Kundër Modelit të ‘’Dy Gjermanive’’

Opinione

Kundër Modelit të ‘’Dy Gjermanive’’

Nga: Genc Drini Më: 2 gusht 2017 Në ora: 19:54
Genc Drini

Si replikë kundër idesë së politologut gjerman Prof. Dr. h.c Werner Weidenfield që propozon që “në bisedimet e Kosovës me Serbinë duhet të merret modeli i Marrëveshjes në mes Dy Gjermanive”. (“Kosova dhe Serbia si RFGJ-ja dhe RDGJ-ja?” “Bota Sot, 2 gusht 2017), po paraqesim me pak shkurtime dhe një shtesë aktualizuese shkrimin e Genc Drinit “Modeli i Dy  Gjermanive’’ botuar në 7 nëntor 2012 në “Bota Sot” dhe që ngrihet kundër qëndrimit të ngjashëm të shprehur para pesë vitesh nga Ministri i Jashtëm Kosovës.

Modeli i “Dy Gjermanive brënda një kombi gjerman’’synonte dhe arriti bashkimin përfundimtar të Kombit Gjerman në një shtet. Modeli i bisedimeve në mes Shtetit të Pavarur të Kosovës me Shtetin e Pavarur të Serbisë duhet të shërbejë për zgjidhjen e të gjitha problemeve që rrjedhin nga ndarja përfundimtare në mes tyre. Detyrimisht modeli i bisedimeve duhet të jetë krejt i kundërt në filozofi, frymë dhe rrugë nga modeli i “Dy gjermanive..”.

 

Viti 2012. Shkas për analizë.

Për në bisedimet e vështira të Republikës së Kosovës me Republikën e Serbisë këto ditë ministri i jashtëm i Kosovës lëshoi idenë për të aplikuar ‘’modelin e dy Gjermanive’’.

Por nuk është e thjeshtë të rrëmbehesh kaq lehtë pas një modeli! Imagjinimi, preferimi dhe përzgjedhja e një modeli bisedimesh mes shtetesh i përdorur diku në një vend tjetër, në një rrethanë politike krejt të veçantë, dhe në një kohë tipike të caktuar me ngarkesa gjeopolitike të caktuara, nuk mund të mbartet artificialisht në kohë, në vende dhe rrethana të tjera, ka pasoja ashtu si çdo dardhë që ka bishtin prapa. Modeli nuk është thjeshtë një estetikë termash apo skemë kallëp gati për t’u përdorur në çdo rrethanë, sado e sido që të përzgjidhet e të modifikohet skema për rrethana të tjera. Kjo sepse nga filozofia politike që është ndjekur në ato rrethana të caktuara kur u konceptua, është krijuar ai model specifik dhe i ka shërbyer vetëm asaj filozofie politike. Por meqë Modeli pati funksionuar me sukses, ai ka krijuar dhe mitin e tij, i cili si çdo mit edhe shkëlqen.Kurr nuk duhet të vrapojmë kurr pas iluzioneve që lindin nga vezullimet. Si është e mundur dhe çdo të thotë ky propozim absurd pasi kuptojmë mirëfilli se thelbi i modelit dhe mitit janë thellësisht të kundërt dhe mospërputhës me çështjen në mes Shtetit të Kosovës dhe Shtetit të Serbisë. Modeli mit mbetet unik, pa një kod për t’u shpërthyer sipas qefit, dhe nuk mund t’i përqasesh me arna selektive për ta përdorur ku të duash dhe si të duash. Po ti hynim kësaj valleje do mbeteshim keq dhe pa shpëtim në kurthën që do ti thurnim vetëvetes pa shteg për të shpëtuar më prej saj. 

Atëherë cili është realiteti dhe miti i modelit të ‘’dy Gjermanive….’’? Kjo del nga ajo filozofi politike dhe ajo kohë që e prodhoi modelin e ‘’dy Gjermanive….’’. Gjermania deri në fundin e luftës së Dytë Botërore qe një komb unik në një shtet unik. Fituesit e ndanë në katër pjesë dhe më pas prej tyre u krijuan dy shtete gjermane, Gjermania Perëndimore dhe ajo Lindore. Kombi gjerman u gjind kështu dhunshëm i copëzuar në dy shtete. Të gjithë qenë gjermanë dhe kërkonin me çdo kusht ribashkimin e kombit në një shtet komb të vetëm. Pas përpjekjeve të mëdha të Gjermanisë Federale, dhe nisjes së ‘’ost politikës’’ erdhi një përmirësim i marëdhënieve me sovjetikët. Si qeveritarët e Gjermanisë Perëndimore ashtu dhe ata të Gjermanisë Lindore u bënë zëdhënës dhe lider të idesë për bashkimin e Gjermanisë. Si bazë të bashkimit për të gjithë gjermanët përcaktuan Identitetin kombëtar gjerman, dhe si frymë demokracinë, në rrugën për një shtet komb. Por faktorët identitet, i njëjti komb, me të njëjtën gjuhë, të njëjtën kulturë, me të njëjtën histori, qenë të pamjaftueshëm në vetvete për të sjellë bashkimin përballë realitetit të ashpër të egzistencës së dy shteteve të ndryshme të ndarë njëri nga tjetri dhe ideologjikisht dhe gjeostrategjikisht. Ndarja në mes tyre kishte krijuar një distancim, sidoqë jo në ndërgjegje, prandaj më së pari dhe detyrimisht duhet të thelloheshin marëdhëniet në mes dy shteteve. Të shtoheshin lidhjet ekonomike dhe të ndërthureshin dy shtetet drejt një ekonomie të vetme të ndërvarur që do çonin më pas në hapa të tjerë politikë bashkues. Si qeveritarët e Gjermanisë Perëndimore ashtu dhe ata të Gjermanisë Lindore, u bënë lider të kësaj politike. Po për të arritur këtë duhet të shkohej veçanërisht kundër politikave të Gjermanisë Lindore që deri atëherë qe përpjekur që ndarjet shtetërore artificiale dhe ideologjike të dy Gjermanive të përvijoheshin e thelloheshin dhe si ndarje ndërgjegjeje. Duhet të frenohej kjo gërryerje dhe të shkohej në favor të politikave që në fund të fundit synonin bashkimin e kombit gjerman në një shtet. Për këtë më së pari duhej që Gjermania Federale të njihte Republikën e Gjermanisë Lindore. Formula u gjet në aplikimin e politikës së ‘’dy Gjermanive brënda një kombi gjerman’’. Theksojmë “Modeli i dy Gjermanive brënda një kombi gjerman’’ dhe jo siç e merr ministri i jashtëm i Kosovës vetëm gjysmën e modelit dhe flet vetëm për “Modelin e dy Gjermanive” dhe e zhvesh kështu nga thelbi komb, dhe që i çveshur nuk shpreh asgjë nga ajo që kanë synuar gjermanët. Asnjë centimetër i kësaj rruge bisedimesh ndërgjermane, as si synim dhe as formailsht, teknikisht nuk ka të bëjë me bisedimet e Shtetit të Kosovës me shtetin e Serbisë.

                                                                                x

Meqë edhe sot po ballafaqohemi me të njëjtën ide-kurth kundër shqiptarëve, për bisedime të Kosovës me Serbinë sipas modelit të bisedimeve në mes dy Gjermanive, po përfshijmë këtu në mes të këtij shkrimi të 7 nëntorit 2012 dhe disa rrjeshta të shkruara sot me 2 gusht 2017 si një shtesë të nevojëshme aktualizuese.

Theksojmë se të njëjtin gabim thelbësor që bënte në v. 2012 ministri i jashtëm i Kosovës ose një shmangëje të qëllimëshme, bën sot dhe politologu gjerman ekspert për Ballkanin Werner Weidenfeld që shprehet se “gjendja në mes Kosovës dhe Serbisë është se askush nga palët nuk heq dorë nga qëndrimi i vet krejtësisht. Është si dikur mes Gjermanisë Perëndimore dhe Gjermanisë Lindore: dy pikëpamje të ndryshme, askush në thelb nuk heq dorë në parim po ka një interes për përmirësimin e situatës…atëherë modeli i marrëveshjes ndërmjet Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore mund të shërbejë sigurisht si model. Por në një marrëveshje të tillë nuk duhet të përfshihet çështja e statusit të Kosovës Modeli i Marrëveshjes në mes Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore u propozua që nga viti 2007 nga Wolfang Ischinger, por Beogradi e hodhi aso kohe poshtë atë propozim. Tani statu-quo është një tjetër dhe kjo duhet të jetë baza për të cilën mund të diskutohet. Atëherë shprehet politologu “modeli i marrëveshjes ndërmjet Gjermanisë Lindore dhe Perëndimore mund të shërbejë sigurisht si model.” .”(Bota Sot, 2 gusht 2017, Kosova dhe Serbia si RFGJ-ja dhe RDGJ-ja?

Së pari një hollësi që nuk mund ta lemë të na kalojë, politiologu Werner Weidenfeld lë të kuptohet se rrethanat në kohën kur Ischinger pati bërë propozimin qenë tjera, pra do të thotë se bënin të pa mundur të ecej në atë rrugë bisedimesh sipas modelit “të dy Gjermanive”. Sipas tij sot rrethanat janë të përshtatëshme..! Me këtë na tregon se propozimet nuk janë të vërteta matematike po vetëm supozime që koha mund ti vërtetojë dhe si krejt të gabuara në kohë ose në thelb, përfshirë dhe propozimin e tij. Vemë re se dhe Weinfeld kur propozon modelin e bisedimeve në mes dy Gjermanive, mbetet zhveshur sepse modelit gjerman që ishte ’Dy Gjermani brënda një kombi gjerman’’për shqiptarët i ka hequr dhunshëm ndërgjegjen mbi të cilën ai model gjerman është ndërtuar, përderisa ka shmangur në formulim atë pjesë që mishëronte ai model, qëllimin që duhej arritur që  kombi gjerman të bashkohej në një shtet.

Kështu modelit të “Dy Gjermanive brënda një kombi gjerman’’ i kanë hequr më parë thelbin e  ndërgjegjes që ai mishëronte kombin, dhe  ia kanë paraqitur shqiptarëve të fshehur, të përgjysmuar, të sakatuar vetëm si “Model i dy Gjermanive”. Kështu ka bërë Ischinger më 2007, kështu Ministri i jashtëm i Kosovës E.Hoxhaj që e ka marrë kallëp më 2012, ashtu bën dhe Prof. Dr. h.c Werner Weidenfield më 2017. Pa filozofinë e modelit, u kanë lëshuar në dorë shqiptarëve vetëm kashtën e pa shpirtë teknike të modelit që shkon nga ta marrë era, madje bashkë me president dhe anëtarë të ekipeve biseduese të Kosovës me serbët. Sepse teknika kashtë çon teknikisht në tjetërsimin, mohimin automatic të thelbit shpirtëror, kombëtar dhe politik të problemit për shqiptarët në bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë. E politikanët shqiptar të Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve do gjindeshin të zhveshur nga thelbi kombëtar i misionit të tyre. Të trullosur do ktheheshin në robotë që mund të manipuloheshin lehtë nga kurthat teknike duke harruar thelbin se përse janë aty ndër komisione biseduese. Gjermanët e të dy shteteve e patën krijuar së bashku modelin e ’Dy Gjermanive brënda një kombi gjerman’’për tu bërë një shtet komb. E ç’lidhje ka ai model krejt i huaj në të gjitha pikëpamjet me shqiptarët dhe Kosovën në bisedime ndarëse për probleme të veçanta me Serbinë? Gjejmë këtë propozim sot dhe tek Andreas Ernst për prestigjiozen zvicerane “NZZ”: ”Është e hapur sesi do rregullohet raporti fqinjësor mes Serbisë dhe Kosovës. Një model përmendet marrëveshja mes Gjermanisë perëndimore (BRD) dhe Gjermanisë Lindore (DDR) nga 1972; ku Bonni de fakto njohu DDR, por jo edhe de jure.” (Syri Blu, 28 korrik 2017,” Media zvicerane në shkrimin: Serbia të njohë de fakto Kosovën siç njohu Boni Gjermaninë lindore”) Së pari ideja e njohjes së Kosovës nga Serbia është një karamele që i tundet Kosovës që të lëshoj pe pa pushim, po as që diskutohet se Serbia do ta njohë Shtetin e Kosovës. Kjo nuk duhet të shqetësojë fare drejtuesit e Kosovës dhe të Shqipërisë, por duhet të ndjekin me vëmendje dhe tu paraprijnë ngarjeve të përgatitur çdo situatë dhe etapë. Po a nuk është një “mrekulli” kur harrohet me qëllim rezultati thelb që u arrit që vëllai i madh Gjermania Federale njohu vëllain e vogël gjerman prej gjaku, Gjermaninë Lindore dhe u bashkuan? Dhe ja ku tani dhe Serbia po na trajtohet si vëllai i madh, që njeh të voglin Kosovë! Ja ku dalëngadalë jemi afruar tek ideja e cila që nga viti 2000 po piqet në Europë, e deri tek Samiti I Tristes dhe vazhdon, ideja e Tregut të Përbashkët të Ballkanit Perëndimor, më saktë jemi tek përpjekja për të krijuar një Jugosllavi tjetër që do përlante brënda Kosovë e Shqipëri dhe të gjithë shqiptarët brënda.  Do ishte një sukses i jashtëzakonshëm i politikës serbe të mbështetur pa hezitim nga interesa gjeostrategjike europiane por që për fat të kalojnë mbi interesat shqiptare. Ja ku na synokërka në bisedimet në mes Shtetit të Kosovës dhe Shtetit të Serbisë përdorimi i modelit të bisedimeve të dy Gjermanive, modelit i hiqet pjesa thelbësore e saj: “brënda një kombi gjerman’’ që shqiptarëve tu lihet kashta. Por “nuk kanë faj që e kanë bërë” e kanë bërë “nga halli” sepse thelbi komb i modelit, nuk mund të përdorej në bisedimet në mes shqiptarëve dhe serbëve, dy kombe krejt të ndryshme dhe prandaj u hoqë “gjysma e frazës” në fakt thelbi i modelit. Modeli gjysmak i ofruar s’është tjetër veçse një hile që pa tjetër do ti zhyste shqiptarët psikologjikisht në koncepte të gabuara dhe si rrjedhojë do futeshin në një teknikë të manipuluar bisedimesh dhe inerci zhytjeje në një Jugosllavi tjetër që po pritet me zell të madh nga Serbia.)

Pas kësaj ndërhyrje të sotme, le të kthehemi tek shkrimi i nëntorit 2012

Dhe kështu Republika Federale e Gjermanisë e  njohu qeverinë e Republikës së Gjermanisë Demokratike Lindore GDR, por të konceptuar brënda një kombi gjerman të cilin de jure e konsideronte të përfaqësuar vetëm nga shteti Gjerman Federal duke e parë këtë si pasardhës legjitim të Raihut Gjerman. Ndërsa vetë GDR, Gjermania Lindore nga ana e saj vijoj të njohë si dhe më parë de facto dhe de jure dy shtete gjermane, si dy shtete të huaja. Më së fundi Republika Federale dhe GDR, Gjermania Lindore ranë dakord që asnjëra prej tyre nuk mund të fliste për tjetrën. U përdor me shumë sukses gjeopolitika dhe zhvillimet patën kurbat e tyre në ulje dhe ngjitje, por gjithcka u bë e mundur kur ndodhi përmbysja epokale, erdhi rënia e komunizmit në Europë në v.1989, dhe shterri presioni sovjetik. Atëherë u ec me shpejtësi drejt bashkimit të Gjermanisë dhe sot jemi para një Gjermanie unike dhe të fuqishme.

Modeli u krijua dhe u përdor për të arritur këtë synim unik. Thelbi i modelit të ‘’dy Gjermanive brënda një kombi gjerman” i kthyer në mit, kuptohet qartë se është së pari formula e konfirmimit të të pa tjetërsueshmes, konfirmimi i kombit gjerman unik. Së dyti është skema apo rruga e përbashkët hap pas hapi e zgjedhur nga një komb i ndarë dhunshëm në dy shtete, për të arritur bashkimin e tij në një shtet, në Gjermaninë. Kështu ‘’Modeli i ‘’dy Gjermanive’ brënda një kombi gjerman”, parë së jashtmi duket se përputhet si model vetëm e vetëm me zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve që janë një komb dhe sot gjinden të ndarë në dy shtete të pavarura po dhe në shtete të tjera ballkanike dhe që duhet të shkojnë drejt bashkimit. Një qëllim për të cilin shqiptarët kanë luftuar më tepër se askush madje deri dhe në ditët tona në epopenë e luftave të shqiptarëve në Kosovë dhe në Maqedoni, po ashtu dhe në Kosovën veri lindore në Luginën e Preshevës.

Kështu nëqoftëse bisedimet në mes shqiptarëve dhe serbëve do bëheshin sipas modelit të ‘’dy Gjermanive’’ me semantikën dhe simbolikën bashkuese që mbart modeli kushdo shtyhet t’a shohë në sfond një bashkim shtetesh…! Po cilët shtete do bashkoheshin?  Jehona që ka pasur ndër shqiptar propozimi i ministrit të jashtëm të Kosovë për përdorimin e modelit gjerman në bisedimet e shtetit të Kosovës me shtetin e Serbisë paradoksalisht na doli krejtësisht e përmbystë nga ajo që priste ministri i jashtëm i Kosovës. Meqenëse shqiptarët shkojnë në bisedimet me Serbinë për elemente teknike të pas ndarjes de facto të problemeve që  dalin nga ndarja de facto e de juro e dy shteteve , të gjithëve iu ka zgjuar vetëm përfytyrimin e bashkimit të shqiptarëve në një shtet, ashtu siç u bashkuan gjermanët. Duke u nisur nga realiteti bashkues i kombit gjerman, që pati përfaqësuar modeli, të gjithë e kanë parë si një model për bashkim të shqiptarëve. E megjithatë edhe kjo është një përshtypje rastësore e sipërfaqëshme. Modeli gjerman për bisedime nuk është fare i përshtatshëm as për bashkimin e dy shteteve shqiptare. Edhe në këtë rast modeli është jasht vendi dhe rrethanash. Kemi dy shtete shqiptare të pavarura, pra me vullnete të lira, që kanë të njëjtën frymë demokratike, të gjithë shqiptarët kudo që janë në trevat shqiptare kanë të njëjtën aspiratë për bashkim në mes tyre. Nuk ekziston më as pushtuesi serb dhe as ideologjia komuniste dezintegruese. Gjeopolitika është krejt e ndryshme, të dy shtetet përputhen me idealet euroatlantike dhe të gjithë shqiptarët synojnë të integrohen në Bashkimin Europian. Rrugët e bashkimit të dy shteteve shqiptare sot janë të tjera. Shqipëria dhe Kosova e shqiptarët tjerë, nuk kemi të njëjtat pengesa që egzistonin në mes dy Gjermanive. Modeli i dy Gjermanive brënda një kombi gjerman” është unik dhe vetëvetiu i tejkaluar me rastin gjerman.

Një gjë është më se e sigurtë, se mesazhi i modelit politik të ‘’dy Gjermanive brënda një kombi gjerman” nuk ka asgjë të përbashkët me problemin flagrant të ndarjes një herë e mirë në mes Shtetit të Kosovës dhe Shtetit të Serbisë, në mes shqiptarëve të shtetit të Kosovës dhe të serbëve të shtetit Serb. E pra kurr nuk ka si të merret si model bisedimesh në ndarje të Kosovës me Serbinë siç sugjeron në mënyrën më absurde ministri i jashtëm i Kosovës.

Rasti i bisedimeve të Shtetit të Kosovës me Shtetin e Serbisë është krejtësisht i kundër me rastin e dy Gjermanive. Por guximi për të menduar dhe për t’u kapur paradoksalisht pas një modeli të tillë është shumë shqetësues për atë çfar sinjifikon historia e tij. Duke ndjekur logjikën e ministrit që propozon këtë model, të krijohet përfytyrimi i gabuar se Kosova dhe Serbia po shkojnë sërisht drejt njëra tjetrës për tu bashkuar sepse dhe modeli është bashkues dhe‘’për inerci nuk mund’’ të ndalet në mes të rrugës atëherë kur do ti……! Më së paku duke pranuar atë model që propozon ministri kemi kaluar në bisedime për zgjidhje të brëndëshme politike në Kosovë dhe kërkesat serbe nëpërmes tij mund të gjejnë shtegun për të arritur në shkatërrimin e multietnicitetit që kërkohet në Kosovë, veçim të serbëve dhe për ndërhyrjen e Serbisë kundër pavarësisë reale funksionale të Kosovës, dhe kështu sigurohet një ripenetrim serb në Kosovë. Një lloj kthimi në situatat e vjetra. Këtë mund t’a ëndërrojë vetëm ndonjë nostalgjik i periudhës së ‘’Bashkim vëllazërimit’’ në ish Jugosllavi, apo dhe disa të tjerë që në ditët e sotme mund të kenë interesa vetiake material-ekonomike me Serbinë. Por mendojmë se në këtë propozim kemi të bëjmë me një lathitje nga e cila duhet të shkundemi menjëherë. Përndryshe një gjë është e sigurtë në rast se idetë si kjo më sipër janë vërtetë të drejtuesve politikë, ato nuk përputhen me luftën që bënë shqiptarët me vullnetin dhe synimet e shqiptarëve, atëherë në rastëse drejtuesit politikë kanë synime të tjera atyre u mbeten dy rrugë, t’ua imponojnë ato shqiptarëve të Kosovës me demagogji ose me arbitaritet. Arbitraritet do kishim edhe në rastëse do ta arrinin synimet e tyre të dyshimta me forcë kartonash në një parlament të manipuluar. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat