Çadra e protestës dëshmon se ka ende shpresë

Opinione

Çadra e protestës dëshmon se ka ende shpresë

Nga: Rexhep Shahu Më: 27 mars 2017 Në ora: 22:28
Rexhep Shahu

Çadra e lirisë, siç e quajne disa, çadra e demokracisë, ose sera ku rritet shpresa e shqiptarëve, e ngritur pak metra larg vendit ku pati ngritur çadren "restorant pica & berxolla" Edi Rama me militantë të Partisë Socialiste, i kujton shumë gjëra kryeministrit Rama dhe shqiptarëve që nuk e përgojojnë pa ditë asgjë për të, thjeshtë në emër të partisë.

E para gjë që i thotë çadra kryeministrit Rama është se në këtë vend ka ende shpresë dhe çadra është sera ku rritet kjo shpresë, mu në sytë e hundën e kryeministrit.

U thotë shqiptarëve se shumë pushtete i ka gllabëruar Edi Rama por ende e ka një oaz që nuk e ka pushtue.

U thotë shqiptarëve se pushteti i rrenës, i shpifjes, i mashtrimit, i lyerjes e suvatimit, i shplarjes së truve të njerzve janë të Edi Ramës, por çadra është gishti i akuzës që nuk fshihet edhe pse mediat nën pushtetin e dhunshëm të Edi Ramës nuk e japin çadrën as 10 % sa jepnin mediat çadren "restorant pica & bërxolla" Edi Rama kur qeveriste Berisha. 

Çadra është demokracia që vepron e lodhur në këtë vend, por vepron duke na kujtue se dhuna e qeverisë nuk ka mbërri në limitet kur duhet kapë pushka për liri.

Çadra sot është tempulli i demokracisë, tempull i cili përgojohet në mënyrën më të pistë e të paturpshme nga kryeministri, rrogëtarët e shumtë anonimë e jo anonimë, ishsigurimsat në veprim me familjarë e farefis vesi, me viktima të diktaturës, spiuna ose jo, që i konsiderojnë farefis të tyre.

Cadra e ngritur nga Partia Demokratike po i bën nder të madh Edi Rames, po ia pohon se ai qeveris në një sistem demokratik, ku lejohet të protestohet dhe të ngrihet çadër proteste në oborrin e kryeministrit.

Çadra e PD dhe Lulzim Bashës po i mëson Edi Ramës durimin, po ia kujton se Rama çalon, është i sëmurë, është i mplakur, është hutuar, është i turbulluar, ka dhimbje të mëdha koke, po ia kujton se nuk është shumë i zoti në realitet ani pse mashtron dhe është ekselent në mashtrim.

Cadra që nuk funksionon përfekt, që po ia marrin frymën kandidatët për dhëndurë e nuse të pushtetit të nesërm, kandidat deputetët, kandidat ministrat, kandidat zevendësministrat, kandidat ambasadorët, kandidatë për dhëndurë pushteti të nesërm që vijnë si skorje të pushtetit të djeshëm të PD, që janë aktorë dështakë të djeshëm dhe aktrojnë t'i shiten sot Lulzim Bashës si atllarë e atkija kur janë gomerë e gomarica, pra kjo çadra edhe pse nuk funksionon përfekt, po na jep shpresë dhe po na pohon se ende ka shpresë këtu në këtë vend.

Partia Demokratike që ka vuajtur gjithmonë nga mungesa e shpjegimit të saj dhe të punëve të saj, që janë mijëra herë më të mëdha se gjithë punët e bëmat e PS, duhet të shpjegohet, duhet të ketë shpjeguesit e saj. Dhe nuk mund të jenë dot shpjegues të PD ata që janë e ndjehen si gllabërues të PD, që ndjehen të huaj në PD, që kanë bërë luftë për ta varrosë dikur PD.

Partia Demokratike me çadrën e lirisë ose me serën ku po rritet shpresa e shqiptarëve, duhet ta dije se asnjë shqiptar i zakonshëm, i thjeshtë, që rri në punët e veta, nuk bezdiset nga çadra e lirisë. Nga ajo çadër shqetësohen pushtetetarët dhe ata që kujtojnë se do të jenë në pushtet gjithë jetën.

Sot shqiptarët dhe ata që besojnë te Partia Demokratike, ata që duan të besojnë, ata që nuk kanë ku besojnë, ata që janë zhgënjyer e po zhgënjehen nga qeveria Rama, kanë nevojë të besojnë diku, duan një kishë apo xhami, duan të besojnë te PD e te çadra e lirisë.

Por të gjithë kanë një pyetje që e thonë ose jo por e pëshpërijnë: a e ka seriozisht PD dhe Lulzim Basha protestën, kauzën, këmbënguljen, qëndresën.

Nëse do të jetë qëndrestare PD, nëse çadra do ta rrisë tamam shpresën, le të kurdisen lajme anti PD jo në televizionet shqiptare por edhe në ato amerikane apo kineze apo ruse, le të deklarohen zëdhënësit e zëdhënësve se Amerika është kundër apo pro, pasi një gjë është e sigurtë, të gjithë janë me atë që është serioz, që është trim, qëndrestar, që nuk tradhëton veten dhe kauzat e tij dhe këtu në këte atdheun tonë të vogël votojne shqiptarët, jetojnë shqiptarët, që e dinë tashmë saktësisht se janë shqiptarë dhe jo si para një shekulli që nuk e dinin çfarë ishin por vetquheshin myslimanë apo kaurë.

Vetëm një gjë i mungon kohës tonë, seriozët, qëndrestarët, trimat, këmbëngulësit, përkrahësit e idealistëve, ata që nuk bëjnë pazare të ndyra, i mungojnë misionarët.

Shpresoj se çadra e protestës po na mëson përditë se shqiptarët kanë shpresë dhe do të kenë ku të shpresojnë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat