Taktikë e lexueshme djallëzore e kundërshtarëve të Bashës!

Opinione

Taktikë e lexueshme djallëzore e kundërshtarëve të Bashës!

Nga: Dr. Albina Deda Më: 3 korrik 2017 Në ora: 16:36
Dr. Albina Deda

Opinioni e përktheu pa vështirësi taktiken malinje të një grupi kaherë të indinjuar dhe haptazi prej vitesh rrjeshtuar kundër lidershipit Basha në PD. Ky kor që ngazëllimin u munduan ta kolorizojnë me trishtim për rezultatin tonë në zgjedhje çuditërisht haptazi u suportua në unison nga zëra mediatikë "të fuqishëm" të njohur për mbi dy dekada si njerëz të allashverisheve të pista politiko ekonomike.

Ata akoma pa u numëruar minimumi i votave nuk nguruan dhunshëm të kërkojnë dorëheqje të Bashës si dhe korrektësi në zgjedhje brenda datës 22 korrik, kur ishte dhe mbarimi i mandatit të kryetarit. Mirëpo luajaliteti moral i Bashës duke ngrirë gjithë funksionet e tij dhe korrektësia e drejtuesve të PD-së për të hapur garën me përpikmëri statutore "moralistët" i vuri në situatë të papritur.

Kështu ata ilegalisht sajuan një kombinacion, sipas të cilit nuk ishte aspak pjesmarrja në konkurim, por prodhimi i dokrrave teorike sofiste për të bërë pis proçesin duke synuar haptazi të rëndojnë akoma më shumë shokimin elektoral që ne demokratët morëm në zgjedhje.

Gjithsesi mund të lexohen këto veprime të klanit idhnak anti-Basha, por kurrë si kontribut maturiteti bashkimi e uniteti. Të vazhdosh të elaborosh e të materializosh teza e doktrina malinje të tipit Mero Baze jo vetëm që je kundërshtar i PD-së, por tejkalon dhe histerinë e armiqësinë që në fillimvitin '91 demonstronin kundër nesh vullnetarët e Enverit. Asnjë manovër mediatiko-politike sponsorizuar djallëzisht në emër të demokracisë e konkurimit nuk ka maskë. Idhnakët e shtirur si demokratë, viktima të kahershme të karrierizmit e narcizmit të pa fre tani janë të lexueshëm. Nuk kërkojnë konkurim, por uzurpim. Një përgjigje kisha si demokrate e si deputete e PD-së "Ngadalë beg se ka hendek". Nuk besoj se veprime të tilla meritojnë vëmendje. Ata ngjallin veçse neveri.

Autorja është deputete e PD-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat