Mekanizmat institucional të Anëtarësimit në NATO

Opinione

Mekanizmat institucional të Anëtarësimit në NATO

Nga: Dr.Nijazi Halili Më: 29 maj 2017 Në ora: 15:34
Dr.Nijazi Halili

Këshilli i Partneritetit  Euro-Atlantikut (EAPC), është ngritur më 1997 për të pasuar Këshillin e Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut. Ai bashkon vende Aleate dhe Partnerë në një forum që mundëson konsultime të rregullta dhe bashkëpunim. Ai takohet në intervale të rregullta në nivel Ambasadorësh dhe Ministrash të Mbrojtjes.

Krerët e Shteteve dhe Qeverive të 46 anëtarëve mund të takohen gjithashtu, kur të nevojitet, siç bënë në Uashington në prill të vitit 1999. Samiti EAPC-së në Uashington ishte një rast për diskutime të hapura rreth bashkëpunimit që lidhet me sigurinë brenda EAPC-së në shekullin 21. liderët u përqendruan në sfidat kyçe të sigurisë në rajonin e EAPC-së, veçanërisht në situatën në Kosovë.

Krerët e Shteteve dhe Qeverive përcollën dy dokumente që lidheshin me zhvillimin e mëtejshëm të Partneritetit për Paqe. I pari, “Korniza Politike-Ushtarake për Operacionet e PfP-së të udhëhequra nga NATO” adresonte përfshirjen e vendeve Partnere në konsultimet politike dhe në vendim-marrje, në planifikimin operacional dhe në koordinimin e komandës për operacionet e ardhshme të udhëhequra nga NATO, në të cilat marrin pjesë edhe ato. Dokumenti i dytë me titull “Drejt Partneritetit për Shekullin 21 – Partneritet i Shtuar dhe më Operacional” ravijëzon elementet kryesore të planifikuara për ta bërë partneritetin për Paqe (PfP) më operacional.

Në janar 1994 në Samitin e Brukselit, liderët Aleatë  rikonfirmuan se Aleanca ishte e hapur për anëtarësime të reja.

Partneriteti për Paqe (PfP) është një nismë e filluar nga NATO në takimin e Samitit të Brukselit të Këshillit të Atlantikut të Veriut në janar të vitit 1994. Qëllimi i Partneritetit është të shtohet stabiliteti dhe siguria kudo në Evropë.

Programi i PfP-së fokusohet në bashkëpunimin që lidhet me mbrojtjen por shkon përtej dialogut dhe bashkëpunimit për të ndërtuar një partneritet të vërtetë midis secilit vend Partner dhe NATO-s.

Të gjithë anëtarët e PfP-së janë gjithashtu anëtarë të Këshillit të Partneritetit Evro-Atlantik (EAPC) që ofron kornizën e përgjithshme për bashkëpunim midis NATO-s dhe vendeve të saj Partnere. Ndërkaq, Partneriteti për Paqe ruan identitetin e vet të ndarë në kuadër të kornizës që ofron EAPC dhe mban elementet dhe procedurat e veta themelore. Mbështetet mbi bazën e marrëdhënieve bilaterale midis NATO-s dhe secilit nga vendet e PfP-së.

Nisma e NATO-s për Evropën Jug-Lindore (SEEI) u lansua në Samitin e Uashingtonit me qëllimin që të çojë më tej bashkëpunimin rajonal, si dhe sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në rajon.

Nisma qe bazuar mbi 4 shtylla: një Forum Konsultativ mbi Çështje të Sigurisë në Evropën Jug-Lindore, një Grup Punues Ad Hok i hapur (AHËG) mbi Bashkëpunimin Rajonal në Evropën Jug-Lindore nën kujdesin e EAPC-së, në Sesionin e Komitetit Politik,  mjetet e punës së Partneritetit për Paqe, dhe programet e synuara të bashkëpunimit rreth sigurisë për vendet në rajon.

Forumi konsultativ përfshinte vendet e NATO-s, gjashtë vende Partnere në Evropën Jug-Lindore (Shqipërinë, Bullgarinë, Kroacinë, Rumaninë, ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Slloveninë) dhe Bosnjë e Hercegovinën. U takua  fillimisht në nivel Samitit në prag të Samitit të  NATO-s në Uashington në prill të vitit 1999 dhe është takuar më pas në nivel Ambasadorësh në shtabin e NATO-s në Bruksel.

Plani i Veprimit të Anëtarësimit (MAP) është Program këshillimi, ndihme dhe mbështetje praktike nga NATO për vendet, që vijojnë nevojat e vendeve që dëshirojnë të anëtarësohen në Aleancë. Është prodhim i Samitit të  Uashingtonit.  Ka të bëjë me programe individuale për vende të veçanta, varësisht nga karakteristikat e tyre. Ai bazohet në pesë kapituj 

Çështjet Politiko-Ekonomike
Çështjet Ushtarake dhe të Mbrojtjes
Çështjet Financiare
Çështjet e Sigurisë
Çështjet ligjore

Pra lidhet me reformat e vendeve të veçanta. Është mekanizmi më thelbësor për vendet që aspirojnë së shpejti anëtarësimin në NATO. MAP 2004-2005 është i gjashti në radhën e raporteve.

Karta e Adriatikut është një nismë në frymën e Kartës Amerikane të Baltikut, e cila u propozua nga Presidentët e Shqipërisë, Kroacisë dhe Maqedonisë për Presidentin Bush, në Pragë, në Nëntor 2002. U nënshkrua në 2 Maj 2003, në Tiranë nga MPJ Meta, Mitreva, Picula dhe Sekretari Amerikan  i Shtetit Poell.

Përbën një element shtesë në nxitjen e procesit të anëtarësimit dhe reformave, bashkëpunimit ndërmjet vendeve tona dhe me Aleancën. Është shprehje e ndjeshmërisë së veçantë amerikane për rritjen e sigurisë dhe anëtarësimin e shpejtë të vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat