"Bota Sot", gëzuar 22 vjetori

Opinione

"Bota Sot", gëzuar 22 vjetori

Nga: Gani Qarri Më: 27 qershor 2017 Në ora: 00:16
Gani Qarri

Në përvjetor lindjesh, duhet uruar çdo herë, siç meriton të urohet në përvjetorin e 22 festiv të daljes së saj edhe kombëtarja "Bota Sot".

Ajo lindi, pikërisht atëherë kur shqiptarët patën më së shumti nevojë për informim të shpejtë, të saktë dhe të drejtë, i cili mungonte apo, pothuajse nuk ekzistonte fare në ato kohë.

Lindi në ditët më të vështira, dhe u hap si një dritare shprese për të gjithë ne.

Rrezatimet e saj, sollën dritë e freski edhe në shtëpitë tona, kudo jetohej e veprohej shqip.

Faqet e kësaj gazete, mbetën gjithmonë praktike, dhe mbajtën qëndrim të distancuar nga traktet e politikave ditore.

Përpjekjet e saj të vazhdueshme ishin për të mirën e atdheut dhe të çështjes shqiptare.

Që nga themelimi i saj, përkundër sfidave që përjetoi, sado të shpeshta e të rënda që ato ishin, ajo i kaloi me sukses dhe informoi drejt mbi çdo zhvillim të rëndësishëm kombëtar e botëror.

"Bota Sot" kurdoherë ishte e lidhur ngushtë me gjendjen në Kosovë, peripecitë dhe rrugëtimin e saj të mundimshëm drejt lirisë, si dhe vuajtjet biblike që atëbotë kalonin shqiptarët.

Ajo bëri edhe promovimin e vlerave kombëtare në Diasporë dhe shndërrua në zëdhënëse të njerëzve të letrave shqipe, artistëve, intelektualëve dhe figurave më të dalluara shqiptare, duke mundësuar jetësimin e të arriturave të tyre, kushtuar vendit dhe kombit në përgjithësi.

Shkrimet reale të guximshme e pa censurë, dhe emërtimi i fakteve me emrin e tyre të vërtetë, e shndërruan këtë të përditshme në mediumin më të besueshëm te shqiptarët në Kosovë, Shqipëri dhe të gjitha trojet tona etnike, deri te diaspora mbarëkombëtare.

Gazetarët e saj, sakrifikuan shumë për hulumtimin e padrejtësive dhe zbardhjen e të vërtetës, duke mos nguruar të gërmonin thellë edhe në nëntokën misterioze që gërryente atdheun për brenda, shkaqe për të cilat ata u sanksionuan me vrasje, plagosje e kërcënime të vazhdueshme, të cilat ani pse më të rralluara, dëgjohen ende edhe sot.

Me punën e guximshme dhe profesionale, ajo, tha atë që të tjerët nuk guxuan apo ishin të ndikuar nga politika dhe nuk deshën ta thonin, ndaj dalja e saj ishte një sihariq i mirë edhe për mërgimtarët në vende të huaja, të cilët jetonin me brengën e atdheut. 

Dhe në shenjë mirënjohjeje për të gjitha sa u thanë, për punën e palodhshme, informimin me kohë, të drejtë e real, si dhe bashkëpunimin korrekt, për vite me radhë, Kombëtares „Bota Sot“, Editorit të nderuar, Redaksisë dhe gjithë gazetarëve e bashkëpunëtorëve të saj, u shprehë përgëzimet e mia më të përzemërta me rastin 22 vjetorit të lindjes dhe rritës së kësaj të përditshme, duke u dëshiruar mbarësi dhe shumë suksese edhe në të ardhmen. Urime!

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat