Grekët dhe shqiptarët janë më shumë se fqinjë, e më shumë se miq, z.Prokopis Pavlopulos

Opinione

Grekët dhe shqiptarët janë më shumë se fqinjë, e më shumë se miq, z.Prokopis Pavlopulos

Nga: Arben Llalla Më: 9 shkurt 2018 Në ora: 10:34
A. Llalla, deputeti grek Parashqevopulos dhe biesmeni grek Malesi. Selanik 1999

Letër e hapët Presidentit të Greqisë

z.Prokopis Pavlopulos

I nderuar presidenti i Greqisë z.Prokopis Pavlopulos!

Ju më shumë se dy herë keni bërë deklarata me tone kërcënuese rreth Çështjes Çame, duke i urdhëruar që Shqipëria dhe shqiptarët duhet ta harrojnë, ta mbyllin gojën për këtë çështje sepse nuk ekziston një Çështja Çame. Unë e kuptoj urrejtjen tuaj, e kuptoj mllefin tuaj si njeri, por nuk arrij të kuptoj se si Presidenti i Greqisë, atij vendi që pretendon për demokracinë e lashtësisë të shprehet me tone të larta kërcënuese për fqinjin asaj më të mirë, kur Ju duhet të luani rolin e paqësorit, e toneve të pajtimit. Unë z.Pavlopulos kam jetuar shumë vite në Greqi, kam takuar miqtë tuaj politikanë dhe deputet, i pak njohur personalisht nga afër Karamanlisi, Gjonlekas, Psomiadhis, Parashqevopulos, etj. E njoh shumë mirë shoqërinë greke, atë të shkallës së lartë edhe atë të punëtorëve, por ju them me bindjen të plotë se populli grek është mikpritës, njerëz të dashur me afrikanët, sllavët, filipinasit, palestinezët, kurdët, turqit, etj. Por Greqia edhe grekët urrejnë tej mase shqiptarët, kjo urrejtje nuk është çështje fetare, por etnike. Përse Greqia është antishqiptare kur shqiptarët s’janë antigrek? Përgjigjen e kësaj pyetje z.Pavlopulos e gjeni tek shkrimtari dhe poeti i madh, i vlerësuar me çmim Nobel në letërsi më 1979, Odysseas Elytis i cili ka thënë: “Atdheu im, një mural i mbajtur prej shtyllave franceze, shqiptare, vllahe e turke. Kushdo që i përmend, shkon drejtë e në burg”. Përgjigjen e gjeni edhe tek libri i shkrimtari, poetit dhe studiuesit, Niko Dhimu “Fatkeqësia të jesh grek”, i ribotuar rreth 40 herë. Niko Dhimu ka deklaruar më 23 qershor 2009, për gazetën NY TIMES: “Ne flisnim shqip dhe vetëquheshim romaikos, por pastaj “Gëte, Viktor Hugo, Delacroix, na tha: “Jo, ju jeni grekë, pasardhës të drejtpërdrejtë të Platonit e Sokratit...”. Në qoftë se një vend i vogël, një komb i varfër ka një barrë të tillë mbi supet e tija, ai kurrë nuk do të shërohet...” Siç e deklaron shkrimtari Niko Dhimu, grekët e sotëm nuk janë grekët e lashtë që pretendonte historiani gjerman në shekullin 18 Johann Winckelmann, i cili krijoi vizionin se Greqia e lashtë është populluar nga njerëz të bukur, me flokë të verdhë e të gjatë, njerëz të zgjuar. Ky përfytyrim i Johann Winckelman, në të vërtetë ka lidhje me ilirët të cilët kishin këto karakteristika, pra, ata, grekët e lashtë kanë qenë ilirët dhe jo grekët e sotëm. Popullsitë e Greqisë së shekullit 19, si shqiptarët, sllavët, turqit, hebrenjtë, arabët, vllehët, u imponuan të krijonin identitetin modern grek. Por karakteristikat e këtyre racave, nuk përputheshin me karakteristikat e grekëve të lashtë, përveç shqiptarëve sepse është vërtetuar shkencërisht që rrjedhin nga ilirët.

Në Maj të vitit 2012, shkrimtari grek Dimitris Epikouris në një shkrim të tij për grekët do të shkruante: “Greqia moderne nuk ka asnjë nyje që e lidh atë me Greqinë e lashtë dhe njerëzit që dikur jetonin në atë vend, e parë kjo si në aspektin kulturor, ashtu dhe në atë gjenetik. Grekët e sotëm janë një mishmash i fiseve ballkanike, (shqiptarë, sllavë, vllahë) të cilët gjatë periudhave të ndryshme kohore u përzien gjithashtu me afrikano-veriorë, Armeninë dhe fise të tjera të Anadollit, pa harruar të përmendim këtu dhe frankët me venedikasit të cilët ishin po ashtu të shumtë në atë rajon”.

I nderuar presidenti i Greqisë z.Prokopis Pavlopulos!

Përse i urreni kaq shumë Çamët pa i njohur, pa njohur të vërtetën e asaj akuze të pa bazë të bashkëpunimit me italianët dhe gjermanët. Ju dhe fëmijët tuaj lexojnë historira të gënjeshtër, mite, e shumë gjëra të tjera të ngritura mbi mashtrimet ideologjike fetare. Nuk mund të ketë asnjëherë miqësi dhe fqinjësi të sinqertë të grekëve me shqiptarët përderisa Greqia nuk kërkon falje për gjenocidin e 1944-1945. Greqia si anëtare e BE-s, NATO-s dhe e shumë organizatave ndërkombëtare të të drejtave të njeriut duhet t’ju kthejë pasurinë e grabitur çamëve dhe të krijojë kushtet e rehabilitimin në trojet e tyre. Por a do të rikthen ndonjëherë çamët në shtëpitë e tyre? Ne besojmë se shqiptarët e Çamërisë do të rikthen një ditë sepse historia e botës ka njohur Perandorinë Romake e cila u zhduk me gjuhë e kulturë, kishim Perandorinë e Bizantit e cila u shpërbë, më tepër se 500 vjet Perandoria Osmane kishte pushtuar popujt e tjerë të Ballkanit e më gjerë dhe u tkurr. Pra, doni apo s’doni Ju edhe Greqia, Çështja Çame nuk do të zhduket e as shqiptarët nuk do heshtin. Ne nuk jemi më ata shqiptar të viteve 1990, të rreckosur, bark thatë, të dobët nga shëndeti. Shqiptarët e Shqipërisë janë një e treta e shqiptarëve në Ballkan, prandaj nëse Ju llogaritni vetëm shqiptarët e Republikës së Shqipërisë gaboni. Ju rikujtoj se brenda në Athinë kemi ende disa gjyshër duke filluar nga Teodor Pangallos, që ende e flasin gjuhën shqipe në shtëpi. Grek me origjinë shqiptare ka me mijëra në ishullin e Salaminës, Andros, në Trakën greke, etj. Pa folur që 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Greqisë janë me rrënjë shqiptare ADN, me në krye kryepeshkopin e Greqisë hirësisë së tij, Jeronimo. Ne disponojmë statistika të sakta, kemi kontakte me vëllezërit tanë të shpirtit e të gjakut.

Ju z.Pavlopulos pretendoni se Çështja Çame nuk ekziston. Po si mundet të mos ekzistojë një çështje kur ende janë gjallë njerëzit e asaj çështje, pra Çamët. Ju z.Prokopis Pavlopulos jeni takuar tre herë me një figurë të lartë të minoritetit grek, Thoma Janis, nënkryetar i PBDNJ të Vangjel Dules, sa herë që jeni takuar keni bërë fotografi me këtë njeri që është biznesmen në Athinë. Por ai e dini Ju që ky greku i Shqipërisë e ka gruan çame dhe fëmijët e tij janë çam aq sa janë grekë? E pra, e shikoni zoti President i Greqisë që gjërat nuk janë ashtu siç i keni mësuar dhe i shprehni me aq urrejtje ndaj shqiptarëve. Prandaj është mirë të gjejmë rrugën e paqes dhe të zgjidhjes së problemeve për një fqinjësi të sinqertë.

Për rikthimin e çamëve në Çamëri nuk është se duhet të ndodhi ndonjë çudi, nuk është as e pamundur, por grekët dhe shqiptarët duhet të jenë të përgatitur që rikthimi të bëhet paqësisht, dhe mirësia e dashuria të mbretërojë përfundimisht midis dy fqinjëve që më shumë i lidhin gjërat me njeri-tjetrin se sa i ndajnë.

Historia e vërtetë, pavarësisht shtrembërimeve që mund t’i bëhet gjatë viteve, ajo nuk mund të zhbëhet, por do dali në sipërfaqe në vendin dhe kohën e duhur për t’na rikujtuar gëzimet apo dhimbjet që na ka shkaktuar.

Në përfundim z.Pavlopulos, shqiptarët asnjëherë s’kanë prodhuar kriza me fqinjët dhe gjithnjë kanë qenë e janë të gatshëm për uljen e tonëve të krizave. Krizat e fundit e prodhuar nga Ju z.president i Greqisë, tregon mungesën e reciprocitetit, i cili është rregulli bazë i marrëveshjeve diplomatike. Paqja e ofruar nga Shqipëria për arritjen e një Marrëveshje afatgjatë greko-shqiptare është një shansë që duhet shfrytëzuar sepse Ne jemi dy vende që jetojmë afër njeri-tjetrit. Grekët dhe shqiptarët janë më shumë se fqinjë, e më shumë se miq, ky është një fakt i pamohueshëm z.Prokopis Pavlopulos,.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat