Kryetari misionar Basha, në këto kushte, të mos e konsiderojë aktin e dorëheqjes së tij

Opinione

Kryetari misionar Basha, në këto kushte, të mos e konsiderojë aktin e dorëheqjes së tij

Nga: Dr. Albina Deda Më: 26 qershor 2017 Në ora: 15:39
Dr. Albina Deda

Rezultatet dhe projeksionet e deritanishme e nxjerrin PD-në në një situatë të papritur, aspak të merituar, që si mua çdo demokrat e hidhërojnë deri në shok. Përpara se të jap opinionin tim të sinqertë ju bëj thirrje demokratëve ta përjetojnë me qytetari e fisnikëri këtë situatë të rëndë. Ngelem po aq shumë e tronditur nga entuziazmi i shumë eksponentëve të PD-së e analistë të cilët pa menduar pasojat apelojnë për dorëheqje të menjëhershme të kryetarit Lulzim Basha.
 
Së pari z. Basha ka një mandat politik të pa përfunduar si kryetar i PD-së, i pari i zgjedhur me një anëtar një votë.

Janë po ata njerëz që nuk e votuan katër vite më parë, që nuk lanë rast pa e kontestuar, ani pse ky kontekst ka ndikuar fuqishëm në negativitetin e këtij rezultati të 25 qershorit 2017.

Ata tani e kërkojnë medeomos këtë situatë kritike që në mjegull e hidhërim të mund të realizojnë ambicjet e tyre më shumë meskine e egoiste sesa efektive për riorganizimin e PD-së.
 
Së dyti, askush nuk e thotë qartë sot, se, jo partia, por Shqipëria ishte Kauza Basha. Dhe kësaj kauze, ndonëse me tepër kosto partiake  Lulzim Basha, i shërbeu.

Si kujtoni ju, se krimi e oligarkia, të korruptuarit e narko-trafiku nuk do të reagonin dhunshëm ndaj Bashës e PD-së?!
 
Por Lulëzim Basha në këtë sfidë nuk pati vetëm humbje. Parlamenti i ardhshëm do të ketë shumë më pak kriminelë, ndoshta vetëm dy, të cilët nuk do të mund ta fillojnë mandatin e tyre.

Për herë të parë pushteti pati frikë të instrumentalizojë administrstën. Natyrisht kjo duket e vogël, por është premisa më e fortë drejt shtetit ligjor.

Nuk diskutohet se ka pasur ndonjë lajthitje në zgjedhjen e ekipit elektoral, por gjithsecili e njeh mirë situatën nga ku ne u futëm me emergjencë në Zgjedhjet Parlamentare të Qershorit.
 
Pa dashur të bëj një analizë të detajuar që për gjithsecilin është e domosdoshme, apeloj Kryetarin Basha që në këto kushte të mos e konsiderojë aktin e dorëheqjes së tij si kryetar i PD. Le ti presim rezultatet me qetësi si dhe reagimet ti bëjmë me llogjikë demokrati dhe me fisnikëri duke mos u fshehur pas gishtit në këtë bashkëfajësi.
 
Z. Basha dhe Ne, që iu bashkuam vizionit të tij, nuk kemi pse kërkojmë ndjesë tek ishët që i entuziazmon humbja, por tek demokratët e vërtetë që kurrë nuk u tunduan, por mbështetën me patetizëm. Ata e vetëm ata i kemi zhgënjyer e lënduar.

Bashkpërgjegjësia është llogjika e Demokracisë dhe tipari fisnikërisë!

Lulzim Basha është Misionar i së ardhmes dhe jo meskin i së tashmes, është lideri i duhur dhe i nevojshëm për PD, për Demokracinë, për Shqipërinë.

Autorja është deputete e PD-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat