Kosovën e kërcënon rreziku nga imponimi i një kompromisi të keq politik me Serbinë

Opinione

Kosovën e kërcënon rreziku nga imponimi i një kompromisi të keq politik me Serbinë

Nga: Prof.Dr.Mehdi Hyseni Më: 23 gusht 2017 Në ora: 18:19
Prof.Dr.Mehdi Hyseni

***- Atëherë, çfarë do të bënin Hashim Thaçi, Enver Hoxhaj, Edi Rama, Ilir Meta  dhe E.Tahiri, nëse në mbyllje të Dialogut të Brukselit(2011-2017), presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq (në marrëveshje me Rusinë), do të dilte me propozimin se Beogradi e njeh Kosovën, por me kusht që kjo të pranojë hyrjen në Unionin (federal ose konfederal) me Serbinë?
 
-Vetëm në këtë rast të imagjinuar dhe të spekuluar politik, Beogradi dhe Moska, do të bënin të mundur që Kosova, të pranohej në Organiztatën e Kombeve të Bashkuara, sepse do ta votonin edhe Rusia, edhe Serbia, edhe Kina, si dhe të gjithë aletatët e tyre, që deri tani nuk e kanë njohur Republikën e Kosovës, sepse kjo, do të ishte forma e vetme e rujatjes së lidhjes institucionale të interesave politike, juridike dhe kushtetuese të Serbisë në Kosovën e pavarur (17 shkurt 2008).
 
Mirëpo, që të mos ndodhë diç e tillë katastrofike për Kosovën, apo arritja e ndonjë kompromisi tjetër politik të imponuar, që do ta zhvishte Kosovën nga atributet e saj shtetërore (pavarësia, territori dhe sovraniteti i plotë), qeveria dhe parlamneti i Kosovës, do të duhej të merrnin vendim të prerë, që  urgjentisht të ndërpritet Dialogu i Brukselit. Ndryshe, një kompromis i keq dhe i imponuar nga Serbia dhe nga mbështetësit e saj, pritet ta “ndëshkojë” Republikën e pavarur të Kosovës (17 shkurt 2008).
 
Dialogu i Brukselit nuk sjell njohjen e Kosovës nga Serbia, as nga  Kombet e Bashkuara, kjo është utopi e shkretë apolitike
 
Mirëpo, siç njohtojnë masmediat Enver Hoxhaj (ish-ministër i Jashtëm i Kosovës), në një intervistë dhënë gazetës së përditshme  vjeneze “Der Standard” të Austrisë,  ka deklaruar të kundërtën :” Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, do të përfundojë me njohjen reciproke dhe me anëtarësimin e Kosovës në OKB”.
 
Sipas kësaj deklarate del se epilogu i Dialogut të Brukselit (2011-2017) mes palës negociuese serbe të Beogradit dhe asaj shqiptare të Prishtinës, do të jetë njohja e Kosovës së pavarur nga ana e Republikës së Serbisë.
 
 Një përfundim i tillë i Dialogut të Brukselit në favorin e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Serbia dhe nga Kombet e Bashkuara, do të mund të ndodhte vetëm nëse do të pajtoheshin Beogradi dhe Moska, e cila me VETO-n e saj qe 9 vjet e ka bllokuar statusin e ri të Kosovës, duke mos lejuar që të shfuqizohej Rezoluta 1244 e KS-së OKB-së, e cila decidivisht nuk e njeh e Republikën e Kosovës, por e konsideron si pjesë legale të Serbisë, si sukcesore e ish-RSFJ-së.

Sipas ABC-së doktrinare dhe praktike, asnjë dialog politik paqësor qoftë me karakter rajonal, evropian a ndërkombëtar, nuk mund të përfundojë, pa pëlqimin e palëve negociuese qoftë dypalëshe apo shumëpalëshe, përkatësisht pa arritjen e kompromisit politik të ndërsjellë mes tyre. Këtë e ka vërtetuar edhe historia e derisotme e praktikës së marrëdhënieve ndërkombëtare  e shteteve të ndryshme, se nuk mund të ketë kompromis politik të NJËANSHËM, domethënë, të fitojë vetëm njëra palë në konflikt, e tjetra të humbas krejtësisht.

-Vendim i njëanshëm në favorin e njërës palë negociuese, mund të arrihet  në rastet e caktuara specifike (nëse rrezikohet paqja dhe siguria botërore), nëse njëra palë nuk pajtohet  në asnjë pikë me palën kundërshtare, ashtu siç ndodhi në Konferencën e Rabujesë, kur përfaqësuesit e delegacionit serb me Ratko Markoviqin në krye, patën hedhur poshtë të gjitha propozimet e bëra nga ana e palës shqiptare dhe nga ana  e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ( 23 shkurt 1999).

Gjithashtu,  Plani paqësor për Kosovën i Marti Ahtisarit (2007) qe miratuar, pa pëlqimin e Serbisë, për  shkak se delgacioni i saj negociues nuk pranoi asnjë nga  propozimet e tij.

Në të dy rastet e theksuara, nuk u arrit kurrfarë kompromisi politik mes palëve negociuese, për shkak të destruktivitit, refuzimit dhe  të bojkotimit të palës serbe në rastin zgjidhjes paqësore të çështjes së statusit të Kosovës. Kështu që, përfaqësuesit ndërmjetës të bashkësisë ndërkombëtare (SHBA-ja, OKB-ja dhe BE-ja) qenë të detyruar t’ia impononin zgjidhjen e drejtë Serbisë për rastin e Kosovës përmes së cilës Serbia me  terrorin dhe me gjenocidin e saj rrezikonte stabilitetin, paqen dhe sigurinë evropiane dhe ndërkombëtare. Mbi këtë bazë arrihet edhe Rezoluta 1244 e KS të OKB-së (10 qershor 1999) për vendosjen e trupave paqëruajtëse të NATO-s dhe të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, me ç’rast policia, ushtria dhe njësitet paramilitare çetniko-fashiste  barbare dhe gjenocidale me “bisht ndërkëmbë” braktisën përfundiishit Kosovën, që e kishin djegur, maskaruar(foshnja, fëmijë, të rinj, gra e burra), plaçkitur dhe shkretënuar   jo më pak se një dekadë nën sundimin e egër të Serbisë  policore dhe militariste të kryekriminelit Slobodan MIlosheviq (1989-1999).
 
Për ndryshim nga dy dështimet e arritjes së kompromosit  politik me palën serbe (në Ramubuje dhe në  negociatat e Vjenës për zgjidhjen e statusit të Kosovës, të drejtuara nga emisari special i OKB-së Marti Ahtisari), Dialogu i Brukselit (2011-2017) nuk ka gjasë  të përfundojë  me zgjidhje të njëanshme të imponuar qoftë palës serbe, qoftë palës shqiptare, sepse që nga fillimi i negociatave të tyre, janë pajtuar, që në fund, të arrihet një kompromis politik në inetresin e të dy palëve kinse për normalizimin e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës.
 
Së fundi, nëse do të vinte në shprehje “teoria politike parashikuese” e Enver Hoxhajt, që Dialogu i Brukselit të përmbyllej me njohjen e shtetit të Kosovës nga Beogradi zrytar, atëherë lind pyetja, çfarë do të ishte kundërvlera politike  për këtë njohje nga ana e palës negociuese  shqiptare e Kosovës? – Më thjesht, në këtë rast, çka do t’i jepte Kosova Serbisë për t’u arritur kompromisi politik reciprok në Dialogun e Brukselit (2011-2017)?
 
-E lehtë është të  pohohet se “Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës në dialogun e Brukselit”. –Këtë do ta kishin dashur të të gjithë shqiptarët. Mirëpo, kjo është vetëm një utopi politike,  asgjë më shumë ngase dialogu serbo-shqiptar në Bruksel nuk po zhvillohet, që Serbia ta njohë as de fakto  e as de jure Kosovën, por që ta vërë në pikëpyetje pavarësinë dhe sovranitetin territorial dhe shtetëror të Kosovës. Ky është synimi kryesor dhe përfundimtar i Serbisë, që me ndihmën e faktorëve evropianë ndërkombëtarë,  të arrihet ndonjë kompromis, që ajo gradualisht qoftë në formë të copëtimit kantonal, qoftë të krijimit të Srpska zajednicës (sikurse Srpska Republika e Bosnjës), ku në të dy rastet, do të vinte në shprehje edhe  legalizimi i administrimit  të organeve dhe të institucioneve ekzekutive në territoirn e enklavave të banuara me serbë.
 
Sipas Enver Hoxhajt, Serbia   qëmoti  e ka njohur Kosovën, qëkur ka filluar “dialogu teknik” i Brukselit). Mirëpo, faktet flasin ndryshe, sepse as politika e as diplomacia e Serbisë deri tani, nuk kanë dhënë asnjë argument valid se  e  “ njohin” apo “do ta njohin”   pavarësinë e Kosovës, me gjithë zhvillimin e dialogut në Bruksel (2011-2017).
 
Pavarësisht se çfarë ka deklaruar  ish-ministri i Jashtëm I Kosovës, Enver Hoxhaj, Dialogu në Bruksel (2011-2017)  mes palës serbe dhe asaj shqiptare të Kosovës, në agjendën protokollare të tij( me ndërmjetësimin e BE-së) nuk ka në fokus njohjen e Republikës së Kosovës nga ana e Serbisë, por parashikon arritjen e një kompromisi politik të dyanshëm. Çfarë do të jetë ai, kjo mbetet  për t’u parë. Këtë nuk mund ta dijnë as Enver Hoxhaj, as presidenti Hashim Thaçi e as Edita Tahiri (ish-minstre për integrime evropiane).

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat