Pse u burgos Dr. Nail Draga?

Opinione

Pse u burgos Dr. Nail Draga?

Nga: Xheladin Zeneli Më: 14 maj 2017 Në ora: 23:50
Xheladin Zeneli

Dënimi me burg me afat prej 6 muajsh i ish drejtorit të Qendrës së Kulturës në Ulqin, Dr. Nail Dragës me akuzën e ” keqpërdorimit të pozitës zyrtare”, është një akt skandaloz për institucionet e ashtuquajtuara të drejtësisë në Mal të Zi, për arsyen e thjeshtë se organet gjygjësore ndjekin penalisht një ish drejtues të një institucioni kulturor për kinëse një gabim të natyrës procedurale, por anashkalojnë dhe mohojnë krimet e vërteta dhe korrupcionin politik e ekonomik që kryehen në majën e piramidës së pushtetit në Mal të Zi!.

Gjithashtu, z. Draga i ngarkohet edhe akuza e dhënies me qira një objekt ( pronë e Shtëpisë së Kulturës), “pa shpalljen e tenderit publik” (!?). Për të parë se si “drejtësia apo gjykata” malazeze vepron në mënyrë selektive duke ndjekur penalisht raste tepër të pa rëndësishme apo me qëllime të caktuara ,kurse në anën tjetër duke mbyllur sytë ndaj epidemisë së korrupcionit që ka kapluar aparatin shtetëror, po iu sjellim disa dëshmi interesante.

MANS,një organizatë joqeveritare e cila merret me hetimin e korrupcionit shtetëror, raporton se në vitin 2012 agjensitë qeveritare në Mal të Zi kanë nënshkruar 147 marrëveshje paraprake, pa deklaruar tenderin publik. Shpeshëherë zyrtarët qeveritar manipulojnë me tenderët publik me qëllim që të përfitojnë kompanitë që janë më afër apo që preferohen nga partia në pushtet .Tentimet për të hetuar ,persekutuar dhe dënuar zyrtarët e lartë shtetëror për korrupcion apo krime të ngjajshme, nuk sjellin rezulltate.

MANS ka hetuar 333 raste të korrupcionit prej vitit 2006-2012 dhe ka zbuluar se gjykatat japin denime jokonsistente në këtë aspekt. Dënimet zakonisht janë të ashpërta për punonjësit që kanë pozita të ulta apo të mesme, kurse për zyrtarët e lartë të Qeverisë marrin dënime më të buta për kryerjen e krimeve më serioze siç është abuzimi apo keqpërdorimi i pozitës. Shembull më mirë për këtë është rasti i ish zyrtarit të lartë të PDS-së ,Svetozar Maroviq i cili abuzoj me pozitën e tij udhëheqëse duke plaçkitur vite me radhë ,buxhetin e Komunës së Budvës me dhjetra miliona dollarë dhe për këte krim ai është dënuar vetëm me tre vite e dhjetë muaj heqje lirije (!?).

MANS gjithashtu raporton se në vitin 2014 , 59 institucione shtetërore të nivelit qendror dhe lokal kanë kryer veprime antiligjore me rastin e transakcioneve të ndryshme pronësore, por asnjë nga drejtuesit e tyre nuk janë sjellur para gjygjit. Edhe Departamenti i Shtetit Amerikan , në raportet e tij për të drejtat e njeriut , vazhdimisht ka tërhequr vërejtjen lidhur me problemin e korrupcionit të zyrtarëve të lartë në Mal të Zi duke theksuar se edhe “përkundër faktit se ligjet ofrojnë dënime kundër zyrtarëve të korruptuar, megjithate qeveria nuk i implementon me efikasitet të duhur ”.

Korrupcioni, keqpërdorimi i pozitës dhe krimi i organizuar fillon nga majat më të larta të pushtetit, pra nga politikanët dhe udhëheqësit kryesor shtetëror në Mal të Zi. Të flitet për korrupcion , për krim të organizuar, për keqpërdorim të pozitës dhe veprime të tjera antiligjore në këtë shtet, nuk mundet pa u përmend emri i ish kryeministrit dhe shefit të partisë së PDS-së, Millo Gjukanoviq i cili për rreth tre dekada me radhë( herë si kryeministër e herë si president i Malit të Zi), shërbeu si politikani numër një i Malit të Zi. Mali i Zi konsiderohet një shtet i vogël dhe i varfër por që Millo Gjukanoviq me familjen e tij ka një fuqi të madhe ekonomike dhe konsiderohet si një ndër klanet politike sunduese më të pasur në botë, kurse revista britaneze ” Indepedent”, e klasifikon Millo Gjukanoviq-in si një ndër 20 politikanët më të pasur në botë. Në vitin 2015 Gjukanoviq u shpall ” Person i vitit për krim të organizuar dhe për korrupcion” nga OCCRP, ( Organized Crime and Corruption Reporting Procect ) një oganizatë e njohur e cila merret me hetimin e korrupcionit të udhëheqëve qeveritar.

Pas gjithë kësaj që u tha më lartë, burgosja e Dr. Dragës tingëllon si farsë e veprimit të ” shtetit ligjor”. Pra, kur Qeveria arreston dhe burgos punonjës apo drejtues të thjeshtë ,për shkak të ndonjë çështje procedurale, mundohen të tregojnë se “drejtësia” vepron dhe se në Mali i Zi kinëse luftohet korrupcioni! Gjithashtu,në këtë mënyrë njëherit tentohet që të tërheqet vëmendja nga krimet serioze që bëhen në nivel shtetëror, ku janë të përfshirë shumë funksionerë të klasës politike dhe që për një kohë të gjatë dëmtojnë shoqërinë duke u pasuruar në kurriz të qytetarëve, por që dora e drejtësisë nuk i arrin dot.Nëse e njëjta akuzë apo kriterijum që është aplikuar ndaj z. Draga me

rastin e dënimit të tij, të ishte aplikuar ndaj të gjithë të tjerëve që ushtrojnë funksione të shërbimeve publike në Mal të Zi, atëherë do të kishim dënime dhe burgime të përditshme në Mal të Zi !.

Pse u burgos Dr. Nail Draga?

Dr. Nail Draga është një intelektual i njohur jo vetëm ndër shqiptarët në Mal të Zi por në mbarë hapësirën shqiptare në përgjithësi i cili mban gradën Doktor i shkencave gjeografike. Është autor i disa librave, ku kryesisht trajton çështjen e shqiptarëve në Mal të Zi.

Gjatë viteve “80-ta, si intelektual i ri, dalë nga Univerziteti i Prishtinës, për aktivitietin e tij,vëzhgohej dhe përndjekej vazhdimisht nga organet e atëherëshme të sigurimit malazezo-jugosllav, me ç’rast policia e atëhershme i konfiskoj librarinë e tij private e cila nuk iu është kthyer asnjëherë.

Me vendosjen e sistemit shumpartiak në Mal të Zi, ishte një ndër të parët që u aktivizua duke ndihmuar në përpilimin e Statusit Special të Shqiptarëve në Mal të Zi në vitin 1992, një dokument i atëhershëm me rëndësi për të drejtat e shqiptarëve në këte republikë. I ftuar nga LQSHA në vitin 2003 dëshmon në Kongresin Amerikan në Washington DC, lidhur me diskriminimin e shqiptarëve në Mal të Zi. Organizon dhe merr pjesë vazhdimisht në simpozijume, takime ,prezentime e mbledhje shkencore ku diskutohen çështjet me rëndësi jetike për shqiptarët në rajon. Në kuadër të ART-CLUB-it në Ulqin ( Shoqatës së Intelektualëve dhe Artistëve ) ka redaktuar dhe organizuar promovimin e dhjetra librave të autorëve të ndryshëm shqiptarë. Përmes shkrimeve, publikimeve, analizave të tija të shumta gjithënjë shpreh shqetësimin për pozitën e shqiptarëve në Mal të Zi dhe çdo herë ngrit zërin e tij për padrejtësitë që iu bëhën shqiptarëve në shumë sfera të jetës shoqërore dhe në këtë mënyrë është bërë një zë i fuqishëm i ndërgjegjësimit të çështjes shqiptare në Mal të Zi.

Dr. Nail Draga në të gjitha pozitat që ka mbajtur deri më sot ndër të cilat ishin edhe drejtor i SHF ” Bedri Ekezaga” në Katërkollë ( Anë të Malit) si dhe drejtor i QK në Ulqin, i ka kryer me dinjitet, me ndërgjegje , etikë të lartë të punës dhe me përgjegjësi të plotë dhe në asnjë rast nuk ka pasur përfitime materiale. Këtë e vërteton edhe standardi modest i jetës së tij prej intelektuali. Vlen të përmendet se derisa ishte drejtor i Qendrës për Kulturë në Ulqin ka inicuar e organizuar aktivitete të shumta kulturore si Mbrëmjet e shumta Poetike , Panairet vjetore të Librit etj. dhe ka dhënë një kontribut të veçantë për jetën kultorore dhe artistike të këtij qyteti.

Duke pasur parasysh një aktivitet të bujëshëm të një intelektuali të dalluar të çështjes kombëtare ,nuk ka se si të mos ngjallen dyshime lidhur me qëllimet dhe prapavijën e vertetë e burgosjes së Dr. Nail Dragës nga autoritetet malazeze! Dihet mirë se në një shtet ku gjykata dhe institucionet e drejtësisë janë të korruptuar dhe i shërbejnë klikës së ngusht të pushtetit, po i njëjti shtet është në gjendje që të kurdisë akte të caktuara gjygjësore ndaj të “padëshiruarëve” , ndaj atyre që ngrisin zërin vazhdimisht ndaj atij pushteti apo ndaj atyre që angazhohen për mbrojtjen e të drejtave të popullit të vet.

Dënimi dhe heqja e lirisë së intelektuali në çdo shoqëri është për t’u shqetësuar, posaçërisht dënimi i një intelektuali me përkatësi kombëtare shqiptare në Mal të Zi, ( pra, të Dr. Dragës), duke pasur parasysh të kaluarën e hidhur e regjimeve sllave ndaj intelegjencisë shqiptare, por njëherit dhe trajtimin dhe statusin e tanishëm të pabarabartë të shqiptarëve në përgjithësi në këtë shtet.

Autori është ish anëtar i Parlamentit të parë pluraliste në Mal të Zi, shkrimtar dhe publicist.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat