Pse Shqipëria u përjashtua nga Samiti i Varnës?!

Opinione

Pse Shqipëria u përjashtua nga Samiti i Varnës?!

Nga: Enver Bytyçi Më: 5 tetor 2017 Në ora: 17:55
Enver Bytyçi

Kryeministrat e katër vendeve ballkanike, Greqisë, Rumanisë, Bullgarisë dhe Serbisë, janë mbledhur sot në Varna të Bullgarisë, në një takim, të cilin Tcipras nuk e konsideron si politik, por që “Huffington Post” e konsideron si praktik dhe të rëndësishëm për gjeopolitikën e rajonit. Nga takimi ka dalë një kërkesë e përbashkët për Presidentin e Komisionit Europian, Junker, që ky komision të financojë ndërtimin e një linje hekurudhore që lidh Selanikun me qytetin bregdetar të Bullgarisë, Varna. 

Ndonëse takimi në fjalë është motivuar me axhendën e Samitit të Selanikut të vitit 2003 për integrimin e vendeve të rajonit në BE, Shqipëria dhe Maqedonia nuk janë ftuar të bëhen pjesë e tij, edhe pse këto dy vende ishin asokohe pjesë e kësaj axhende. Ndërsa me shpalljen e pavarësisë së tij edhe Mali i Zi që prej vitit 2006 konsiderohet pjesë e asaj axhende. Pa folur për Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën. Në fakt axhenda e tri prej këtyre katër vendeve është kundër integrimit të Kosovës në BE, sepse këto tri vende, përkatësisht Greqia, Rumania dhe Serbia nuk duan ende ta njohin shtetësinë e saj. Pra, deklarata e kryeministrit grek se takimi na qenka në vazhdën e përpjekjeve që prej Selanikut të 2003 për integrimin europian bie poshtë. Në atë samit nuk ishte vendosur thjesht për Serbinë, por për të gjitha vendet e rajonit.

Ky samit i tri vendeve të BE-së plus Serbia do të rimblidhet herën tjetër në Beograd. Duket kështu se është themeluar një aleancë midis këtyre katër vendeve. Po t’i referohemi historisë, atëherë me samite të tilla asocohet Aleamva Ballkanike e vitit 1912, kur katër vende balklkanike, përkatësisht Serbia, Greqia, Bullgaria dhe Mali i Zi u bënë bashkë politikisht e ushtarakisht dhe në emër të luftës kundër Perandorisë Osmane kërcvënuan ekzistëncën fizike të shqiptarëve si dhe ekzistencës politike të Shqipërisë dhe Maqedonisë. Pikërisht këto dy vende janë përjashtuar nga samiti i Varnës. Eshtë përjashtuar dhe Mali i ZI, i cili tashmë ka ndërruar lokomotivën e lëvizjes nga Lindja në Perendim. Por vendin e Podgoricës e ka zënë Bukureshti, ndonëse Aleanca Ballkanike në fazën e dytë të ekzistëncës së saj para 104 vitesh u drejtua kundër Rumanisë. 

A do të thotë kjo se këto katër vende po komplotojnë edhe sot kundër Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë?! Vështirë të bëhet një paralele me situatën e zhvilluar para një shekulli, megjithatë në rend të ditës ishin të njëjtat aspirate, kërkesa dhe probleme për gjeopolitikën ballkanike si edhe sot. Por sot është shtuar në rajon një aktor i ri dhe i rëndësishëm gjeopolitik, NATO dhe SHBA. Ndikimi amerikan dhe prezenca e BE-së në rajon është e fuqishme dhe tri nga këto vende janë anëtare të BE-së dhe NATO-s. Pra politikisht janë në të njëjtin tren si dhe Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi. Por ka një lidhje që shkon përtej politikës, ajo është lidhja sentimentale lindore ortodokse si dhe interesi i përbashkët për një infrastrukturë që kontrollohet prej këtyre vendeve, duke përjashtuar vendet e tjera të rajonit. Nëse dikujt në Ballkan do t’i duhet të dominojë, ai detyrimisht do të duhet të kishte përparësi në ngritjen e vendit të tij si fuqi ekonomike dhe si nyje lidhëse e urave të komunikimit mes kontinentin europian me pjesët e tjera të botës, madje të bëhej urë lidhëse në këtë kommunikim të Fuqive të Mëdha ekonomikë të botës. Serbia e Greqia e preferojnë këtë status, për pasojë është në interesin e tyre që Shqipëria, Maqedonia e Mali i Zi, Kosova dhe Bosnja po e po, të injorohen dhe të mbeten në bisht të iniciativave rajonale. Bullgaria dhe Rumania gjithashtu nuk kanë arësye të imponojnë qëndrimet e tyre. Për pasojë më shumë se gjysma e kryeministrave të rajonit munguan në Samitin e Varnës dhe me shumë gjasa do të mungojnë në samitet e ardhshme.

Ajo që bie në sy ka të bëjë me atë se samiti i katër vendeve të mësipërme duket se përballet dhe konkuron Axhendën e Berlinit për rajonin. Kjo arësyetohet me faktin se tri vendet anëtare të BE-së, përkatësisht Greqia, Rumania dhe Bullgaria, duken të pakënaqura për zbehjen e rolit që kishin si “kujdestare” e për integrimet europiane të Ballkanit Perendimor. Selaniku ishte qendra e projekteve europiane për “përgatitjen e vendeve të Ballkanit për në BE”. Axhenda e Berlinit ka mbyllur rubinetin e parave që Brukseli i destinoi për xhepat e Athinës. Prandaj mund të duket si organizim inatçor e si një lëvizje politike me qëllim imponimin e rolit të këtyre tri vendeve për procesin e integrimeve europiane.

Megjithatë fakti që vetëm një nga 6 vendet e rajonit të interesuara për integrime euro-atlantike merr pjesë në këtë samit e bën gjithçka të dyshimtë dhe çon në hamendësime gjeopolitike më të thelluara. Rumania dhe Bullgaria janë vende që kanë pakte ushtarake me NATO-n dhe SHBA-të. Megjithatë në të dy këto vende ka një opozitë të fuqishme proruse. Greqia e Tciprasit dhe vetë kryeministri grek kanë shfaqur hapur prirjen për një lidhje të qëndrueshme në boshtin Moskë-Athinë. Ndërsa Beogradi sapo pranoi dhuratën ruse të avionëve luftarakë, ndërkohë që oficerët e të dy vendeve punojnë me instruksione për përdorimine tyre. Në Moaskë para pak javësh u promovua edhe njëherë iniciativa e Lidhjes Ortodokse, një aleancë e themeluar që në fillimin e shekullit XIX, e cila ka për qëllim grupimin gjeopolitik të ortodoksisë kundër civilizimeve të tjera.

Retorika e këtyre ditëve katalanjase në Beograd është e fuqishme kundër mëvehtësisë së Kosovës, që shkoi deri te një precedent i panjohur më parë, letra që Vuçiç u ka dërguar 22 vendeve të BE-së që ato të tërheqin njohjen e shtetit të Kosovës. Orekset e Beogradit, por deri diku edhe të Athinës, janë shtuar në raportet me Moskën. Athina mund të kërkojë ndryshimin e kursit të saj në vijën e vjetër tradicionale ortodokse edhe për shkak të Turqisë, me qëllim që të mbështetet te ndikimi i Moskës për të neutralizuar qëndrimet e veprimet antigreke të Ankarasë. Të gjitha janë në tavolinë dhe asgjë nuk është më si më parë. Secili bën llogaritë e tij dhe në këto llogari kërkon të përfitojë sa më shumë. 

Tirana zyrtare nuk ka reaguar ende dhe nuk pres që ajo të reagojë për këtë përjashtim që i bëjnë vendet e tjera të rajonit. Krerët e shtetit e dijnë tashmë se ky përjashtim nuk ka ndodhur nga frika e prishjes së protokollit të atleteve të kryeministrit tonë, por nga shkaqe madhore gjeopolitike. Megjithatë urojmë që kjo ngjarje të kthjellojë Tiranën zyrtare se është e pammundur të mbështetesh në “sinqeritetin” e politikave serbe për bashkëpunim gjithëpërfshirës me Beogradin. Edhe partizanët shqiptarë më 1944-1948 betoheshin në vëllazërim-bashkimin shqiptaro-serb, por dardha e pati bishtin prapa. Nga vëllezër shqiptarët e serbët u shndërruan brenda natës në armiqtë më të mëdhenj të rajonit. Natyrisht armiq ideologjikë, derisa Kosovën e lanë në mëshirën e fatit nën siglën e bashkim-vëllazërimit!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat