Problemi më i madh sot për shqiptarët janë politika dhe partitë politike

Opinione

Problemi më i madh sot për shqiptarët janë politika dhe partitë politike

Nga: Skënder S.Kapiti Më: 2 qershor 2017 Në ora: 15:02
Skënder S.Kapiti

 Jo vetëm shqiptarët, por edhe aleatët perendimorë të shqiptarëve si SHBA dhe shtetet më të fuqishme  të BE-së janë mërzitur dhe lodhur së tepërmi me partitë kryesore politike, me politikanët dhe pushtetarët shqiptarë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë. Tashmë është bërë e qartë si në dritën e diellit se politikanët dhe pushtetarët më të lartë si në Shqipëri dhe në Kosovë vetëm sa e kanë shfrytëzuar politikën dhe pushtetin për interesat e tyre personale duke ngrituar edhe struktura të mirëorganizuara dhe të korruptuara mafioze.

Për çmontimin e tyre ka vetëm dy rrugë: e para është zbatimi i ligjit, që do të thotë ndëshkimi dhe dënimi ligjor i mafiopolitikanëve dhe politikanëve të kriminalizuar, hajdutë dhe të korruptuar. E dyta është funksionimi i demokracisë; funksionimi i parimit baze të saj që janë  zgjedhjet e lira dhe demokratike, që do të thotë ndëshkimi , skualifikimi,dënimi dhe dëbimi me votë të lirë i tyre nga politika e pushteti.

Kjo sot arrihet nëse elektorati në Shqipëri në këto zgjedhje ia jep votën duke ia besuar edhe qeverisjen jo PD dhe PS si deri më sot, por Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe forcave te tjera politike, gjë e cila do të mundësonte përshpejtimin e ndërtimit të shtetit ligjor, konsolidimin e demokracisë së politikës dhe të shoqërisë si dhe integrimin e vëndit.

Por nëqoftëse këto  nuk arrin t’i bëjë keto shoqëria shqiptare, atëhere vendimtare do të jetë një listë nga SHBA dhe BE që do të ua ndalon hyrjen atje individëve politikanë dhe pushtetarëve shqiptarë,  të atyre që kanë rekorde kriminale në mënyrë që ta inkurajojnë, ta zgjojnë dhe t’i japin nxitjen dhe guximin shoqërisë civile shqiptare për reagim të fortë kundër politikanëve të kësaj “elite” politike dështake dhe antipublike, të papërgjegjshme, të kriminalizuar dhe të korruptuar.

“Politikbërja” shqiptare  akoma edhe SOT nuk është as si ajo europiane, as si ajo amerikane sepse së pari ajo nuk është politikbërje demokratike dhe as patriotike, por është si e veçantë në llojin e vet; është si një lojë e keqe, pra keqfunksionale por edhe egoiste dhe agresive e cila gjithnjë gjeneron paqëndrueshmëri dhe kriza; dhe këtë politikbërje e zbut, e “ndreq” dhe e “pajton” perkohesisht vetëm “konsensusi” korruptiv dhe interesi i saj, pasi korrupsionin  dhe interesin personal e ka emërues të përbashkët edhe pluripartitizmi  pseudodemokratik në Shqipëri dhe Kosovë, dhe prandaj politikbërja e partive politike përbën rrezik dhe kërcënim për shoqërinë shqiptare.

 Elita politike aktuale  kudoshqiptare është edhe pronarja dhe manipulatorja më e madhe me patriotizmin,  me ligjin, me shtetin, me shoqërinë, me partitë dhe me kushtetutën. Këtë e tregoi edhe marrëveshja më e fundit, brënda natës, e kryetarit të PD-së, Basha, dhe atij të PS-së, Rama, dy  “bosët” e politikës në Shqipëri të cilët pa pyetur  as struktuarat e Partive të tyre, si dhe pa pyetur as për Kushtetutë bënë “marrëveshjen” e errët të natës për  bashkëqeverisje paraprake njëmujore  duke e detyruar Presidentin e Republikës që të ridekretojë datën e zgjedhjeve. 

Këtë e bënë po dy aktorët, Rama-Basha, të cilët për mëse tre muaj e mbajtën vëndin të bllokuar  me marrëveshje “mirëkuptimi” hipkrite dhe tinëzare me një krizë të fabrikuar  prej tyre, për qëllime dhe për interesa të tyre, për të treguar se ata edhe shkaktojnë kriza dhe probleme, por edhe për të treguar se vetëm ata janë edhe ata të cilët i zgjidhin ato.

Ky është si ai bashkëpunimi  i mëparshëm antiamerikan i tyre kundër demontimit të armëve kimike të Sirisë para 3 vitesh; është si ai “konsensusi” i tyre i vitit 2008 i puçit antikushtetues që e ndryshuan kodin zgjedhor dhe Kushtetutën brënda dy ditësh për interesa personale; ky është edhe si ajo marrëveshja dhe kompromisi i ulët i tyre për mosndëshkimin dhe mbrojtjen reciproke të pushtetarëve të tyre të cilët nëpër fushata akuzojnë rëndë njëri-tjetrin se nuk do të ketë vënde në burgje për të korruptuarit, hajdutët dhe të kriminalizuarit politikanë e pushtetarë, ndërsa, kur marrin pushtetin nuk veprojnë përveçse mbrojnë në mënyrën më hipokrite dhe djallëzore korrupsionin, hajdutërinë dhe krimin  e njëri-tjetrit. Kjo marreveshje mund te ketë brenda saj edhe atë konspiracionin e bashkëkoordinimit për të zgjedhur së bashku edhe deputetët e tyre në parlamentin e ardhshëm, gjë për të cilën PD e PS e bashkëbënë edhe Kodin Zgjedhor të vitit 2008

Dhe nuk është çudi që PD e PS edhe mund të bashkëqeverisin edhe haptazi, me kualicion,  pas 25 Qershorit 2017  për “hatër” të së “ mirës”, të “integrimit”  e të “ stabilitetit “të vëndit, por realisht me qëllim dhe për hatër të asaj kryesisht:  për t’i shpëtuar VETING-ut dhe për të qënë “unik” të dyja partitë  për të sfiduar edhe drejtësinë por edhe presionin e ndërkombëtarëve të cilët do të kërkojnë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe pastrimin e politikës nga të kriminalizuarit.

Kryetarët e Partive më të mëdha në Shqipëri deri tani janë pronarët edhe të së drejtës që: për interesat e tyre personale e ndryshojnë edhe Kushtetutën brënda 24 orëve siç vepruan Berisha-Rama në vitin 2008, prej të cilëve degjeneroi politika në kriminalizim; pasi të zgjedhurit prej  tyre të  kandidatëve  për deputetë i voton populli, pra, populli nuk zgjedh por i voton ata që i zgjedh dëshirimi dhe vullneti i kryetarëve të partive. Dhe kështu është vepruar edhe tani me listat për deputetë që do të zgjidhen me 25 Qershor 2017, ditën e ridekretimit nga Presidenti të datës së zgjedhjeve parlamentare.

Kësaj politike aventureske, politike korruptive dhe kriminale monopol të PD dhe të PS iu kundurvu me guxim LSI që në vitin 2008 kur PD e PS  bënë komplotin institucional me ndryshimet e Kodit zgjedhor dhe ndërhyrjet në Kushtetutë, dhe ky është edhe qëllimi  ndoshta edhe i marrëveshjes së fundit të PD e PS, për ta dëmtuar  sa të munden opozitën politike të vërtetë, sidomos Lëvizjen Socialiste për Integrim. Por është e kotë pasi; elektorati dhe votuesi shqiptar  shumicë tashmë  janë orientuar dhe i besojnë LSI-së dhe se; votuesi është ndërgjegjsuar se PD dhe PS janë dy bashkëshkaktarët , bashkëautorët  dhe bashkëveprimtarët politikë të tranzicionit  të cilët kanë  bashkëpunuar fshehurazi por edhe haptazi, dhe që ato të dyja PD e PS i kanë sjellë vetëm trauma e tragjedi shqiptarëve për interesa të ngushta personale të tyre. Janë ato të dyja që e kanë kapur dhe e mbajnë peng demokracinë, shtetin, ligjin, drejtësinë dhe integrimin e Shqipërisë.

Kjo marreveshje Rama-Basha iu imponua atyre nga faktori nderkombetar, SHBA-BE, pasi ato kërkojnë  minimalisht stabilitet në Shqipëri prej politikës shqiptare, por meqenëse kjo marrëveshje shkon vetem në favor të interesave të ngushta personale politike të dy liderve politik të të dy partive të mëdha shqiptare dhe të “elitës”politike servile dhe të ngushtë rreth tyre, nuk ka se si prej saj të mos dalin dhe të mos shpërthejnë pakënaqësi politike brenda vetë PD-së e PS-së si dhe pakënaqësi publike, e të risillet gjëndja e krizës së radhës jo larg në kohë  pas këtyre zgjedhjeve.

Kjo, apo më sakt, pas kësaj Marrëveshje për zgjedhjet kryesisht, dhe pas zgjedhjeve të 25 Qershorit 2017 do të duket  dhe zbulohet ajo se çfarë realisht ka manipuluar,  ka intriguar, maskuar dhe fshehur qëllimet e vërtetata kjo lloj marrëveshje personale e këtyre dy kryetarëve, e dy pronarëve të të dy partive, të PD-së dhe të PS-së, e që mund prej saj të gjenerojë një krizë tjetër edhe më e madhe, pasi: nuk janë të besueshëm, as seriozë dhe as që e dëshirojnë dhe nuk janë as të interesuar  si  Rama dhe Basha ashtu si edhe elita politike shqiptare në tërësi, kjo aktuale:  as për dekriminalizimin e politikës, as për zbatimin e reformës në Drejtësi, as për demokratizimin e shoqërisë dhe të shtetit shqiptar dhe as për integrimin e vërtetë të Shqipëisë për në BE, pasi: jemi dëshmitarë edhe të lojës së tyre, të cilët, bënë gjithça mundën për ta penguar si miratimin e Reformës në Drejtësi ashtu edhe për moszbatimin e saj për 4 vitet e shkuara, 2013-2017.

Opinioni politik , si ai i Majtë dhe i Djathtë dhe opinioni  publik në tërësi e ka spikatur edhe këtë  mashtrimin dhe “aventurizmin” politik më të fundit të këtij “konsensusi”të të dy partive kryesore, Parti Demokratike dhe Parti Socialiste, dhe pse jo, shumë shpejt realiteti do të imponojë një konfigurim të ri politik: atë të rritjes së rolit dhe të potencës politike të partive politike të reja të cilat nuk kanë mbi supe barrën e skandaleve dhe të dështimeve siç e kanë PD e PS prej mbi 25 vite të këtij tranzicioni, pra: që të jemi më të sakt mendoj se: realiteti, si zgjidhje të krizës së përhershme politike në Shqipëri do të ofrojë dhe do të imponojë  një reformim real të politikës  dhe të partive politike shqiptare në tërësi jo vetëm në Shqipëri por edhe te politika dhe partitë politike shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoni.

Për SOT, aktualisht pyesim politikën dhe opinionin se: a demokraci është kjo, apo është kërcënim dhe  problem i shkaktuar nga politika e cila  gjeneron  shpeshherë apo përherë pothuajse kriza demokratike, politike dhe konstitucionale?

Ashtu si edhe në Kosovë në kohë “rekord” dhe papritmas u vendos, jo se nuk duheshin zgjedhje të parakohshme, por ato u vendosën nga deputetët urgjentisht me qëllim që të korruptuarit dhe të kriminalizuarit t’i shmangeshin VETING-ut apo miratimit të Reformës në Drejtësi; me qëllim që po ata të rizgjidhen dhe të vijojnë në politikë dhe në pushtet edhe pas zgjedhjeve te 11 Qershorit 2017.

Këto janë premisa të asaj se marrëveshje të tilla  momentale  dhe për interesa personale politike  qoftë para apo pas zgjedhore vetëm sa do të gjenerojnë kriza të tjera ndoshta edhe më të mëdha pas zgjedhjeve  parlamentare të Qershorit 2017 në të dy shtetet, Shqipëri dhe Kosovë, pasi  realiteti gjithnjë  ka treguar se është shumë e vështirë që politika dhe politikanët shqiptarë të tregohet seriozë, ta mbajnë premtimin  dhe të jenë të përkushtuar për zgjidhje afatgjata politike dhe demokratike në interes të qytetarëve dhe të  kombit shqiptar.

Zgjedhjet politike, ngatërresat e konfliktet nga njëra anë por edhe  marrëveshjet për zgjidhje krizash apo edhe “konsensuset” e kualicionet  politike nga ana tjetër që më së shumti edhe këto të imponuara nga ndërkombëtarët, ashtu si  edhe çdo veprimtari tjetër që ndërmerr politika shqiptare janë vetëm mashtrime dhe akrobacira  politikanësh ordinerë e halabakë  sa për një  fasadë  “stabiliteti”momental që asgjë nuk zgjidhin por vetëm sa modifikojnë, përhapin dhe shtojnë korrupsionin, tradhëtitë, mashtrimet dhe krizat, të cilat,  vetem sa  riciklohen  akoma më fuqishëm vazhdimisht dhe ripërsëritshëm në sundimin politik, ekonomik, mediatik dhe gjithpërmasor kudoinstitucional shtetëror dhe publik  të po kësaj elite politike të pandryshueshme shqiptare; shohim se ndodh riciklimi i po  këtyre individëve dhe të këtyre fytyrave  të këtyre politikanëve  e pushtetarëve të pafytyrë e të paturp. Keshtu do te ndodhë ndoshta  edhe pas zgjedhjeve të Qershorit 2017 si në Shqipëri por edhe në Kosovë.

Këto vijnë  dhe janë kështu pasi: politika shqiptare asgjë nuk po zgjidh, pasi nuk ka se çfarë të zgjidhë ajo, kur ajo vetë, pra vetë politika  është problemi më i madh që kanë sot shqiptarët; politikë, prej së cilës i vijnë të gjitha të këqijat shoqërisë shqiptare.

Pra, kriza dhe autorët e krizave, të cilët janë politika dhe politikanët, ata nuk zgjidhin kriza, por ata vetëm sa kanë gjeneruar dhe gjenerojnë gjithnjë  aventura korrupsioni, tradhëtie dhe kriza.

Lidershipet e partive politike shqiptare janë diskredituar tashmë publikisht dhe ndërkombëtarisht si ndërmarrje kooperimi krimi, korrupsioni, hajdutërie , padrejtësie dhe grabitjeje edhe sepse: kur vjen fjala për interesat e tyre personale ato edhe i lëpijnë ato për çfarë akuzojnë e shajnë njëri-tjetrin dhe papritur brënda natës bëjnë kompromise e marrëveshje, tolerime dhe “konsensuse” të paimagjinuara, të habitshme dhe tejet të pështira dhe të neveritshme për hatër vetëm  të interesave të ngushta personale politike, pushteti, privilegji dhe pasurimi në dëm të interesave të shoqërisë, shtetit dhe të kombit.

Partitë politike shqiptare, politika e elitës politike të tyre, e ka bërë jashtë mase  pis dhe e ka ndotur rëndë  demokracinë duke e përdorur atë si një lojë apo maskaradë  ku politikanët janë vetë edhe lojtarët, edhe padronët, edhe gjyqtarët  e saj; ndërsa populli është spektatori i cili vetëm sa mashtrohet prej asaj loje të blerë, të shitur e të korruptuar që politikanët  dhe pushtetarët  bëjnë me demokracinë, me ligjin, me drejtësinë dhe me pushtetin.

Aq rëndë  janë infektuar dhe  prishur  politika dhe politikanët shqiptarë sa që votuesit e kanë humbur besimin dhe nuk dinë se kujt t’ia besojnë votën dhe të drejtën e qeverisjes dhe të pushtetit, pasi kush po vjen në pushtet po sillet më keq dhe më zi se sa paraardhësi i mëparshëm, dhe se, si ata që duan ta mbajnë pushtetin, si dhe ata që duan ta rrëmbejnë atë, pra si pozita ashtu dhe opozita kanë të njëjtën natyrë politike: atë të korrupsionit, mashtrimit, vjedhjes dhe të spekullimit e të  tradhëtisë  së interesave të publikut; të servilizmit dhe të puthadorës ndaj ndërkombëtarëve; të gadishmërisë për të sakrifikuar gjithçka  që s’është e tyrja për interesa personale.

Prandaj kjo lloj politike dhe këta lloj politkanësh janë kërcënuesit më të mëdhenj të shoqërisë shqiptare dhe të sovranitetit kombëtar.

Humbësi më i madh në demokracinë shqiptare ka qenë populli; ai i ka paguar të gjitha kusuret dhe harxhet  e tradhëtive, pabesive, korrupsionit, hajnisë, krimeve dhe të mashtrimeve që ka bërë politika.

Shqiptarë! A nuk po e shikoni se fatet e popullit, të demokracisë e të shtetit  dhe në fund të fundit për to: po vendosin gjithnjë një grusht individësh e matrapazësh  të ashtuquajturish “elitë politike”,  të papërgjegjshëm edhe para partive, edhe para ligjit dhe para kombit për dëmet, zullumet, korrupsionin dhe për poshtërsitë  që ata bëjnë?

A kjo është demokracia?

Në se kjo qënka Demokracia, atëhere Demokracia ose nuk egziston, ose na qenka mashtrimi më i madh, pasi ajo, pra demokracia nuk qenka në popull, populli nuk po sundon dhe as nuk po qeveris gjëkundi. Ky është të paktën realiteti SOT në Shqipëri dhe Kosovë apo jo, ku Demokracia nuk po del nga populli por është shumë larg tij; Demokracia  nuk  është pra e  popullit dhe  as nuk po i shërben popullit, por po i shërben politikës dhe politikanëve të cilët  punojnë pandershmërisht kundër Demokracisë dhe interesave të popullit.

Pra, demokracia po përdoret nga politika  dhe politikanët  vetëm  për mashtrim.

Shqipëria dhe Kosova janë realisht në krizë politike, demokratike dhe të integrimit; por stabiliteti politik i cili akoma nuk ka degraduar në anarki dhe rrëmujë, kjo  është vetëm falë presionit të Perendimit e sidomos BE-së pasi edhe atyre përballë këtij realiteti të politikës dhe të politikanëve shqiptarë u intereson të paktën stabiliteti politik në Shqipëri dhe Kosovë dhe jo aq shumë demokracia , ndërtimi i shtetit ligjor, zgjidhja e problematikave politike, ekonomike, integrimi etj., dhe se për mosrealizimin  dhe moszgjidhjen e tyre fajtore është politika e elitës politike aktuale shqiptare

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat