Zgjedhje pa zgjidhje

Opinione

Zgjedhje pa zgjidhje

Nga: Endrit Binakaj Më: 17 tetor 2017 Në ora: 19:00
Endrit Binakaj

Për Kosovën ky vit ishte mjaft i kushtueshëm sa i përket kostos së mbajtës së zgjedhjeve nacionale të parakohshme në qershor si dhe tashmë gjendemi në fluksin më të madh të fushatës elektorale për kryetarë komunash, të rregullta pas atyre të fundit të mbajtura në vitin 2013.

Por a janë më të vërtetë zgjedhjet zgjidhje e problemeve të qytetarëve të rëndomtë?

Besoj që secili nga ne, ia parashtron vetes shumë shpesh këtë pyetje legjitime, në rastin ideal po flas, zgjedhjet e kaluara në krahasim më këto të tanishme do të duhej ta rritnin kualitativisht debatin për progres të mëtejshëm, të sfidave dhe projekteve të ardhshme, e jo të merremi prap me problemet e katër viteve të kaluara, pra të debatojmë përsëri për elementet esenciale jetësore si: ujin, kanalizimin, trotuaret, parkingjet.. etj. Dakord, këto janë pjesë e përditshmërisë të jetës së qytetarëve tonë, por tani kandidatët aktual që kanë qenë kryetarë të mëparshëm duhet t’i tregonin së paku jo vetëm ato të arritura minore në raport me premtimet megalomane por edhe ta ndjenin përgjegjësinë e tyre në mos përmbushjen e zotimeve, këtë do ta bënin nëse nuk do ta merrnin guximin të ri kandidonin përsëri. Debati në kushtet e një shoqërie prosperuese do të duhej të avancohej në fusha specifike dhe nevojave imediate të kohës, por për ta bërë këtë duhen kandidat të rinj më përvojë dhe vizion më ndryshe nga çfarë kemi parë deri më tani, nga ajo çka po shoh deri tashmë, pothuajse është e pamundur të gjendet një vizion i tillë, mbase në rrafshin e konceptit teorik po, por në ambientin aktual politik është thuajse e pamundur realizimi i një programi të tillë, kur dihet mirëfilli se ne ende si shoqëri vuajmë nga problemet bazike për jetë.

Vetëm paramendoni debatin për kryeqytetin, ende flasim për të arriturat, nëse janë të tilla, si: uji i pijshëm, kanalizimi, trotuaret... e për tematika tjera, si ndotja e ajrit, mungesa parkingjeve, infrastruktura shkollore e shumë sfera tjera, elemente jetike për qytetarin janë pothuajse të pa arritshme.

Vendet e Evropës Juglindore e sidomos këto të Ballkanit Perëndimor, vuajnë nga një sistem klientelist, ku pothuajse çdo segment i jetës është i varur nga strukturat politike, sidomos kur kemi të bëjmë me politika lokale, vota është e shantazhuar, e kapur nga garnitura që ka arritur ta rrëmbej ndonjë militant partiak brenda godinës së Komunës, për ta punësuar e tashmë si favor i kërkon jo vetëm votën e tij, që do ishte fare e natyrshme por edhe të rrethit të ngushtë e të gjerë familjar e shoqëror, në të kundërtën pushohet nga puna. Instalimi i kësaj kulture shantazhi, e bën votuesin e varur e rrjedhimisht politikanin tejet arrogant, jo shume kokë-qarës për elektoratin.

Fundi i fushatës po afrohet, gara politike sa vjen e shtohet, kjo garë shikuar nga dioptria personale është më shumë “vrapim” për t’u rehatuar në kolltukun e të parit të Komunës dhe zënien e  një ulëse në Kuvendin komunal, nga ana e pretenduesve për asamble komunale. Sa për ilustrim se a janë aktualisht bartësit apo opsionet për asamble komunale të denjë (ka edhe të tille, por shumë pak fatkeqësisht) e dëgjova në bisedë mes miqsh, kur njëri nga kandidatet për asamble, teksa e kërkonte votën, si të thuash në mjedise krejt familjare thoshte, kur e pyetën: se çfarë do premtosh për lagjen tonë? Ai sikur u tregua i çiltër: “Paj, po i’u tregoj drejt, e kam një kredi e shpresoj ta paguaj për këto katër vite”,  sa e sa kandidati i tillë ekziston nëpër listat e partive politike veç për numër e jo për garë të vërtetë që rrjedhimisht do ta rriste cilësinë e kompeticionit në shërbim të përmirësimit të jetës publike.

Më këtë diskurs debati të kandidatëve për kryetarë të komunave dhe këso soji të kandidatëve për asamble, zgjedhjet e sivjetshme lokale to jenë cikël formal i përsëritjeve të zgjedhjeve të vitit 2013, për fatin tonë të keq në stadin e zhvillimit që jemi nuk mund të presim ndryshe.

Derisa të vazhdon ky avaz i riciklimit të figurave politike nga drejtorë komunalë në kandidat për asamble dhe anasjelltas, dhe derisa të mos bëhet paksa ndërrimi i gjeneratave, atëherë edhe nëse as kjo nuk ndodh, përsëri pas katër viteve, në vitin 2021 do të kemi të njëjtën shfaqje me aktorë pothuajse identik, vetëm do kemi ndërrim pozitash, të zgjedhjeve pa zgjidhje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat