Për njohjen e projektuar të shtetit të Kosovës nga shteti serb

Opinione

Për njohjen e projektuar të shtetit të Kosovës nga shteti serb

Nga: Genc Drini Më: 3 qershor 2017 Në ora: 12:26
Genc Drini

Kosova është një Shtet i Pavarur, i njohur ndërkombëtarisht. Pas luftës shoviniste kriminale në Kosovë, pas vitit 1999 do vinte momenti që Serbia detyrimisht do ta bënte njohjen e Shtetit të Kosovës. E zvarrisi si për formë, sa për sy e faqe për politikë të brendëshme, ashtu dhe taktikisht për të përfituar sa më shumë nga bisedimet që do bëheshin. Fitoi sa mundi dhe shumë më tepër sa priste në Kosovë ngaqë bisedimet dy palëshe në nivelin teknik qenë jo të ekuilibruara. Forcoi pozicionin e vet si me BE ashtu dhe me Rusinë. Gjatë kësaj periudhe prej tetë vitesh arriti maksimumin e asaj që mund të arrinte, kjo taktikë përfitimesh nuk mund të çonte në përfitime të tjera. Tash ishte në interes të Serbisë që të ndryshohej pllaka për të arritur përfitime edhe më të mëdha.

Dhe fillon etapa e dytë e përfitimev. Nis me lëshim sinjalesh të qarta për njohjen e Shtetit të Kosovës nga Shteti i Serbisë që duke qenë para një realiteti të pa kthyeshëm në fakt e kishte të qartë që do ta bënte fill pas 1999-ës: “Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq në një intervistë për Radion Evropa e Lirë ka thënë se ka ardhur koha të bisedohet guximshëm për Kushtetutën e Serbisë dhe Kosovën”..“Këtë e them pikërisht për shkak se brengosem për të ardhmen e Serbisë”..“Një temë është edhe ndryshimet kushtetuese.. Të flasim për këtë. Unë dëshiroj të hap dialog shoqëror që do të zgjasë tre muaj, gjashtë muaj.. edhe për Kushtetutën, edhe për raportin tonë ndaj Kosovës, por nëse doni edhe për raportin tonë ndaj gjithë rajonit dhe kështu me radhë”, ka thënë Vuçiq.

“Ta shohim se çfarë është politika e jonë dhe ku e shohim Serbinë pas disa vitesh dhe jo pas një viti, se çfarë është politika për të cilën luftojmë”, ka deklaruar ai. Është përdorur  fjala“luftojmë” që tingëllon “më mirë” për veshët e serbëve se fjala “përpiqemi”

Nëse mundemi që ta hapim një lloj të tillë të dialogut me partitë politike, etj…Çfarë është ajo ku ne e shohim Serbinë. Dhe kur të vendosni qëllimet strategjike, atëherë do të mund ta gjeni rrugën”, ka theksuar Vuçiq… “Por harroni se ne jemi të vetmit që vendosim për këtë, sepse e dimë mirë se cili është roli i shqiptarëve në këtë…“Unë mendoj ta hap këtë diskutim guximshëm, pavarësisht se e di që përsëri do të lajmërohen disa gjeni që do të ma mbajnë tabelën “tradhtar” dhe ashtu-kështu të fshihen nga shikimi i vajzës dhe birit tim, sepse nuk e kanë të këndshme t’i shikojnë në sy, derisa mbajnë marri të tilla në duar”, ka theksuar ai. (Infopress 3 qershor)

Sot jemi para një qëndrimi të detyruar të Serbisë, pa asnjë shteg tjetër. Një stabilizim i rajonit është në të mirë të të gjithë shteteve, po dhe më gjërë të shteteve të BE ku këta gjashtë shtete të Europës Jugëlindore duan të integrohen.

Po përtej kësaj real politike të detyruar dhe të pa shmangëshme, duket qartë çfar projektohet pas perdes. Bashkimi Europian, në sintoni me Serbinë dhe duke bërë presion “pozitiv”mbi pesë shtetet e rajonit që më 2000, ka nisur elaborimin e një gjeopolitike rajonale që peshkon struktura të gatëshme në historinë serbo jugosllave, dhe nxit për krjimin e një Jugosllavie tjetër me gjashtë shtete të rajonit, sidoqë përveç Serbisë është krejt e papranueshme nga pesë vendet tjera, tejet e rrezikëshme për të ardhmen e tyre. Të shpëtuara nga kjo skemë janë Sllovenia dhe Kroacia që u futën  në BE, njëra më 2003 dhe tjetra më 2013. Para pak muajsh u bë një garë në mes politikës shtetërore të Serbisë dhe të Shqipërisë se cili ishte niciatori i krijimit të tregut të Përbashkët të “Ballkanit Perëndimor”. Por kryeministri i atëhershëm i Serbisë Vuçiq, i sigurtë, hoqi maskën dhe e përcaktoj shqeto, pa doreza se nuk kemi të bëjmë me një treg, po me një strukturë politiko ekonomike të vetme: Do ngrejmë “një Jugosllavi plus Shqipërinë”. Kosova e kundërshtoj e para dhe e quajti krejt të pa pranueshme.

Po ndërkohë që Serbia, presidenti, kryeministri, politikanë serb betoheshin që nuk do të njohin kurrë Shtetin e Kosovës, praktikisht si mund të krijohej “Jugosllavia dhe me Kosovën brenda të pa njohur si shtet prej Serbisë? Kuptohet se qe vetëm propagandë mashtruese për të fituar kohë dhe se detyrimisht e kishte të planifikuar edhe kohën për njohjen e Shtetit të Kosovës.

E çfar do na ishte kjo farë Jugosllavie që “do krijohej”? Njëlloj si dy të tjerat ku Serbia do ishte kapo në krye të saj po që do kishte dhe fundin e dy të tjerave. Ja si e përcakton Financial Times, dt. 24 mars 2017: “Serbia dhe Shqipëria janë gati për gjithçka.. Serbia do të luajë brënda këtij grupi atë rol që luan Gjermania në BE... Mali i Zi dhe Kosova megjithatë janë të alarmuara.” Edhe Shqipëria kohët e fundit ka shprehur rezerva, por ujrat e politikës rrjedhin çdo orë dhe duhen parë nga shkojnë...

Pas shkatërrimit ciklik të dy ish Jugosllavive si struktua artificiale që nuk mund të qëndronin në këmbë, përpjekjet e BE për një Jugosllavi tjetër të tretë, janë një eksperiment brutalisht i gabuar që e fut rajonin në të njëjtat ankthe dhe me funde të pritëshme si të dy ish Jugosllavive. Kjo nuk duhet e nuk do ndodhë kurrë. Shqiptarët do ishin njerëzit më mëndjelehtë po të futeshin në atë kurth të rrezikëshme vetëvrasëse. Ne i besojmë vetes. Edhe Bashkimi Europian i beson vetes dhe mirë bën, sidoqë dhe e ardhmja e vetë BE është e pa qartë në këtë periudhë të turbullt që po kalon Bota dhe nuk duhet të peshojë për të ngritur një minë me sahat. Ja që krijimi i një Jugosllavie është lëvizja e madhe e etapës së dytë të përfitimeve të mëdha të Serbisë, bishti i dardhës pas propozimit që i bën Vuçiq popullit serb për njohjen e Kosovës.

Dy shtetet shqiptare, duhet të kenë marëdhënie sa më normale tregëtare po dhe kulturore me Serbinë dhe ti shtojnë ato po qenë me interes reciprok. Po Kurrë më Jugosllavi.

Shqiptarët kudo, politikat e dy shtetev shqiptare që si primare për të zgjidhur kanë misionin kombëtar, duhet të ngrihen kundër këti projekti të rrezikshëm antishqiptar.

Shteti i Kosovës është fakt. Serbia e di përfundimisht se sa më shpejt të njohë Kosovën aq më mirë është për të, dhe kështu do ndodhë. Rruga e vetme është që secili nga gjashtë shtetet e Europës Jugëlindore të futet direkt në Bashkimin Europian që me ligjësitë e tij demokratike administron bashkësinë e shteteve, dhe shpresojmë ti qëndrojë sfidave të vështira.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat