Parlamenti i Kosovës, një shtojcë e parlamentit serb

Opinione

Parlamenti i Kosovës, një shtojcë e parlamentit serb

Nga: Prof.dr. Eshref Ymeri Më: 24 nëntor 2017 Në ora: 23:49
Eshref Ymeri

I dashur Kolonel Laveri,

Analizën tuaj me titull “Ka një mijë mënyra të tradhtosh popullin”, të cilën ma dërguat sot me postë elektronike, e lexova me shumë kërshëri. Jam jashtëzakonisht i indinjuar për arrestimin e deputetëve të Vetëvendosjes. Ky akt antikombëtar dëshmon më së miri përsëri e përsëri se tradhtia është në krye të Kosovës. Prandaj këtu e më shumë se pesë vjet të shkuara, unë pata botuar në internet një shënim të shkurtër me titull “Tradhtia në krye të Kosovës” (13 mars 2012).

Por ajo çka dëshmon më së shumti për shëmtinë e realiteteve ndërshqiptare, ore i dashur kolonel me formim nacionalist, është heshtja tragjike e popullit shqiptar para tradhtisë së klasës politike. Ku është elektorati i Vetëvendosjes? Pse nuk çohet peshë më këmbë dhe të turret drejt parlamentit të tradhtisë kombëtare të Kosovës dhe t’u tregojë vendin tradhtarëve në shërbim të shovinizmit serbokaragjoz?

Elektorati i Vetëvendosjes, fatkeqësisht, nuk çohet në mbrojtje të Albin Kurtit dhe të deputetëve të tjerë, sepse tradhtia e krerëve që drejtojnë politikën kosovare që prej 17 shkurtit të vitit 2008, është bërë rutinë e jetës së përditshme të popullit shqiptar të Kosovës. Tradhtia atij i është bërë si buka e përditshme, është mësuar me të. Prandaj klasa politike në krye të qeverisjes së Kosovës, duke qenë e bindur se populli shqiptar i Kosovës është shndërruar në një mumje hesapi, i ka marrë hekurat zvarrë në turrin e papërmbajtur të tradhtisë kombëtare. Akti tradhtar i arrestimit të deputetëve të Vetëvendosjes, dëshmon edhe një herë më së miri se skenari dhe regjisura serbofranceze për arrestimin, gjykimin dhe lirimin e Ramush Haradinajt, bashkëpunëtorit më të ngushtë të Hashim Thaçit, ka funksionuar dhe vazhdon të funksionojë për mrekulli. Populli shqiptar i Kosovës e gëzoftë tradhtinë që ia ka bërë peshqesh klasa politike që po e drejton që prej shpalljes së pavarësisë, e cila vazhdon të mbetet një pavarësi thjesht në letër, sepse parlamenti i Kosovës, me mënyrën se si ka funksionuar që prej shkurtit të vitit 2017, ka dëshmuar dhe vazhdon të dëshmojë se ai s’është gjë tjetër, veçse një shtojcë, një filial i parlamentit serb.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat