Mos qofsha në lëkurën e Kryeministrit!

Opinione

Mos qofsha në lëkurën e Kryeministrit!

Nga: Fadil Maloku Më: 21 nëntor 2017 Në ora: 20:29
Fadil Maloku

1. Këmbëngulësia në politikën bashkëkohore, nuk njihet si ndonjë virtyt përcjellës që i shquan politikanët karizmatik. E në veçanti ata të cilët kanë probleme dhe nevojë jetike, të realizimit dhe të "pranimit" nga të tjerët, siç është rasti ynë.

2. Politikani i sotëm modern racional, zakonisht punon me sistem dhe ekipe të tëra "informuese", "debatuese", "promovuese" e  "imponuese" në publik. Në mënyrë që "ekzekutuesi", ta ketë shumë më të lehtësuar, si vendimarrjen vetanake, ashtu edhe pëlqimin adekuat të rrethit.

3. Nuk jam fortë i njohur me ekipin këshillëdhënës të kryeministrit Haradinaj, por kujtoj që në këtë fazë delikate politike nëpër të cilën po kalon aktualisht Kosova, cilido kryeministër që do ishte në pozitën e tij, do të duhej t'i testonte shumë më shpesh logjikat dhe gjuhën e "shkopit" (në vendimarrjet qeveritare) dhe atë të "karrotës" (në raport me Brukselin).

4. Themi kështu, edhe për arsye se; stoicizmi i deritanishëm i improvizuar dhe i përdorur enkas për konsum të brendshëm, shumë vështirë që do mund ta "blejë", si koegzistencën e brishtë të koalicionit, ashtu edhe mbijetimin e nevojshëm politik.

5. Kur gjithë kësaj "odisejade" i shtojmë edhe pranimin (apo edhe refuzimin!) eventual që po ushtrohet "online", nga qendrat e vendimarrjes globale, atëherë sfidat e: demarkacionit, asociacionit, Gjykatës Speciale, ushtrisë, proceseve integruese...etj., duket që do kërkojnë përveç elasticitetit të nevojshëm diplomatik, edhe një këmbëngulësi të pahetuar racionale dhe një butësi të shoqëruar iracionale...

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat