Pse manipulohet opinioni me ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni?!

Opinione

Pse manipulohet opinioni me ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni?!

Nga: Abdulla Mehmeti Më: 29 korrik 2017 Në ora: 07:16
Abdulla Mehmeti

Në Republikën e Maqedonisë, as ligji aktual, as propozimligji që pritet së shpejti të kalojë për miratim në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, nuk janë ligj për përdorimin e gjuhës shqipe, por ,,Ligj për përdorimin e gjuhës që e flasin së paku 20% e qytetarëve në Republikën e Maqedonisë dhe në njësitë e vetëqeverisjes lokale”, me çka ligjit të mëparshëm i bëhen disa ndryshime formale, me të cilat do të zgjerohet përdorimi i gjuhës shqipe në disa sfera, por nuk do të ndryshojë statusi i saj, me këtë as do të bëhet gjuha shqipe gjuhë e dytë zyrtare në Maqedoni. 

Sipas ligjit ekzistues edhe propozimligjit të ri, këtë status në Republikën e Maqedonisë e kanë edhe gjuha turke, serbe dhe rome, të cilat janë në përdorim zyrtar në disa komuna në Republikën e Maqedonisë, përkrah gjuhës zyrtare maqedonase dhe alfabetit të saj cirilik.

Gjuha shqipe, sipas ligjit ekzistues dhe propozimligjit të ri, përfshin një spektër pak më të gjerë në përdorimin e saj nga gjuhët e pakicave të tjera kombëtare në Maqedoni, në seancat e Parlamentit dhe komisionet e tij (sa për hedhjen hi syve ndaj shqiptarëve se u janë realizuar të drejtat e tyre kombëtare), në organet e pushtetit lokal, dokumentet personale dhe disa segmente të tjera, që dëshmon se gjuha shqipe me këto ligje nuk është gjuhë në përdorim zyrtar në Maqedoni, aq më pak gjuhë zyrtare, si gjuhë e dytë përkah gjuhës maqedonase.

Pa dashur të citojmë me këtë rast mediat e vendit dhe sidomos ato në Tiranë dhe Prishtinë, si dhe deklaratat e disa politikanëve dhe analistëve në lidhje me këtë çështje, që pretendojnë se bëhet fjalë për ndonjë ligj për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni, me këtë rast duke manipuluar me opinionin (ndoshta pa dashur dhe nga mosnjohja), në vazhdim paraqesim vetëm një dëshmi nga lajmet e ditëve të fundit, me rastin e vizitës së ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë në Tiranë, ku thuhet:

,,Ligji për përdorimin e gjuhës shqipe në Maqedoni është përshpejtuar. Kështu u shpreh ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, pas takimit me homologun shqiptar, Ditmir Bushati në Tiranë, duke hedhur poshtë çdo aludim për vonesat në përmbushjen e këtij premtimi elektoral.”

Përndryshe, aktualisht në Republikën e Maqedonisë është në fuqi vetëm një ligj për gjuhën zyrtare, edhe atë: Ligji për përdorimin e gjuhës maqedonase.

Në nenin 2, alineja 2 të këtij ligji thuhet: ,,Përdorimi i gjuhës maqedonase si gjuhë zyrtare është e drejtë dhe obligim i qytetarëve të Republikës së Maqedoniasë”, që domethënë, ky detyrim ligjor vlen edhe për qytetarët shqiptarë në këtë shtet.

Organet e pushtetit aktual në Maqedoni, sidomos Qeveria e re, e cila veten e konsideron reformatore, ka ndërmarrë një varg masash për zgjidhjen e kësaj çështje, mes të cilave edhe dërgimin e këtij propozimligji në Komisionin e Venedikut, i cili është kompetent për dhënien e ndëhmës profesionale dhe sugjerimeve në lidhje me ligjet e kësaj natyre, nëse janë ose nuk janë ato në përputhje me konventat ndërkombëtare.

Por, një gjë duhet ta kenë të qartë të gjithë se, gjuha shqipe nuk do të jetë zyrtare në Republikën e Maqedonisë përderisa statusi juridik-kushtetus dhe politik i shqiptarëve në këtë shtet do të jetë pakicë kombëtare, jo popull shtetformues.

Se cila është zgjidhja më e drejtë e kësaj çështje nuk mund ta thonë politikanët shqiptarë që aktualisht janë në skenën politike në këtë shtet, meqë atyre nuk u ka penguar pjesëmarrja në zgjedhjet e fundit parlamentare pa asnjë kusht, ku shqiptarët përfaqësohen vetëm me 16,6 % në Parlamentin e Maqedonisë, me çka edhe absolutisht e kanë humbur të drejtët për ngritjen e iniciativës për ndryshimin e Kushtetutës aktuale (si një nga mundësitë), për të cilën duhen së paku 30 deputetë, e që përbën 25% të numrit të përgjithshëm të deputetëve në këtë organ ligjvënës (me gjithsej 120 deputetë), aq sa zyrtarisht pranohet numri i shqiptarëve, edhe përkundër manipulimeve të njohura në lidhje me këtë përqindje, e cila realisht është shumë më e lartë, me këtë edhe numri i deputetëve shqiptarë duhet të jetë shumë më i madh, jo në këtë nivel qesharak sa është tani, me çka, në vend se të forcohet është dobësur dukshëm ndikimi i faktorit politik shqiptar në Maqedoni.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat