Specialja, e vetmja shpresë për zbardhjen e vrasjeve politike

Opinione

Specialja, e vetmja shpresë për zbardhjen e vrasjeve politike

Nga: Mimozë Lakna Më: 23 nëntor 2017 Në ora: 12:16
Mimozë Lakna

Edhe 18 vjet pas mbarimit të luftës, Kosova vazhdon të mos ketë një sistem të mirëfilltë të drejtësisë. “Çalimi” i drejtësisë në Kosovë është përmendur edhe në shumë raporte ndërkombëtare, në vlerësimet e tyre për Kosovën. Si pasojë e këtij sistemi, vazhdon edhe enigma për vrasjet politike të pasluftës. Për 17 vjet me radhë nuk u bë e ditur asnjëherë se kush ishin vrasësit e veprimtarit të shquar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Xhemajl Mustafa.

Drejtësinë, nuk e kanë ndihmuar as organet ndërkombëtare të instaluara në Kosovë pasluftës. Ata vetëm sa i kanë zgjatur proceset dhe shpeshherë kanë hutuar opinionin.

Me të drejtë mund të thuhet se, EULEX-i nuk ka vend më në Kosovë. Ishte ky mision, që kishte deklaruar se hetimet për vrasjen e Xhemajl Mustafës ishin në fazën preliminare. As katër vjet pas kësaj deklarate, nuk ka asgjë të re rreth zbardhjes së këtij rasti.

Në anën tjetër, drejtësia vendore vazhdon të heshtë. Ministër pas ministri, për vite me radhë kanë premtuar depolitizimin e sistemit të drejtësisë. Këto premtime nuk janë mbajtur asnjëherë, në të kundërtën, tashmë shumë vrasës do t`i kishim prapa grilave.

Vetëm një proces Vettingu, do të mund të pastronte sistemin e drejtësisë nga gjykatësit dhe prokurorët e politizuar në Kosovë.

Derisa kjo të mos ndodhë, do të vazhdojmë të kemi vetëm deklarata e premtime boshe se një ditë do të dihen vrasësit dhe porositësit e tyre.

“Një dritë në fund të tunelit”, është Gjykata Speciale, e cila në bazë të mandatit për periudhën kohore të hetimeve, mund të përfshijë edhe hetimin e vrasjeve politike të pasluftës, të paktën ato që kanë ndodhur deri në fund të vitit 2000. “Vrasja e kundërshtarëve politik”, theksohet edhe në raportin e Prokurorit Clint Viliamson. Andaj, edhe shpresat e familjarëve të të vrarëve për motive politike janë të mëdha, se më në fund një institucion aq i rëndësishëm do të merret me këto raste.

Do të mjaftonte vetëm zbardhja e njërës nga këto raste, për t`u zbardhur edhe të tjerat. Shënjestra e vrasësve ishin përfaqësues të LDK-së dhe përkrahës të Presidentit Ibrahim Rugova. Madje, edhe mënyra se si ata janë vrarë është thuajse e njëjtë. Kjo nënkupton se vrasjet ishin të organizuara nga persona të njëjtë.

Thirrja për drejtësi tashmë duhet t`i bëhet Gjykatës Speciale.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat