Përcaktimi dhe shënjimi i kufirit- atribut i shtetit të pavarur dhe ekskluzivitet i popullit

Opinione

Përcaktimi dhe shënjimi i kufirit- atribut i shtetit të pavarur dhe ekskluzivitet i popullit

Nga: Dr. Islam Lauka Më: 16 janar 2018 Në ora: 19:28
Dr. Islam Lauka

Tashmë, është bërë plotësisht e qartë që marrëveshja e nënshkruar, me 26 gusht 2015, në Vjenë, midis Kosovës dhe Malit të Zi, “Mbi kufirin shtetëror”, ka të bëjë, jo me shënjim, por me përcaktim të kufirit midis dy vendeve. Ashtu siç është plotësisht e qartë që ka një zhvendosje të dukshme nga vija historike e kufirit Çakorr-Kullë, në brendësi të territorit të Kosovës, pa dyshim, në dëm të saj.

Megjithatë, nuk janë të paktë ata që kërkojnë ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit, në mbledhjen e parë të këtij viti të Kuvendit të Kosovës. Midis tyre, ka edhe nga ata, përfshirë zyrtarë të lartë shtetërorë, deputetë, etj. që e pranojnë hapur se marrëveshja është e gabuar dhe në dëm të interesave themelore të Kosovës, por përsëri këmbëngulin në ratifikimin e saj, për shkak, siç pohojnë ata, të pasojave negative për të sotmen dhe të ardhmen e vendit.

Në formë të përmbledhur, “argumentet” e ithtarëve të kësaj teze, janë këto: 

1. Ratifikimi i Demarkacionit dhe lufta kundër korrupsionit përbëjnë dy kriteret e fundit, të vendosura nga Bashkimi Europian për liberalizimin e vizave. Ratifikimi hap dyert e Europës për shqiptarët e Kosovës, mosratifikimi i izolon ata, përfundimisht.

2. Marrëveshja “Mbi kufirin shtetëror” me Malin e Zi është nënshkruar nga autoritete të larta zyrtare dhe ratifikimi i saj do të dërgonte sinjale pozitive për Kosovën, si një shtet serioz që u qëndron angazhimeve që marrin përsipër përfaqësuesit e saj të lartë, si dhe atyre ndërkombëtare, ndërsa mosratifikimi do të ulte kredibilitetin dhe imazhin e saj në botë. 

3. Ratifikimi kërkohet nga miqtë dhe aleatët tanë strategjikë, SHBA dhe fuqitë kryesore europiane, pa ndihmën e të cilëve do të ishte i pamundur, jo vetëm çlirimi i Kosovës nga sundimi serb, por edhe mbrojtja e lirisë dhe pavarësisë së saj. Mosratifikimi mund të çojë në ftohjen e tyre ndaj nesh, apo më keq, në humbjen e tyre si miq dhe aleatë tanë. Në një zhvillim të tillë negativ, Kosova rrezikon të humbë gjithë arritjet e deritanishme.

4. Mali i Zi është anëtar i NATO-s, ka hapur negociatat për anëtarësim në BE dhe Kosova nuk ka asnjë interes t’i përkeqësojë marrëdhëniet me të, aq më tepër që e kemi vend fqinj.

Më shumë se “argumente”, këto janë hamendësime, frikëra e shqetësime për rreziqe potenciale që mund t’i kanosen Kosovës, në rast të mosratifikimit të Marrëveshjës së Demarkacionit. Ballafaqimi i këtyre “argumenteve” me faktet historike, me përvojën dhe praktikat e shteteve të tjera (precedentët e ngjashëm), me logjikën e thjeshtë, si dhe ligjin ndërkombëtar, i bën ato krejtësisht të paqëndrueshme. Për pasojë, edhe frikërat dhe shqetësimet që i shoqërojnë ato, janë pa bazë.

Së pari, Kosovës i është dhënë Harta e Rrugës për liberalizimin e vizave në Qershor 2012, pra para 6 vjetëve dhe në atë hartë nuk ka figuruar fare kriteri i ratifikimit të Demarkacionit me Malin e Zi. Ai është shtuar rrugës, tash vonë, arbitrarisht, pa u konsultuar fare me aktorët vendorë dhe, mundet, as me institucionet europiane. Kriteri i shpikur i ratifikimit të Demarkacionit, nuk përjashtohet të jetë pjellë e fantazisë së sëmurë të ndonjë euroburokrati apo eurokomisari që nuk e njeh fare Kosovën dhe as ndjeshmëritë e saj historike, apo edhe të kohëve moderne. është fakt i njohur që një kriter i tillë nuk i është vënë asnjë prej shteteve të dala nga ish-Jugosllavia. Logjika do ta donte që, nëse i duhej vënë dikujt një kriter i kësaj natyre, atëherë ky dikushi do të duhej të ishte Serbia, e cila mban autorësinë e 4 luftrave agresive në Ballkan. Por jo, euroburokratët e gjetën të udhës që t’ia imponojnë atë viktimës së dhunës shtetërore serbe – Kosovës. Jo vetëm kaq, kriteret që i janë imponuar Kosovës për liberalizimin e vizave janë rreth dyfishi i atyre të Serbisë. Ku është e drejta këtuë Ku janë vlerat, me të cilat euroburokratët e kanë gojën të mbushur plotë

Edhe kriteri tjetër, ai i luftës kundër korrupsionit, në mënyrën se si është formuluar, duket se është më shumë një mjet për t’u mbyllur gojën udhëheqësve politikë dhe popullit të Kosovës, në rast se këmbënngulin për liberalizimin e vizave. Sepse, me këtë kriter, përgjigja e Brukeslit është e gatshme: keni ende shumë për të bërë në luftën kundër korrupsionit! Po kush e vendos se ky kriter është plotësuar dhe mbi çfarë bazeë Si e mat Brukseli realizimin e këtij kriterië Apo kjo çështje mbetet në kompetencën, në fakt, në arbitraritetin e euroburokratëveë E vetmja e dhënë konkrete në këtë fushë vjen nga organizata, Transparency International, e cila, çdo vit, boton renditjen e vendeve, në shkallë botërore, lidhur me perceptimin e korrupsionit. Në botimin e saj të fundit (2016), Kosova figuron në vendin e 95-të (nga 177 vende, të marra në shqyrtim), Moldavia e 123-ta, ndërsa Ukraina e 131-ta. Këto dy të fundit, në vitin 2016, fituan liberalizimin e vizave, kurse Kosova që është në pozita shumë më të mira se ato, jo. Edhe po të krahasohet me vendet e Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilëve ka vite që lëvizin lirisht në Europë, Kosova nuk është larg tyre: Maqedonia është e 90-ta, Shqipëria ështe e 83-ta dhe Bosnje-Hercegovina, gjithashtu, e 83-ta.

Duhet kuptuar, tashmë, që liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës varet, jo nga plotësimi i kushteve të sajuara të BE-së, por nga vullneti politik i Brukselit, i cili ka kohë që mungon dhe dëshmi e këtij fakti është shtimi dhe imponimi ndaj Kosovës i kritereve pa kriter, siç është ratifikimi i Demarkacionit me Malin e Zi, apo ai i luftës kundër korrupsionit, krejtësisht i papërcaktuar dhe fluid.

Nga sa u tha rreth kësaj pike, mund të arrihet në përfundimin që, në mungesë të vullnetit politik të BE-së, ratifikimi i Demarkacionit, vështirë se do t’i hapë dyert e Europës për qytetarët e Kosovës, ashtu si mosratifikimi nuk do t’i izolojë ata përfundimisht.

Së dyti, është e vërtetë që “Marrëveshja për Kufirin” me Malin e Zi është nënshkruar nga Zëvendëskryeministri dhe Ministër i Jashtëm i Kosovës, por në histori ka patur dokumente që kanë mbajtur firma më të rënda, megjithatë, janë hedhur poshtë nga parlamentet. I tillë është rasti i Presidentit Wilson, i cili nënshkroi Traktatin e Versajës dhe Statutin e Lidhjes së Kombeve, të cilat Senati amerikan i hodhi poshtë. Një shembull tjetër, më afër Kosovës: në vitin 2009 zyrtarë të lartë të Shqipërisë dhe Greqisë nënshkruan Marrëveshjen Detare, midis dy vendeve. Ashtu si sot për Demarkacionin, politikanët dhe firmëtarët e Marrëveshjes Detare betoheshin se Shqipëria nuk humb asnjë milimetër nga deti Jon. Por Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vërtetoi të kundërtën dhe e shfuqizoi atë. Natyrisht, Greqisë nuk i erdhi mirë dhe, si vend më i madh, anëtare e Bashkimit Europian dhe NATO-s, në fillim, u përpoq të ushtrojë presion që ta detyrojë Kuvendin e Shqipërisë të ratifikojë marrëveshjen e nënshkruar, por me kalimin e kohës, erdhi duke u qetësuar dhe këto ditë, Athina zyrtare njoftoi se është dakord për fillimin e rinegocimit të saj.

Praktika e marrëdhënieve ndërkombëtare njeh edhe plot raste të tjera, ku vendimmarrësi individual ka gabuar, herë për shkak të mungesës së infomacionit, herë të pakujdësisë, por shpesh edhe të mashtrimeve e kompromentimeve, dukë nënshkruar marrëveshje të dëmshme për vendin e vet. Megjithatë, firma e vendimmarësve individualë, pa u ratifikuar nga parlamenti, pra pa hyrë juridikisht në fuqi, nuk e fut vendin në ngatërrresa. Dhe, për arsye që dihen, parlamenti mund të gabojë, por shumë më rrallë se individi.

Çështje të tilla madhore, si përcaktimi dhe shënjimi i kufirit, nuk janë as nuk mund të jenë ekskluzivitet i një individi, qoftë ai edhe udhëheqës, i një partie, apo koalicioni partish. Ato përbëjnë një atribut themelor të shtetit të pavarur, si subjekt i së drejtës ndërkombëtare dhe, nëse flitet për ekskluzivitet, ai i takon vetëm popullit, interesat e të cilit përfaqëson ai shtet. Natyrisht, mirë do të ishte që marrëveshja të mos ishte firmosur, por, edhe pse aty qëndron firma e një autoriteti të lartë shtetëror të Kosovës, mosratifikimi e bën të pavlefshme atë. Ky veprim nuk e ul, por e përmirëson kredibilitetin dhe imazhin e Kosovës, sepse dëshmon që, edhe pse shtet i ri dhe pa përvojë, nxjerr mësime nga pësimet, ndreq gabimet dhe mbron çdo pëllëmbë të territorit të vet.

Së treti, interesat gjeopolitike të BE-së, miqve dhe aleatëve tanë strategjikë në Kosovë, mendoj se janë shumë më të thella dhe shumë më të rëndësishme sesa ratifikimi i Marrëveshjës së Demarkacionit me Malin e Zi. Të paktën, kështu ka qenë deri sot. Kosova është konsideruar si çështje sigurie dhe vlerash. Sigurisht, është mirë që këshillat e miqve të merren në konsideratë. Kosova këtë e ka bërë gjithmonë. Ajo pranoi këshillat e miqve për Planin 6 pikësh të Ban Ki Mun-it, i cili del përtej Planit Ahtisari; pranoi këshillat e miqve për Asosacionin e Komunave me shumicë serbe, i cili, siç dëshmoi Gjykata Kushtetuese e cënon Kushtetutën e Kosovës; në vitin 2015, pranoi këshillën e miqve dhe aleatëve për themelimin e Gjykatës Speciale, e cila, në menyrë të njëanshme, do të gjykojë vetëm “krimet” e shqiptarëve.

A është normale për një vend të lirë e të pavarur (qoftë edhe me pavarësi të kushtëzuar) që të mos dijë ta përdorë kurrë fjalën “Jo” me miqtë dhe aleatët e vetë

Studiuesja britanike, Nikola Gaj, në librin “Lindja e Shqipërisë”, botuar në vitin 2012, ngre dy probleme të rënda për shqiptarët. Së pari, sipas saj, ata besojnë, në mënyrë naive, se jo ata vetë, por të huajt bëjnë zgjedhjen më të mirë për popullin shqiptar. Së dyti, ajo flet për raste të turpshme të servilizmit pa fre të “dërgatave shqiptare”, në forume ndërkombëtare, për t’u hyrë në qejf të huajve, duke shpifur kundër “dërgatave” të tjera, po shqiptare. Për fat të keq, skena të tilla luhen edhe sot. Mendoj se, 106 vjet, pas themelimit të shtetit shqiptar dhe 10 vjet, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka ardhur koha që të kuptohet se Shqipërinë dhe Kosovën mund dhe duhet t’i bëjmë ne, shqiptarët. Dhe ato bëhen vetëm kur të arrijmë të krijojmë institucione të forta e të qëndrueshme, që nuk marrin vendime, në bazë të këshillave apo “fermanëve” nga jashtë, por vetëm në bazë të ligjit dhe Kushtetutës.

Në këtë kontekst, do të ishte mirë që, kur bëhet fjalë për dëmtimin e interesave tona jetike, si territori, të mësohemi dhe të guxojmë të themi “Jo”. Të mësojmë veten, por të mësojmë edhe kundërshtarët dhe miqtë tanë me “Jo”-në tonë. Nuk është fjala që t’i hapim luftë gjithë botës, si në kohën e komunizmit. Ne jemi shtete të vogla dhe nuk e kemi luksin e krijimit të kundërshtarëve. Motoja jonë kombëtare është dhe duhet të jetë bashkëpunim dhe integrim rajonal, europian dhe, më gjerë. Por, çdo gjë ka një kufi. Edhe lëkuravja dhe servilizmi ndaj të huajve duhet të kenë një kufi. Në raste të veçanta, “Jo”-ja dinjitoze rregullon shumë më tepër punë, se “Po”-ja servile. Sepse, vetë miqtë dhe aleatët tanë me shembullin e tyre na kanë mësuar që me tokën nuk luhet. Cili prej tyre ka falur, ndonjëherë, tokëë

Në këtë logjikë, mosratifikimi i Demarkacionit, veç ndonjë keqkuptimi kalimtar, nuk ka pse të çojë në ftohjen e miqve dhe aleatëve me ne, aq më pak, në braktisjen e Kosovës, nga ana e tyre.

Së katërti, Kosova është e interesuar për fqinjësi të mirë me të gjitha vendet, me të cilat kufizohet, në bazë të interesit të ndërsjellë, por jo me çdo çmim. Sidomos, jo me çmimin e cënimit të territorit të saj. Përkrahësit e tezës së ratifkimit të Marrëveshjes së Demarkacionit, duket se vuajnë nga sindroma e Stokholmit, (kur viktima shfaq shenja simpatie ndaj dhunuesit a grabitësit të saj). Në Malësinë e Gjakovës ekziston një shprehje që i përafrohet kuptimit të kësaj sindrome: “Delja e varrueme (e plagosur) prej ukit nuk i ndahet ma atij, por e ndjek pas”. Historikisht, është Mali i Zi që ka grabitur territoret e shqiptarëve. A mos duhet që, ashtu si delja e varrueme, ta ndjekim atë pas dhe t’i dhurojmë territorin tonë me vendim parlamentië

Një numër mbështetësish të kësaj teze, paraqiten më “krijues” dhe kërkojnë që, gjithsesi, të kryhet ratifikimi, por në marrëveshje të futet një nen, sipas të cilit, nëse zbulohen fakte të reja ligjore, me pëlqimin e palëve, pra të Kosovës dhe Malit të Zi, ajo mund të ndryshohet dhe të plotësohet. është e pakuptueshme çfarë faktesh të reja kërkohen, kur dihet botërisht që, deri në shpërbërjen e Jugosllavisë, Kosova e ka kontrolluar dhe menaxhuar territorin që shtrihet deri në Qafë të Çakorrit dhe Kullë. Kësaj i thonë, “Ja ujku- ti kërkon gjurmët”. Nga ana tjetër, përse u dashka të futet një nen i tillë, kur dihet që çdo marrëveshje e kësaj natyre e përmban një dispozitë të veçantë për denoncimin a shpalljen e saj të pavlefshme, si e drejtë sovrane e secilit vend nënshkrues.

Teza e ratifikimit të Demarkacionit dhe hapja e kësaj cështjeje në rast të “zbulimit” të fakteve te reja ligjore, nuk është gjë tjetër veç një orvatje për t’i hedhur hi syve opinionit publik dhe për të legalizuar, përgjithmonë, kalimin e Çakorrit dhe Kullës në përbërje të shtetit malazez.

Së fundi, ratifikimi i Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi, në dëm të Kosovës, mund të krijojë një precedent të rrezikshëm për përcaktimin dhe shënjimin e kufirit me Serbinë. A mos dikush po përgatit Kosovën për lëshime territoriale të radhës me Serbinëë

Politikanët dhe deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të ngrihen, të paktën, në nivelin e Millovan Gjilasit, i cili, para rreth 25 vjetësh (1993), ka deklaruar publikisht se kufiri midis Kosovës dhe Malit të Zi ka mbetur në Çakorr. Ata nuk ka pse të jenë më malazezë se Gjilasi. Çështjen e Demarkacionit ata duhet ta shqyrtojnë me seriozitet e përgjegjësi shtetërore e kombëtare, si shtetarë dhe si shqiptarë, pa pasione e zjarrmi partiake. Nëse veprojnë kështu, Demarkacioni nuk ratifikohet dhe kufiri mbetet aty ku ka qenë dhe ku është e drejtë të mbetet, në vijën Çakorr-Kullë. Në të kundërt, me shumë gjasë, historia do t’u rezervojë atyre një vend në stanin e esadistëve, të njohur për blerjen e pushtetit personal nëpërmjet shitjes së tokave shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat