Këtu ka tradhti burra!

Opinione

Këtu ka tradhti burra!

Nga: Azem Parllaku Më: 9 qershor 2017 Në ora: 08:58
Azem Parllaku

Në intervalin kohor që nga 17 maji e deri sot, një nga shprehjet e cila po artikulohet dendur, është fjala tradhti. Si një veprim i mbrapshtë tradhtia konsiderohet si shkelje e besës a e fjalës së dhënë, si qëndrim jobesnik, si largim nga parimet e idetë, etj. Tradhtia shfaqet si një braktisje, rebelim dhe paaftësi e brendshme ndaj detyrimeve kolektive të një grupi, ose të shoqërisë në përgjithësi, që për pasojë ka një mosbesim të ndërsjellë.

Tradhtia nuk është moment, por një ndërlidhje e shumë faktorëve psikologjik dhe material. Dhe, krejt natyrshëm, ne tradhtojmë vlerën e kohës, i tradhtojmë detyrimet e punës, i tradhtojmë vlerat kulturore, i tradhtojmë bindjet tona ideologjike, etj. Dhe të gjitha këto tradhti i zëvendësojmë me termin "përshtatje" ose, edhe më keq, "shfrytëzim të rrethanave". Zoti, vetëm pasi i'a kishte mësuar gjithë emrat Adamit, e dëboi atë nga Parajsa, sepse Adami vetëm në një moment i shkoi "përshtat" djallit, e hëngri pemën e ndaluar. Adami nuk e tradhtoi bindjen e tij ndaj Zotit, por i'u përshtat faktorëve të jashtëm.

Antipodi i tradhtisë nuk është besa, por bindja në parimet që ne e bartim në brendësinë tonë, larg përshtatjes dhe rezistues ndaj mekanizmave të jashtëm të tundimit. Zoti e vlerësoi bindjen e Adamit dhe e mëshiroi atë. Politikanët tanë "përshtaten" për shumë arësye, prandaj qytetarët nuk duhet të zhgënjehen kur politikanët "i shkelin fjalët e tyre", por nuk duhet t'u besojnë kur i thonë ato fjalë. Madje po i pyete se pse nuk qëndroni në deklaratat tuaja publike, ata menjëherë mund të të përgjigjen sikur në atë tregimin për Nasradin Hoxhën kur e pyesin: Pse i hëngre fjalët?

E ai përgjigjet: "Mos hëngra fjalët e tua, të miat i hëngra". Pas marrëveshjes së 17 majit, politikanët tanë, po e dëshmojnë sa s'ka më mirë, se i kanë tradhtuar bindjet tona ideologjike. Tashmë, është e qartë se, marrëveshja e 17 majit synon të eleminojë çdo zë alternativ ndaj sistemit politiko-ekonomik të Shqipërisë. Ajo do të përqëndrojë pushtetet tek ai grupim politik, që prej kohësh financohet dhe punon për interes të oligarkive kryesore të vendit. Në mungesë totale të mekanizmave të kontrollit, koalicioni i madh do të prodhojë një stabilitet zhgënjyes dhe vjedhje të shfrenuar. Rama dhe Basha, po krijonë imazhin e të fortit, teksa nuk po japin sinjale shprese. Këta dy politikanët e regjimit në Shqipëri, disa ditë kur na ndajnë nga zgjedhjet, janë të "frikësuar" si kurrë ndonjëherë.

E vërteta nuk ndryshon, vetëm vetëdija jonë për atë. Në vend të psikanalizës, politikanët e regjimit kanë për të qenë pikërisht të njejtët, pavarësisht nëse ne si shoqëri, i'a arrijmë t'a kuptojmë apo jo. Politikani, tek i cili është përqendruar fuqia më e madhe politike e shtetërore, është Edi Rama. Kjo pritej për sa kohë kishte hapësirë manovrimi. Pranimi i një qeverie me disa ministra teknikë për Ramën, duhet nënkuptuar si pranim i fajit për keqqeverisjen. Herët a vonë, ai nuk do t'i ikë përgjegjësisë.

Më parë se sa kundërshtarët jashtë partisë, përgjegjësinë do të i'a kërkojnë bashkëpartiakët. Pak individë brenda kampit të tij, kanë guxuar t'i kërkojnë llogari, ndërsa Rama riformatoi një parti-shtet, ku të gjithë taborin e ka nën kontroll. Rama vepron sipas parimit të Makiavelit. Dilemës nëse është më mirë të të duan ose të të druhen, i përgjigjet: Të dyja. Pasi pajtimi i dashurisë dhe frikës është i vështirë, ai ndjehet më i sigurt kur të gjithë i druhen. Por, të nënshtruarit, që i përkulen për shkak të interesit e frikës, do t'i vërsulen keqas, me ta kuptuar se liderit i janë shterur fuqitë.

Të nënshtruarit dhe servilët, si qenie mosmirënjohëse, që i shmangen rrezikut, sa kanë interes dhe ndjejnë frikë të përkasin, të japin gjithçka, por kur ndjejnë rrezik ikin për të shpëtuar lëkurën. Grupet e interesit i besojnë parasë. Kur u jepet rasti, nuk kanë për asgjë të kërkojnë dhe të gjejnë padronë të tjerë. Për ata, dita që lind është më e bukur se dita që perëndon. Kreu i opozitës Basha, edhe pse po mundohet të artikulojë pakënaqësinë qytetare, akuzohet edhe për braktisjen e kauzës së mbështetësve të tij çadristë. Me një matematikë të thjeshtë, pas marrëveshjes Rama-Basha, ky i fundit mund të përfitojë nëpërmjet bashkëqeverisjes me kundërshtarin e tij të djeshëm. Sigurisht, ky skenar bazohet edhe në supozimin e ish-kryetarit të LSI-së Ilir Meta, i cili së fundmi ka shpërthyer në akuza ndaj Edi Ramës dhe Lulzim Bashës, e sipas tij, dy individë janë bërë bashkë kundër një sistemi demokratik.

Thënë më saktësisht, ata nga njëra anë nuk janë duke bërë asgjë për popullin, ndërsa nga ana tjetër janë duke bërë gjithçka për vetveten. Rama dhe Basha do të jenë kështu liderë alfa dhe omega i grupeve që drejtonë, ku gjithëçka  varet nga ata, e ku partia duket sikur të jetë pronë e tyre private. Nga ata varet kush do të fitojë, kush do të përfitojë e kush do të humbë. Të tjerët janë vetëm njerëz, që janë të gatshëm të sakrifikohen në çdo moment për liderin. Nëse nuk e bëjnë me vetëdëshirë, atëherë bëhen kurbanë. Rilindja dhe Republika e Re, që filluan si një mision të madh politik, tanimë po transformohen në një kompani private të liderit ose në shoqëri aksionare. Në këto parti nuk ka vlerë as dija e as aftësia organizative, por çdonjëri peshon aq sa mjete do të sjellë në arkë.

Peshorja është në duart e liderit dhe është pikërisht ai që imponon një sistem të këtillë vlerash. Kulti i liderit ngrihet deri në atë nivel sa thyen edhe normat gjuhësore gjatë komunikimit me opinionin, me ç'rast edhe fjala kryetar shkruhet me germë të madhe. Shkruhet nga ata që pa liderin nuk vlejnë as si roje nëpër selitë partiake. Kjo politikë e bazuar në liderizëm dhe servilizëm, ka bërë që sistemi demokratik në Shqipëri të pësojë një mutacion, duke u shndërruar në një makineri që partitë politike i transformon në kompani fitimprurëse, politikanët në biznesmenë, kurse qytetarin në votues me pagesë. Zgjedhësit shqiptarë të tradhtuar jo pak herë, presin nëse qeverisja e re (Rama-Basha) do të jetë qeverisje reformatore.

Vendin e presin reforma të thella si dhe ballafaqim me sfida politike të natyrave të ndryshme. Po trashëgojmë një gjendje të rëndë të vendit në shumë dimensione, me ekonomi të dobët, tension politik, borxh publik të jashtëm, shkallë të lartëtë varfërisë dhe mbi të gjitha vendin me popull të stresuar dhe skajshmërisht të lodhur dhe të zhgënjyer nga klasa politike. Shqiptarët jo vetëm janë të zhgënjyer dhe tradhtuar nga klasa politike, por edhe të frikësuar. Frika po e ha shpirtin e demokracisë. Pavarësisht se nga disa këndvështrime konsiderohet ndjenjë apo teknikë që mund të na mbrojë nga rreziku, ajo në të vërtetë prodhon shkatërrim për lirinë dhe dinjitetin e njerëzve dhe të shoqërive. Frika, sipas teorisë politike, e ha shpirtin e demokracisë, u'a mohon individëve zhvillimin e aktiviteteve të tyre dhe e dobëson fuqinë për përfaqësim politik në institucione. Ne do të fitojmë, por shqiptarët humbën.

Me sa duket, ky është trendi në politikën shqiptare. Kur një politikan përbetohet se kurrë nuk do të bëjë aleancë me atë apo këtë parti, dijeni kjo do të ndodhë para ose pas zgjedhjeve. Atë që nuk mund t'a arrijnë para zgjedhjeve e arrijnë pas tyre. Pas zgjedhjeve siç po e shohim ka të ngjarë që të gjithë të bëhen bashkë, guximtarë e besatarë, ata që kanë humbur dhe ata që e kanë gjetur çelësin. Të gjithë mendojnë ndryshe, por prapë e shkelin besën dhe dalin fitimtarë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat