PR-agjentët mediatikë dhe PR-këshilltarët e pushtetit

Opinione

PR-agjentët mediatikë dhe PR-këshilltarët e pushtetit

Nga: Enver Bytyçi Më: 18 qershor 2017 Në ora: 21:49
Enver Bytyçi

Mitet, legjendat, teoritë konspirative, gjysmë shpjegimet, gjysmë thëniet e pohimet, ikja nga e vërteta, ishin disa nga format e komunikimit të mbrëmshëm të kryeministrit shqiptar në emisionin televiziv “Xing me Ermalin”. Nëse studiuesit do të donin të hulumtonin se çfarë përfaqëson sot në Shqipëri komunikimi i shefit të ekzekurivit me publikun shqiptar, ata do të gjenin një material të bollshëm për të provuar mikrotezën se në ditët e sotme informacioni, media, nuk janë më në rolin dhe misionin e tyre në shërbim të publikut, por punojnë sipas një axhende të caktuar për manipulimin e publikut.

Ajo që ata kanë si synim dhe mission, informimi i publikut për të vërtetën, po shkon drejt finishit. Ndikimi i mendimit dhe opinionit publik duket se është qëllimi kryesor i mediave në Shqipëri. Rasti i mbrëmshëm zbulon qartë skemën e përdorur për këtë qëllim. Ai ishte parapërgatitur si në qendrat mediale të luftës, ku konkurenca e manipulimit në front bëhet groteske. Sipas një koncepti të planifikuar ishte ideuar gjithçka, me qëllim tkurrjen e mendimit e madje mpirjen e tij. Vendin e redaktorëve, të cilët nuk shihen në ekrane, e kishin zëne PR këshilluesit. Gjithçka, qëllimi e mesazhi, nocionet, argumentet dhe të thënat, faktet dhe faktet e supozuara, të cilat u sollën në emisionin në fjalë, ishin një strategji e menduar mirë për të luajtur rolin e reklamës, të spoteve televizive, të njoftimeve mediatike, të broshurave, shfaqjeve në internet dhe veprimtarive elektorale të paskrupullta.

Por kurrësesi ato nuk ishin e nuk mund të quhen si borim informacioni. Tallja, grotesku, shëmtia e ironisë së shëmtuar u përdorën si maska e çorientimit të opinionit publik. Dhe ajo që ndodhi mbrëmë me Ermal Mamaqin ka kohë që ndodh në median shqiptare. PR agjentët e qeverisë e të bashkisë së Tiranës janë shpërndarë jo vetëm në zyrat e shtetit, por në të gjitha mediat televizive si dhe online, me qëllim kontrollin e mendimit publik, orientimin e tij në kanalet e politikës qeveritare, fshehjen e të vërtetave ta dhimbshme për këtë vend, krijimin e një bote virtuale, të cilën njerëzit thjesht mund ta ëndërrojnë, por kurrësesi ta prekin, e të gjitha këto sjellin më në fund një situatë të rëndë zhgënjimi, kur njerëzit zgjohen nga ëndërra e bukur që ua ushqen ekrani mashtrues me protagonistë mashtrues.

Nuk bëhet më fjalë për debat, për argument, për ballafaqime e shpalime të sukseseve e dështimeve të qeverisë sonë. Fjala është gjetkë: Tri vite e 8 muaj dhunë e kërbaç, rritje taksash e ulje të ardhurash, keqqeverisje me korrupsion e në bashkëpunim me krimin e organizuar dhe katër muaj shpëlarje intensive e trurit. Dhe sikur kjo shplarje truri të mos vinte gjithashtu pas 44 muajve të manipulimit permanent të informacionit për ta ndikuar opinionin publik në interest ë pushtetit, do të ishte gjysma e të keqes. Ajo që nisi ditën e parë të qeverisjes u trash dhe mori përmasat e një epidemie në ditët e fundit të kësaj qeverisjeje. Kazani mediatik ka tashmë brenda vetës mbeturinat e një politike qeveritare të dështuar në Shqipëri.

Fatmirësisht bota shqiptare po shkon drejt atij emancipimi splid që të shohë më mirë e më qartë këtë eksplozion mediatik të shtirur dhe në mos menjëherë, në mënyrë të përshpejtuar, do ta refuzojë propagandën e PR agjentëve televizivë, e PR – këshilltarëve të qeverisë, si kusht i domozdoshëm për të vendosur në vend dinjitetin e saj. Ditën që do të kuptojmë se qeveria e sotme shqiptare investon më shumë për PR agjentët e PR këshilltarët, sesa për të hapur vende punë dhe për të rritur mirëqenien e shqiptarëve, atë ditë do të marrë fund procesi i manipulimit të mendimit dhe opinionit publik, e për rrjedhojë do të ndryshojnë zhvillimet në këtë vend.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat