Shqiptarët në Maqedoni, politika e mbrapshtë dhe logjika historike

Opinione

Shqiptarët në Maqedoni, politika e mbrapshtë dhe logjika historike

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 9 dhjetor 2017 Në ora: 13:18
Abdulla Mehmeti

Nëse politikanët shqiptarë për 27 vjet arritën ta degradojnë statusin e popullit shqiptar në pakicë kombëtare, me miratimin e Kushtetutës së Maqedonisë të vitit 1991 dhe ndryshimet e saj më 2001, në frymën e Marrëveshjes kornizë të Ohrit; që dimensionet e flamurit shqiptar t’i zvogëlojnë për 1/3 (në krahasim me dimensionet e flamurin e këtij shteti), i cili sipas ligjit aktualisht mund të përdoret vetëm në qytetet dhe vendbanimet me mbi 50% të popullsisë shqiptare, ndërsa gjuha shqipe (si gjuhë e qytetarëve 20%) të përdoret si gjuhë e dytë (gjuhë përkthimi nga maqedonishtja, jo zyrtare) vetëm në nivel të pushtetit vendor (komunat me shumicë shqiptare); sipas kësaj logjike, në 27 vitet e ardhshme, statusi juridik-kushtetues i shqiptarëve mund të avancohet në ,,pakicë e konsiderueshme”, përdorimi i gjuhës shqipe të zgjerohet në nivel rajonal, në komunat me shumicë shqiptare dhe disa institucione qendrore të shtetit, me të cilën do të mund të shërbehen vetëm të ,,zgjedhurit e popullit”, sa për formalitet dhe mbulesë para faktorit ndërkombëtar, jo edhe qytetarët shqiptarë për nevoja të përditshme para institucioneve dhe organeve të pushtetit, ndërsa flamurin e tyre kombëtar, shqiptarët do të mund ta përdorin pak më lirisht edhe në komunat dhe vendbanimet ku përbëjnë mbi 20% të popullsisë, por me të njëjtën madhësi të përçudnuar të këtij simboli identitar.

Kështu edhe në të ardhmen, në 27 vitet tjera të radhës, nëse do të mbetet dikush gjallë nga gjenerata e sotme, për ta kuptuar pas një gjysmë shekulli se çka domethënë strategji sllave, e çfarë kuptimi kanë fjalët: mashtrim, demagogji, mercenarizëm, tradhti! Por, atëherë nuk do të jenë gjallë politikanët e sotëm, ndërsa populli do t’i vuaj pasojat.

Për shtetin ligjor, intergrimet euroatlantike, integrimin në nivel kombëtar, ekonominë, zhvillimin, investimet, arsimin, shëndetësinë, kulturën etj., as që e kanë çarë kokën politikanët dhe partitë e shqiptarëve deri më sot.

Është tepër indikative dhe e çuditshme, si arritën organet e pushtetit, me ndihmën e partive politike të shqiptarëve, edhe përkundër faktit që shqiptarët përbëjnë mbi 35% të popullsisë në këtë shtet, përfaqësimi i tyre të ulet në nivelin 16% në Parlamant dhe afër 17% në administratën shtetërore! 

Ne vetë kemi lejuar dhe lejojmë që kjo të promovohet si historia jonë e ,,lavdishme”, prandaj nuk kemi të drejtë t’u hidhërohemi gjeneratave të reja që e braktisin me shumicë dhe kaq lehtësisht vendlindjen, duke i pshurrë bëmat tona ,,heroike” të derisotme!

A keni shtëpitë tuaja, o mjeranë? Ikni sa më parë nga skena politike se turpi ju ka mbuluar!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat