Bombardimet e NATO-s dhe shpërngulja biblike

Opinione

Bombardimet e NATO-s dhe shpërngulja biblike

Nga: Gani Mehmetaj Më: 11 gusht 2017 Në ora: 07:21
Gani Mehmetaj

Para se Kosova të mbyllej hermetikisht, vajtje-ardhjet e diplomatëve perëndimorë në Beograd nuk pushonin. Riçard Hollbruku, diplomat i rryer amerikan, tejet energjik, ishte njeriu i fundit, i cili i ofroi Serbisë paqe, para se të nisnin bombardimet. Milosheviçi nuk e pranoi as këtë ofertë, shpresonte se bashkësia ndërkombëtare po bënte blof, ose priste ndihmën e Rusisë.

Në ekranin e televizorit i shikoja si i mpirë kolonat e mbikëqyrësve ndërkombëtarë derisa tërhiqeshin nga vendi me automjetet e tyre karakteristike. Uiliam Uolker nuk do të rrinte më që të raportonte e të protestonte për krimet e ushtrisë e policisë serbe. Askush s’do të mbetej dëshmitar i krimeve, askush s’do të pengonte krimet serbe, kështu që pritej hakmarrja mizore. Kolonat e gjata të makinave shkonin drejt Hanit të Elezit, ndërsa njerëzit e paktë rrugëve shikonin të hutuar. Ditë të frikshme po afroheshin. Garancia e fundit po e braktiste vendin. 

Raportet bënin me dije se presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, u kthye në Prishtinë nga Franca, megjithëse aleatët e këshilluan të rrinte në ndonjë kryeqytet evropian. Ai ndenji disa orë në Aeroportin e Rinasit, na raportuan nga Tirana, pa pranuar të takohej me zyrtarët shqiptarë, të cilët u treguan të pabesë gjatë gjithë kohës. Njeriu i parë i Kosovës vendosi të kthehej në vendin e vet. S’kishte asnjë kuptim që ai t’i shmangej fatit, kurse popullata të vritej e të vuante. Askush nuk do t’ia falte një veprim të këtillë.

Sikur të qenë marrë vesh, u përhap një parullë e përgjithshme: askush nuk duhej ta braktiste vendin. Toka pa zot, është tokë e humbur. 

Pamjet që shiheshin në ekranin e televizorit më përziheshin me imazhet që i krijoja në mendjen time, duke u përpjekur të ndrydhja skenat e frikshme që imagjinoja. Më duhej të shkruaja një porosi redaksionale për lexuesit që jetonin në Perëndim. Shumica syresh patën njerëzit e vet brenda darëve të hekurta, ata e kaluan një pjesë të madhe të jetës së tyre në atë vend që po mbyllej për botën, ndërsa e shikonin të pafuqishëm në televizor, ose lexonin lajmet në gazeta si të babëzitur. Mundësi të ndryshonin gjërat nuk kishin. Të gjithë të afërmit e farefisin i pata prapa perdes së hekurt që u krijua. Ndërkaq, pritej fillimi i bombardimeve të NATO-s. Agjencitë botërore dhanë lajmin se fillimin e bombardimeve do ta shpallte presidenti amerikan, Bill Klinton. 

Me Avni Bulliqin na shkoi dita në redaksi, duke pritur lajme të reja dhe duke e përgatitur gazetën. Koha e caktuar e dorëzimit në shtyp na rrinte si shpata e Demokleut, na stresonte sa na e hante shpirtin. Përpiqeshim të fusnim sa më shumë lajme e shkrime nga terreni, prisnim zhvillime të reja, lexuesit i kapërdinin informatat, përpiqeshim të bëheshim sa më aktualë, sepse ngjarja e shkelte ngjarjen brenda disa orëve, apo edhe më shpejt, brenda disa dhjetëra minutash. 

Bashkëkombësit tanë ndonjëherë i lëshonte durimi, na telefononin: ju lutem, a dini çfarë po ndodh në katundin tim, pyesnin të shqetësuar, mezi mbusheshin frymë. Ndonjëherë nuk na mungonin informacionet as për katundet veç e veç, shpeshherë të zymta, por përpiqeshim t’ua zbusnim, ndonjëherë nuk dinim asgjë. Ndërkaq, ata në të dy herët e lëshonin receptorin e telefonit të dëshpëruar. 

Lajmet atë ditë vinin shqetësuese, të frikshme, me të vrarë e të plagosur, me mijëra refugjatë, të cilët natën e kalonin nëpër male. Zonat që u bombarduan nga artileria serbe, detyruan popullatën të iknin nëpër strehimoret e natyrës. Dhjetëra katunde u dogjën ende pa nisur bombardimet e NATO-s. Kampet përtej kufirit prisnin prurje të reja. 

Korrespondentët tanë nga terreni nuk pushonin, megjithëse sot dukeshin disi të shurdhër, më shumë në pritje të asaj që do të ndodhte. Pritej vendimi i Uashingtonit. Asnjëri nga korrespodentët nuk e braktisi shtëpinë as qytetin. Por mundësitë e qarkullimit për mbledhjen e informatave iu kufizuan. Çdo çast mund t’i vrisnin po të merrnin vesh policia se ata janë gazetarë, madje që raportojnë për një gazetë e cila botohej në Perëndim. Më dukeshin heronj që s’kishte kush t’u jepte medalje. Por ata s’donin medalje, as shpërblime, ata donin ta kryenin punën e të shpëtonin familjen. 

Në këtë situatë dramatike përpiqeshim ta zbusnim atmosferën me batuta përmes telefonit: “Do t’ju shpallim heronj të punës socialiste!” Kurse ata ma kthenin: “ Të shpëtojmë gjallë, të tjerat ua fali me të dyja duart heronjve socialistë e kapitalistë!” 

E përgatitëm gazetën, e dorëzuam në shtyp. Ekranet e agjencisë Rojters, shërbimet e së cilës i shfrytëzonim, dhe kanalet e mëdha televizive i ndiqnim orë e çast lidhur me situatën më të re. Kosova u bë top story, kreu i ngjarjeve. Prisnim kumtim më të rëndësishëm: shpalljen zyrtare të bombardimeve të caqeve serbe. Thuhej se avionët e NATO-s prisnin me motorë të ndezur. 

Në orën 20.00 të datës 24 mars të vitit 1999, presidenti i SHBA-së, Bill Klinton, doli në ekran. Më të tronditur ishim ne që e ndiqnim sesa ai që do të shpallte fillimin e një lufte, fundi i së cilës nuk dihej. Të gjithë shpresonin se ai do të jepte lajmin për nisjen e bombardimeve, zemra më rrihte fuqishëm, m’u duk se do të më dilte nga gjoksi. As ata që më rrinin pranë, nuk qetësoheshin, lëviznin me karrige, luhateshin apo shtrëngonin grushtet. Dikush pran meje qau. 

Klintoni që në fjalët e para kumtoi se pas përpjekjeve për zgjidhjen paqësore të konfliktit, në konsultim me aleatët, u vendos fillimi i bombardimeve derisa të gjunjëzohej shteti mujshar. Ai vazhdoi të fliste për shpëtimin e shqiptarëve nga gjenocidi, për aksionet humanitare, për fundin e krimeve serbe, ndërsa njerëzit përqafoheshin në mes vete. Derisa të gjithë u ngritën në këmbë me eufori, pa dashje më shkoi nëpër mend: Athua si do t’i bëhej halli popullatës brenda rrethojave të hekurta! Si do t’ia bënin serbët pas bombardimeve? Do të nisnin gjuetinë e shtrigave, apo do të hapnin kufijtë e do të dëbonin popullatën? Televizionet jepnin pamje satelitore të caqeve serbe që bombardoheshin, ndërsa ne i ndiqnim si të qemë tifozë futbolli, por të një ngjarjeje më dramatike, sepse kësaj radhe nuk vendosej fati i një ndeshjeje, por vendosej fati i një kombi. 

Disa u përpoqën të marrin me telefon njerëzit e tyre, atje ku shpërthenin bombat. Lidhjet e ngarkuara vetëm sa ushtonin, po bëhej shurdhëri e frikshme. Për herë të parë nisi të binte euforia e gëzimit për bombardimet. 

Gjithë natën e kaluam në kërkim të lajmeve të reja. Televizionet sikur e përsërisnin veten e njëra-tjetrën me pamjet e njëjta dhe me raportet e ngjashme. Na mbyste padurimi. Kërkonim diçka që s’ kishte në televizor, kërkonim imazhet e familjeve tona, brenda shtëpive, në dhomat e mbyllura me errësim të detyrueshëm. Na e merrte mendja që rrinin të cucërruar me veshët e mprehur për të kapur jo vetëm shpërthimet e predhave të aeroplanëve, por edhe zhurmat më të vogla rrugëve të qytetit e korridoreve të banesave.

Të gjithë shihnim të tronditur nga ajo që po ndodhte, sidomos nga ajo që mund të ndodhte. Diku nëpër rrugë e rrugica vraponin në errësirë ushtarët serbë në panik nga avionët e NATO-s.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat