Binomi i pandarë - NATO dhe Kosova

Opinione

Binomi i pandarë - NATO dhe Kosova

Nga: Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi Më: 23 mars 2017 Në ora: 10:31
Prof. Asoc. Dr. Enver Bytyçi

Nesër mbushen 18 vite nga koha kur avionët e NATO-s filluan bombardimet kundër caqeve ushtarake të Serbisë. Në orën 19. 45 të datës 24 mars 1999 avionët e Aleancës lëshuan  mbi Jugosllavinë e mbetur bombat e para, duke shënuar fillimin e një fushate historike për t'i dhënë fund një konflikti më shumë se njëshekullor në Kosovë.  Presidenti amerikan, Bill Clinton, atë natë mbajti para popullit amerikan fjalimin historik, duke lajmëruar se ai kishte urdhëruar Aleancën Atlantike të fillonte operacionin ushtarak, si mundësi e vetme e zgjidhjes së konfliktit shqiptaro-serb në Kosovë.

 Duke njoftuar urdhërin e tij për bombardimet kundër Serbisë, Bill Clinton u tha amerikanëve se "Ne dhe Aleanca e NATO-s kemi bërë të gjitha përpjekjet, me qëllim që të arrinim një zgjidhje paqësore të konfliktit në Kosovë. Por presidenti Milosheviç, i cili në të kaluarën e afërt shkaktoi luftra të tmerrshmë në Kroaci e në Bosnjë, ka vendosur në favor të agresionit në vend se të paqes". Presidenti amerikan në atë fjalim para kombit amerikan përcaktoi dhe objektivat strategjike të operacioneve ushtarake, të cilat konsistonin në demonstrimin e forcës kundër agresionit të Milosheviçit në Kosovë, që ai të ndalë sulmet kundër civilëve të pambrojtur, si dhe të dobësohej fuqia ushtarake e Serbisë, me qëllim që ajo të mos mund të vazhdonte me tej agresionin e saj ushtarak në Kosovë.

Dhe jo vetëm Bill Clinton... Thuajse në të njëjtën njëjtën orë dolën atë natë në ekranet e televizioneve kombëtare udhëheqësit kryesorë të Europës Perendimore për t'u kumtuar popujve të tyre vendimin për t'i ardhur në ndihmë një populli që po përndiqej, masakrohej dhe shpërngulej prej trojeve të veta, shqiptarëve të Kosovës. Tony Blair në Londër, Gerhard Schreoder në Berlin, Shirak në Paris e të tjerë burra shteti u detyruan të justifikonin aksionin ushtarak të ushtrive të tyre, me qëllim që ky aksion të merrte dimensionet e veta reale. Kancelarit gjerman i duhej të shpjegonte se pse Gjermania për herë të parëpas Luftës së Dytë Botërore do ta nxirrte ushtrinë e saj jashtë kazermave të mbyllura e do t'i bashkëngjitej veprimeve luftarake të Aleancës.

NATO për herë të parë në historinë e saj 50 vjeçare u bashkua njëzëri për t'i dhënë një mësim të mirë agresionit serb në Kosovë dhe për të parandaluar katastrofën humanitare dhe zgjerimin e konfliktit në rajon. Ishte aksioni i parë ushtarak i Aleancës në një territor jashtë vendeve anëtare të saj. Ishte gjithashtu kthesa më e rëndësishme në vendosjen e rendit të ri botëror pas rënies së Murit të Berlinit. Ishte kjo një ndërmarrje ushtarake më e madhja në historinë e NATO-s, pas shterrimit të të gjitha mjeteve diplomatike e politike preventive për t'i dhënë fund terrorit serb të Milosheviçit në Kosovë.

Katër ditë pas fillimit të bombardimeve,më 28 mars, ministri i Mbrojtes i Gjermanisë, Rudolph Scharping kishte folur për herë të parë "për krime kundër njerëzimit" të Beogradit në Koosovë. Ndërsa pak ditë më pas, ministri i Jashtëm gjerman, Joschka Fischer, masakrat e dhunën e Milosheviçit në Kosovë i konsideroi si "Makineria e vdekjes e Milosheviçit" dhe foli për "SS-të serbë", ndërkohë që kundështarët e sulmeve të NATO-s i quajti "përkrahës të fashizmit të ri". Fischer shkoi më tej, kur masakrat në Kosovë i krahasoi me Aushvicin. Ai u shpreh se "Nuk kam mësuar vetëm nga nocioni "kurrë më luftë", përkundrazi, kam mësuar nga nocioni "kurrë më një Aushvic i ri". Po ashtu Tony Blair paralajmëroi se Europa nuk mund të pranonte që në fund të shekullit të XX të përsëritej koha e nazizmit.

Nato vazhdoi bombardimet e saj kundër caqeve ushtarake e policore të Serbisë në një hark kohor prej 78 ditësh.  Gjatë gjithë kësaj kohe Aleanca koordinoi jo vetëm programin e përditshëm të sulmeve ajrore, por edhe operacionin mediatik, me qëllim që opinioni publik të ishte gjithnjë i informuar dhe të mbështeste operacionet ushtarake të NATO-s.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Bruksel dhe në disa qendra të tjera europiane u krijuan qendrat mediale të informacionit. Më e rëndësishmja prej tyre ishte Qendra Mediale e Operacioneve (Media Operations Centre - MOC) në selinë e NATO-s në Briuksel, ku u angazhuan së paku 20 ekspertët më të mirë të përpunimit të informacionit. Këtë qendër e drejtonte Alastair Campbell, një nga këshilltarët më të zotë te Tony Blair. U formuan gjithashtu kompanitë e performancës së imazhit të luftës. Të gjithë personazhet mediatikë, zëdhënësi i NATO-s Jamie Shea, gjeneralët, ekspertët, politikanët, u angazhuan të argumentonin se "Përse kjo luftë kishte kaq shumë rëndësi për rendin e ri botëror". Zëdhënësi Jamie Shea thoshte se "Kosova ishte e para luftë mediatike. Përdorimi i medias, beteja për përpunimin e opinionit ishin po aq të rëndësishme sa edhe sulmet ajrore". Ndërkaq videokonferencat patën një efekt të jashtëzakonshëm sa i përket ritmikës së trajtimit të tematikave dhe proceseve.

Megjithatë, siç ndodh në të gjitha rastet e konflikteve në botë, edhe në rastin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë konflikti çoi në polarizimin e palëve kundërshtare. Kundërshtarët e intervenimit të NATO-s në Kosovë e trajtuan konfliktin si pjesë të interesit dhe strategjisë së Perendimit dhe NATO-s, veçmas SHBA-ve, për zgjerimin e zonave të influencës. Organizatat e Lëvisjes për Paqen demonstruan dhe protestuan fushqishëm kundër luftës dhe ndërhyrjes së Aleancës në Kosovë. Në këto demonstrime kishte ndikim dhe intervenim nga pala kundërshtare Serbia dhe Rusia. Por pati gjithashtu raste kur kjo qasje u dekonspirua. Psh gjatë një proteste anti-NATO në Berlin protestuesit me kombësi serbe kishin hedhur parullat "Vdekje shqiptarëve"! Kjo e kompromentoi qëllimin e protestës, sepse në opinionin publik perendimor u dha mesazhi se "kërkohej ndalimi i përdorimit të forcës, për të legjitimuar dhunën e terrorin serb në Kosovë".

E gjithë dinamika e zhvillimeve të 78 ditëve të intervenimit ushtarak të NATO-s për Kosovën u zhvillua përmes debatit, nëse sulmet ajrore të saj ishin ose jo legjitime. E vërteta është se për këto sulme nuk pati një mandat të Këshillit të Sigurimit, siç edhe parashikohet në nenin 52 të Kartës së OKB-së. Kjo ndodhi për shkak se Rusia paralajmëroi veton e saj sa i përket autorizimit të aksionit ushtarak kundër Serbisë. Mungesa e një mandati të Këshillit të Sigurimit i çoi shumë ekspertë të konkludonin se bombardimet e NATO-s në Kosovë ishin të paligjshme nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare. Formalisht kjo ka një impakt jolegjitimiteti. Por në përmbajtje ekziston një e vërtetë tjetër substanciale. Kjo për disa arësye:

1. Masat e diplomacisë preventive të Bashkësisë Ndërkombëtare për ndërprerjen e dhunës serbe në Kosovë jane unikale, të papërsëritshme, së paku deri në këtë kohë. Për t'i dhënë fund këtij konflikti bashkësia ndërkombëtare, SHBA-të, NATO dhe BE punuan në koordinim me njëri-tjetrin në një periudhë kohore të gjatë. Ata u udhëhoqën nga përvoja e mëparshme e mosveprimit në Bosnjë, ku makineria ushtarake serbe shkaktoi terror masiv e masakroi mbi 150 mijë muslimanë, në emër të idesë së çmendur të "Serbisë së Madhe". Cituar nga historiani me famë europiane, Holm Sundhaussen, Milosheviçi më 1989 kishte deklaruar se "Serbia ose do të bëhet e madhe, ose nuk do të ekzistojë fare". Kjo formulë hitleriane e kishte zgjuar komunitetin ndërkombëtar. Prandaj bota demokratike krijoi instrumentet e parandalimit të dhunës e agresionit serb në Kosovë.

U krijua Grupi i Kontaktit, në të cilin bënin pjesë SHBA-të, Gjermania, Britania e Madhe, Franca, Rusia dhe Italia. Këshilli i Sigurimit e shqyrtoi situatën në Kosovë katër herë dhe në rezolutën 1190 të 30 shtatorit 1998 arriti në përfundimin se "Situata në Kosovë rrezikon një katastrofë humanitare dhe që ta përhapë konfliktin në të gjithë rajonin". Ky konstatim, i votuar edhe nga Rusia, sipas kapitullit VII të OKB-së justifkon ndërhyrjen ushtarake për t'i dhënë fund konfliktit. Nëse Rusia nuk dha Ok e saj për këtë operacion, kjo ka të bëjë kryekëput me interesat e saj gjeopolitike, por jo me qëllimet dhe misionin që përcakton Karta e OKB-së. Kjo do të thotë se legjitimitetin e ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë e ka cënuar qëllimisht e drejta për veto e Rusisë. Ndërkohë përmbajtësisht ajo parashikohet në Kartën e OKB-së, përkatësisht në kapitullin VII të saj.

2. Legjtimitetin e ndërhyrjes ushtarake të NATO-s në Kosovë e përforcon fakti se para kësaj ndërhyrjeje u zhvillua në Ramboullet të Francës Konferenca për Kosovën, marrëveshjen e së cilës e firmosi pala shqiptare dhe e refuzoi pala serbe. Refuzimi i marrëveshjes nga Beogradi ishte fundi i një procesi dialogues dhe preventiv që konflikti të zgjidhej me mirëkuptim dhe në mënyrë paqësore.

3.  Por këtë legjitimitet e përforcon gjithashtu fakti se në përfundim të luftës Këshilli i Sigurimit miratoi një rezolutë të posaçme, atë me nr 1244, e cila e vuri Kosovën nën protektoratin ndërkombëtar dhe sigurinë e saj nën autoritetin e NATO-s. Kjo rezolutë e votuar edhe nga rusët pas kapitullimit të Milosheviçit e shndërroi në null gjithë procesin e mëparshëm, duke legjitimuar jo vetëm bombardimet e NATO-s kundër Serbisë, por edhe duke përcaktuar të ardhmen e Kosovës sa i përket statusit dhe ushtrimit të vullnetit politik të shqiptarëve dhe banorëve të tjerë të saj.

4. Sa i përket legjitimitetit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë ekspertiza mund të operojë edhe me një lloj deduksioni të tillë: Nëse Këshilli i Sigurimit do të autorizonte një ndërhyrje të forcës në Kosovë e ndërkohë NATO nuk do të donte ta ndërmerrte këtë aksion, cili do të ishte rezultatntja e një autorizimi të tillë? Eshtë krejt e natyrshme se Këshilli i Sigurimit nuk mund të impononte një aksion ushtarak të NATO-s. Helmetkaltërit e OKB-së do viheshin në situatën e masakrës së Sebrenicës.

 Prandaj më i rëndësishëm se një autorizim i KS ishte dhe mbetet vullneti i vendeve anëtare të NATO-s për të ndërhyrë dhe për t'i dhënë fund konfliktit në Kosovë. Kompaktësia e vendeve anëtare të NATO-s ishte suksesi më i madh i këtij aksioni. Duhet thënë se në këtë proces pati përpjekje për të ndaluar sulmet me rastin e festave të Pashkëve Ortodokse, por ato përpjekje dështuan. Një inciativë të tillë e ndërmori ministri i Jashtëm i Italisë, Lamberto Dini, i mbështetur nga Greqia dhe Franca, por Madllein Olbright dhe Joschka Fischer paralizuan përpjekjet e tyre për t'i dhënë Milosheviçit një sinjal se ai mund të tolerohej në terrorin që ushtronte kundër shqiptarëve në Kosovë.

Më 9 qershor 1999 u nënshkrua në Kumanovë marrëveshja për paqen midis NATO-s dhe përfaqësuesve të Milosheviçit. Më 10 qershor u miratua në KS të OKB-së rezoluta 1244, e cila e shkëputi Kosovën përfundimisht nga Serbia dhe i dha asaj të drejtën për vetëvendosje. Më 12 qershor 1999 trupat ushtarake të NATO-s nën siglën e KFOR-it hyjnë në Kosovë dhe e vendosin atë përfundimisht në hartën e një vendi të lidhur me Aleancën Atkantike, Bashkimin Europian dhe vlerat amerikane të demokracisë. Pa këtë ndërhyrje Kosova nuk do të mund të shpallej e pavarur më 17 shkurt 2008.

Megjithatë asaj i mbetet ende rrugë derisa të pranohet në OKB dhe në të gjitha institucionet ndërkombëtare. Kosova ka nevojë të integrohet në BE e sidomos në NATO. Institucionet e saj nuk duhet të harrojnë se mund të konsolidohen së pari përmes përkushtimit të politikës, por edhe përmes mbështetjes së vazhdueshme të NATO-s, SHBA-ve dhe Bashkimit Europian.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat