, por, duhet të kthehen me fytyrë  drejt popullit, që ta udhëzojnë, ta ndihmojnë dhe ta mbështetin në realizimin e së drejtës së tij të vetëvendosjes, që është garancia dhe faktori kryesor për ribashkimin e gjithë kombit shqiptar dhe Shqipërisë Etnike.

Ky duhet të jetë objektivi prioritar i politikës gjithshqiptare, jo ndarja, këmbimi dhe ricopëtimi i territoreve të SHQIPËRISË ETNIKE.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat