Vrasja e Enver Malokut – fillimi i vrasjeve politike

Opinione

Vrasja e Enver Malokut – fillimi i vrasjeve politike

Nga: Gani Mehmetaj Më: 7 gusht 2017 Në ora: 07:19
Gani Mehmetaj

-E vranë Enver Malokun! - ma kumtoi lajmin e kobshëm me telefon njëri nga anëtarët e Qendrës Informative të Kosovës(QIK). Enver Maloku, ish-gazetar i TV Prishtinës, ishte përgjegjës i Qendrës Informative të Kosovës. Kumti më ra si goditje e çekanit, s’ dija ç’t’i thosha. Ku? Si? Kush? M’u vijëzuan pyetjet, që nuk arrita t’i artikuloja. Por ai më shpëtoi nga situata: kumtesën do ta japim pas pak, më tha po aq i tronditur sa edhe unë.

U solla vërdallë. Nuk më kujtohej e lëshova receptorin në vendin e vet, apo jo. Nuk m’u kujtua fare kush qe në linjë, megjithëse të njëjtin zë e dëgjoja çdo ditë, kur interesohesha për lajmet e QIK-ut. Përpiqesha të sillja pamjet e vrasjes. Më dolën parasysh pamjet e përpjekjes së parë për ta vrarë, ashtu sikurse më tregoi para disa kohësh Enveri. Një njeri në shkallët e apartamentit shkrepi plumbin, i cili bie rikoshet në rrethojën e shkallës. Habia e Malokut: çka po bën, more burrë! Dhe largimi i befasishëm i atentatorit. Kështu afërsisht më kishte rrëfyer Enver Maloku për atentatin e parë. E plagosën edhe Sabri Hamitin, i cili shpëtoi.

 Më vonë çdo gjë kaloi në heshtje, ose ngjarjet tjera dinamike të dhunës serbe e qitën në harresë atentatorin shqiptar. Por ata që tentuan t’ia shuajnë jetën herën e parë, nuk e lanë në harresë. E përgatitën atentatin e dytë, që fatkeqësisht nuk u dështoi. Ishin shqiptarë, sipas të gjitha gjasave. Kështu nisi lufta e brendshme, e tipit të atentateve, si në kohën e komunistëve.

Mora frymë thellë para se t’ua kumtoja lajmin anëtarëve të redaksisë në Cyrih, që e  përgatisnim gazetën për shtyp. Ua thashë me dy–tri fjalë. Avni Bulliqi kërkoi më shumë sqarime, Skënderi heshti. “Do ta dërgojnë kumtesën pas pak”, ua plotësova informacionin. “Zoti i vraftë!” se kush e tha me mllef. “Pak po na vrasin serbët, po edhe këta po u ndihmojnë!”, vazhdoi ai. Pa ua thënë e dinin se këtë krim e bënë shqiptarët e jo serbët. Ato ditë nisi acarimi i grupeve që thoshin se dolën në mal për të dëbuar okupatorin, ndërsa kërcënonin nëpër qytete ata që nuk pajtoheshin me ideologjinë e frymën e tyre.

Athua cili qe motivi i vrasjes, më dukej sikur qarkullonte pyetja nëpër zyrën e madhe të faqosjes, ku e përgatisnim Rilindjen. Atë përpiqesha ta gjeja edhe unë në mendjen time. 

Enver Maloku disa kohë më parë nisi një seri shkrimesh, duke i vënë në teh të kritikës ata që e luftonin opsionin e pavarësisë. Në veçanti kritikonte Adem Demaçin me konceptet e tij që ndryshonin sipas stinës, herë i shpallte serbët vëllezër, herë e shpallte shtetin e  Ballkanisë, ku i përshinte Kosovën e Shqipërinë, sipas projektit të vjetër të Dimitrovit të Kominternes. Më vonë dilte me 100 opsionet për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. I fyente e përpiqej t’i denigronte të gjithë ata që nuk pajtoheshin me të.

Enver Maloku ishte kritik edhe ndaj atyre që e shkrepnin një plumb në mal, ia mbathnin me të katrat dhe pastaj me kumtesa të numëruara nisnin e i ndanin shqiptarët në patriotë e tradhtarë. Sikur nuk mjaftonte dhuna e Serbisë kundër shqiptarëve, dolën grupet që kërcënonin e manifestonin dhunë. Ato ditë ai doli publikisht me një dokumentacion për Gjyqin e Hagës që denonconin krimet serbe... Ato krime të dokumentuara me fotografi e filmime i paraqiti në një konferencë shtypi në Prishtinë.    

Ashtu sikurse Maloku, me A. Demaçin pata fërkime në gazetën “Bujku”. Në një intervistë të Demaçit, dhënë gazetës ku punoja, Zenun Çelaj, gazetar i vjetër që e intervistoi, me pyetje të imponuara, ia hodhi topin: Çka mendoni për shkrimin kritik të Gani Mehmetajt në gazetën “Bujku”? Ndërkaq, Adem Demaçi, sipas përgjigjes që e transmeton Z. Çelaj  pa një pa dy thotë: Do të vijë dita kur autori i shkrimit, Gani Mehmetaj dhe kryeredaktori i gazetës, Avni Spahiu, do ta kërkojnë ta hanë tërë tirazhin e gazetës, por nuk do t’u jap mundësi. Përgjigje më të dhunshme, më monstruoze e më staliniste në gazetarinë e Evropës Lindore nuk ishte dhënë. Një egërsi që nuk ishte parë e dëgjuar: intervistuesi Z.Ç. me zemërligësi e nxiste, kurse i intervistuari e paraqiste vizionin e botës së tij me heqje kokash e me kërcënime. Mjerë populli që do ta prisnin pushtetin e tij! Nesër kur do të fitonte, bënte me dije ai, do t’i detyronte kundërshtarët e tij të hanë gazeta e të vjellin fjalët e tyre. Serbia ende nuk na detyroi të hanim gazeta, megjithëse s’la torturë tjetër pa përdorur kundër gazetarëve e shqiptarëve në përgjithësi.

Z. Çelaj, në ballafaqim me arrogancë, më thotë: “Ani çka, ti e ke kritikuar, ai t’u përgjigj”. “Por ti ia vë në gojë fjalët aq të dhunshme, ku është etika e morali i gazetarit?! përpiqesha ta prekja në sedër. Ndërkaq, ai pa asnjë pendim ma ktheu: “Kur kritikon, priti pasojat!” Nuk e vazhdova më. Me këtë gazetar kurrë s’pata ndonjë dialog, i shmangesha. Kur erdha gazetar fillestar në redaksi, më thanë t’i ruhesha, më thanë edhe fjalë të tjera që më rrëqethën, kështu që i përfilla këshillat dashamirëse të kolegëve të rubrikës së kulturës.

Të nesërmen Demaçit, që me kërcënonte me detyrim ngrënien e tërë tirazhit të gazetës, ia ktheva, duke e quajtur çapaçuli stalinist. Për Çelajn, s’kisha fjalë, ai ishte edhe në kreun e Shoqatës për Mbrojtjen e të Drejtave e Lirive të Njeriut, ndërsa nxiste dhunë të paparë kundër kolegëve. Me të pata konflikte edhe më herët. Më 1985 në Kolegjiumin e Rilindjes propozoi të më dënonin, sepse në raportin nga Festivali i Filmit në Pulë të Kroacisë shkrova për ndërhyrjet e Komitetit Krahinor në filmin “Njeriu prej dheu” të Kosovafilmit, në regji të Agim Sopit. E parodizova Komitetin Krahinor për traktorin socialist, gjë që Z. Çelaj e vlerësoi blasfemi kundër komitetit, kështu që propozoi të merreshin masa ndëshkuese. Kryeredaktori Maksut Shehu e zbuti dënimin, duke e shndërruar në dënim në të holla sa për ta hequr qafe Çelajn e komitetin. 

Ndërkaq Enver  Maloku vazhdonte ta mbante në thumb të kritikës A.D. në “Gazetën e mbrëmjes”, që dilte atëkohë në Prishtinë, duke mos i kursyer as gazetarët, shërbëtorë të të gjitha regjimeve.

Unë shkova në Zvicër. “Me le vetëm!”, më pati thënë në një rast. Rrudha supet, sepse s’kisha përgjigje, nuk ia thashë hallin tim pse s’po rrija në Prishtinë.  

Për Krishtlindje erdha në shtëpi. Në nesërmen e takova Malokun. Biseduam për të rejat në politikë e në kulturë, e bëmë një marrëveshje, sipas së cilës “Rilindja” në Perëndim e paguante “Informatorin”, që e shfrytëzonim në gazetë. Informatat e QIK-ut i shfrytëzonin të gjithë, shpesh duke mos e cituar. Isha i vetmi që i paguaja shërbimet e QIK-ut. 

Ndërkohë që i mendoja të gjitha këto peripeci, na erdhi kumtesa, në të cilën thuhej se Enver Maloku u vra nga persona të panjohur, disa hapa para banesë së tij në Kodrën e Diellit. Dha shpirt në përqafimin e së bijës. Vrasësit ikën në drejtim të panjohur, thuhej në kumtesë. Të tjerat u morën vesh në ditët në vazhdim. 

Vrasja e tij qe paralajmërim ogurzi për të tjerët që shkruanin në mënyrë kritike për grupet e paidentifikuara, apo për rrënojat e politikës, të cilat po tërhiqnin prapa vetes viktima. Grupet ilegale, në vend se të merreshin me makinerinë serbe të dhunës, merreshin me shqiptarë, duke i vrarë e kërcënuar. Si t’i kishin shikuar filmat partizanë të Enver Hoxhës. Mjerë populli që i polli këta aventurierë që gjithë ditën rrinin me telefona në dorë, dërgonin kumtesa të shpifura e kërcënime të vazhdueshme.

Fatkeqësia më e madhe ishte se ne për ato që botonim në gazetë apo që shkruanim përgjithësisht nëpër gazeta, dënoheshim nga regjimi serb me rrahje, tortura e vrasje, ndërsa të njëjtën gjë po e bënin shqiptarët e fshehur prapa çorapeve të grave në fytyrë. Asnjëherë nuk e dije kush qëndronte prapa një kërcënimi, pas një rrahjeje deri në alivani, apo pas një vrasjeje. Bëja punën time e rrudheshe nga të gjitha anët. Sikur të gjithë ishin marrë vesh të punonin kundër shqiptarëve.

Nisi shpërfytyrimi i raporteve shqiptare, dikush përpiqej të nxiste vëllavrasjen, ashtu sikurse ishte nxitur me 1944-45 nga komunist shqiptarë.

Nesër: Lufta vetmitare e Adem Jasharit 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat