Populli dhe shoqëria

Opinione

Populli dhe shoqëria

Nga: Prof.dr. Eshref Ymeri Më: 6 mars 2017 Në ora: 20:44
Prof.dr. Eshref Ymeri

Para do kohësh, në internet, kam lexuar me mjaft interes tre artikuj emocionues. I pari titullohet “Kush do ta çmontojë “bombën politike” në Shqipëri [VOAL, 28 dhjetor 2016], me autor zotërinw Besim Dervishi. I dyti ka për autor profesorin e historisë, zotërinë Rasim Bebo dhe titullohet “Uniteti e bën forcën” (Bota Sot. 06 janar 2017). Të tretin e ka botuar Prof.as.dr. Enver Bytyçi dhe mban titullin “Aleatët oligarkë rrezikojnë lirinë e Kosovës!”

Para se të shpreh ndonjë mendim modest, dëshiroj të citoj dy personalitete të shquara të kulturës ruse:

Kritiku i shquar Visarion Bjelinski [1811-1848], ka shkruar dikur për Rusinë:

“Ajo përfaqëson në vetvete pamjen e tmerrshme të një vendi.., ku… nuk ka jo vetëm kurrfarë garancish për jetën e njeriut, për nderin dhe për pronën, por madje as rend policor, ama ekzistojnë vetëm korporata gjigante hajdutësh dhe grabitësish të llojllojshëm nëpër zyra” (Citohet sipas faqes së internetit “Adskije novosti”. 09 mars 2014).

Mendoj se fjalët e Bjelinskit, të hedhura në letër mbi një shekull e gjysmë më parë, vazhdojnë të tingëllojnë aktuale edhe sot e gjithë ditën për Rusinë putiniane. Po ama fjalët e tij tingëllojnë mjaft aktuale edhe për Shqipërinë, edhe për Kosovën e ditëve tona. Sepse edhe Shqipëria e qeverisjes së Rilindjes majtiste, edhe Kosova e qeverisjes majtiste, po e vazhdojnë ecjen nëpër shtigjet e Rusisë putiniane. Dhe Brukseli bën sikur nuk e kupton.

Shkrimtari i shquar i ditëve tona Viktor Jerofejev (1947) deklaron:

“Unë jam kategorikisht kundër që popullin rus ta quajmë shoqëri… Shoqëria ekziston pakëz në Moskë… Në vendin tonë shteti është më i rëndësishëm se shoqëria… Kurse shoqërinë që ne e quajmë, gjithsesi, shoqëri evropiane, ajo, përkundrazi, është e mendimit se njeriu është më i rëndësishëm se shteti. Të tillë njerëz ne i kemi të paktë… Mendoj se 1% zënë gjithë-gjithë mbeturinat e shoqërisë ose, së paku, ca individë të shpërndarë sa andej-këndej. Inteligjencia… është e përçarë sipas familjeve, sipas profesioneve, po ashtu. Sepse ato profesione që kanë lidhje me shtetin (regjisorët, aktorët), kanë marrë drejtimin për andej, nga ministria e kulturës, ama direktivat atje janë të prera… Unë jam i arratisur nga ai morg, sepse këtu kemi të bëjmë me “shtëpinë e të vdekurve” (Citohet sipas: “Viktor Jerofejev: Jam kategorikisht kundër që popullin rus ta quajmë shoqëri”. Faqja e internetit “Gordon”. 04 janar 2017).

Ka plotësisht të drejtë shkrimtari i shquar Viktor Jerofejev. Sepse Putini po ndjek gjurmët e carizmit rus dhe të diktaturës sovjetike. Tradicionalisht, Rusia, sidomos që kur erdhi në pushtet dinastia e Romanovëve në vitin 1613 dhe deri sa u përmbys gjatë revolucionit bolshevik të vitit 1917, popullin rus e pati mbajtur vazhdimisht nën psikozën e luftës. Edhe bolshevikët nën të njëjtën psikozë i mbajtën popujt sovjetikë deri në shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik. Le të kujtojmë luftën e përgjakshme civile të viteve 1918-1920, luftën me Finlandën në vitin 1940, ndërhyrjet në Poloni, në Hungari dhe në Çekosllovaki dhe deri te lufta në Afganistan. Pas shpërbërjes së Bashkimit sovjetik, u zhvilluan dy luftëra në Çeçeni, lufta në Pridnjestrovje, lufta në Abhazi, lufta në Osetinë e Jugut, lufta në Gjeorgji, lufta në Ukrainë, aneksimi i Krimesë dhe tani, së fundi, lufta në Siri.

Për të gjitha këto prapësi që ka bërë Kremlini, ku ka qenë populli rus, djemtë e të cilit janë bërë kurban i politikës dhe i diplomacisë ruse? Populli rus ka heshtur, sepse nuk ka shoqëri ruse, siç e vë në dukje me shumë të drejtë shkrimtari Viktor Jerofejev. Sepse po të kishte shoqëri ruse, do të kishte vetorganizim, do të dilnin njerëz të shquar nga radhët e inteligjencies që ta ngrinin popullin peshë më këmbë dhe t’i tregonin vendin klikës së çmendur të Kremlinit, e cila edhe sot e kësaj dite udhëhiqet nga mendësitë kolonialiste të perandorëve rusë për pushtime territoresh të huaja.

Por po të heqim një paralele me popullin rus, ku nuk ekziston shoqëri ruse, mund të thuhet me plot gojën se edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, për analogji, ekziston një popull shqiptar, por nuk ekziston një shoqëri shqiptare. Sepse po të ekzistonte një shoqëri e tillë, me siguri që ajo nuk do të lejonte që populli të shtronte kurrizin para të gjitha prapësive që ka bërë klasa politike gjatë këtij çerek shekulli në Shqipëri dhe gjatë nëntë vjetëve në Kosovë

Këtu mund të radhiten disa ngjarje, për të cilat populli shqiptar ka heshtur në një mënyrë tragjike. Ka heshtur sepse mungon pikërisht ajo shoqëria shqiptare me aftësi vetorganizuese dhe me intelektualë me vetëdije të lartë kombëtare në krye.

Kisha ortodokse ka më shumë se një çerek shekulli që funksionon si filial i kishës shoviniste greke, me në krye një misionar të shovinizmit grekokaragjoz. Por feja ortodokse, siç na mëson Noli i madh, është pasuri shpirtërore e mbarë kombit shqiptar. Populli shqiptar ka heshtur për këtë tradhti të Ramiz Alisë dhe të pasardhësve të tij që lejojnë Janullatosin në krye të kishës ortodokse, të tjetërsuar tashmë.

Populli shqiptar ka heshtur për ngritjen e kishave me simbolikë greke në Shqipërinë e Jugut dhe të katedrales gjigante në qendër të Tiranës, të ndërtuar tërësisht me simbolikë greke. Ka heshtur sepse nuk kemi shoqëri shqiptare. Populli shqiptar ka heshtur për ngritjen e varrezave dhe të memorialeve në nderim të ushtarëve agresorë grekë. Ka heshtur sepse nuk kemi shoqëri shqiptare. Populli shqiptar ka heshtur kur presidentët grekë, si Stefanopulos dhe Papulias kanë deklaruar se Korça dhe Himara janë tokë “greke”. Ka heshur sepse nuk kemi shoqëri shqiptare. Populli shqiptar ka heshtur kur kryepeshkopi shovinist serb Irinej deklaroi në mes të Tiranës se Kosova është Serbi. Ka heshtur sepse nuk kemi shoqëri shqiptare. Populli shqiptar ka heshtur kur eurodeputetja shoviniste qipriote Eleni Theocharous deklaroi në mes të Tiranës se Himara dhe krejt Epiri i Veriut janë territore greke që nga lashtësia. Ka heshtur sepse nuk kemi shoqëri shqiptare. Populli shqiptar ka heshut kur flamuri grek u ngrit në kalanë e Himarës, në përforcim të deklaratës shoviniste të eurodeputetes qipriote. Ka heshtur sepse nuk kemi shoqëri shqiptare. Populli shqipat ka heshur kur filloi dhe mbaroi ndërtimi i murit ndarës të “Berlinit shqiptar” në Mitrovicën e Veriut. Ka heshur sepse nuk kemi shoqëri shqiptare.

Në këto kushte, uniteti që e bën forcën, sipas profesorit të nderuar të historisë Rasim Bebo, në këndvështrimin tim, është i pamundur. Është i pamundur, sepse, siç u përmend më lart, kemi popull shqiptar, të nënshtruar kokë e këmbë para klasës politike për shkak të varfërisë që e ka pllakosur dhe nuk kemi shoqëri shqiptare, nuk kemi intelektualë me personalitet kombëtar që t’i thonë “ndal!” politikës zyrtare që shquhet për mercenarizmin e saj. Varfëria e popullit është pengesa kryesore për krijimin e shoqërisë shqiptare. Ajo është aleati kryesor i klasës politike të Tiranës dhe të Prishtinës. Kjo klasë politike ka bërë të mundur që, nëpërmjet varfërimit shkallë-shkallë të popullit shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë, njerëzit e panënshtrueshëm të braktisin vendin dhe aty të mbeten vetëm “delet e Krishtit”, ca individë këta kukulur, kurrizshtruar, të cilët i rrinë lepe-peqe klasës së oligarkëve politikë që i shtyp pa mëshirë. Ky është një krim i rëndë që krerët e politikës në Tiranë dhe në Prishtinë i kanë bërë mbarë kombit shqiptar. Prandaj zotëria Besim Dervishi, në artikullin e lartpërmendur, shkruan me një maraz të thellë në zemër:

“Vaso Çubrilloviçi, Ivo Andriçi, Jani Koleti, Ilia Garashanini kishin planifikuar dëbimin me dhunë të shqiptarëve… Por ata kurrë nuk e kishin menduar se shqiptarët do t’i përzinin vetë shqiptarët. Nuk e kishin menduar se një grusht të vetquajtur politikanë, të cilët do të rrëmbenin pushtetin politik dhe bashkë me të dhe pushtetin ekonomiko-financiar, do të bënin atë që armiqtë më të egër nuk e kishin bërë dot që prej viti 1844. Shpërnguljen e shqiptarëve refugjatë”.

Dikur, princesha Dashkova [1743-1810] e pati pyetur perandoreshën  Ekaterina II [1729-1796] se pse po lejonte të hapeshin aq shumë pijetore në mbarë Rusinë. Perandoresha iu përgjigj:

“Është më lehtë për ta qeverisur një popull pijanec”.

Prandaj edhe klasa politike shqiptare, në varfërimin e përhershëm të popullit, shikon mënyrën më të leverdishme për ta sunduar më lehtë dhe për të qëndruar sa më gjatë në pushtet, duke mos lejuar krijimin e shoqërisë shqiptare

Në një artikull me titull “Domosdoshmëria historike e ribashkimit kombëtar”, të botuar në internet më 03 dhjetor 2012, kam theksuar se për ta nxjerrë vendin nga kjo gjendje ku na ka katandisur kjo klasë politike dhe me këto troje etnike të copëtuara në disa shtete, duhet të dalë në skenë një klasë e re politike, me vetëdije të lartë kombëtare dhe me një program mbarëkombëtar. Por sot, duke gjykuar me gjakftohtësi për situatën e krijuar dhe të konsoliduar tashmë në mungesë të shoqërisë shqiptare, kur populli shqiptar i rri lepe-peqe klasës politike në pushtet, kurse inteligjencia me formim nacionalist nuk ekziston, e kam të vështirë ta besoj se do të jetë e mundur dalja në skenë e një klase të re politike. Sepse kush na siguron që edhe klasa e re politike nuk do të mercenarizohet, siç ka qenë e mercenarizuar klasa politike e periudhës së sundimit komunist dhe kjo e tanishmja që po e sundon popullin prej më shumë se një çerek shekulli?

Eshe sikur të ishte e mundur dalja në skenë e një klase të re politike me dinjitet kombëtar, ajo duhet të ketë në krye edhe intelektualë të rinj dhe të moshës së mesme, të shkolluar në vendet perëndimore, të brumosur me normat juridike të shtetit të së drejtës dhe me integritet të admirueshëm nacionalist.

Një javë pas zhvillimit në Tiranë të protestës së qytetarëve shqiptarë më 18 shkurt, të organizuar me thirrjen e opozitës, Kryetari i Partisë Demokratike zotëria Lulzim Basha, deklaroi:   

“Kushdo që godet qytetarët dhe protestën, do të vijë ora t’i marrim zvarrë në këtë shesh. Doni luftë, luftë do të ketë. Shpojuani gomat e makinës, thyejuani xhamat atyre që ju ndëshkojnë pa të drejtë. Kush luan me popullin, le t’i bëjë mirë llogaritë, se ndryshe do t’i fshijë nga zyrat. Kjo është një lëvizje popullore pa kthim, nuk është një manifestim partiak. Populli nuk mund të durojë më. Durimit të popullit i ka ardhur fundi, edhe durimit tonë. Boll me akte të paligjshme në kurriz të shqiptarëve, në kurriz të biznesit, por vjen momenti kur nuk do të gjeni vrimë miu për t’u futur, kur zemërata popullore të rritet. Kur ju godasin, mos ktheni faqen tjetër, por goditini me grush. Për çdo padrejtësi, goditini me grusht, koha kur populli trajtohet si dele po merr fund” (Citohet sipas: “Thirrjet për luftë, Prokuroria regjistron procedimin penal për Lulzim Bashën. Sa vite burg meriton”. Faqja e internetit “BalkanWeb”. 27 shkurt 2017).  

Nga fjalët e mësipërme të zotërisë Lulzim Basha, në këndvështrimin tim, rezulton se ai u bën thirrje qytetarëve për mosbindje civile dhe për reagim të menjëhershëm para atyre njerëzve të pushtetshëm, të cilët nëpërkëmbin të drejtat e tyre. Kësisoj ai bën thirrje për zgjimin e vetëdijes qytetare të popullit shqiptar, për kultivimin e aftësive vetorganizuese, me qëllim që ai të mbrojë veten në mënyrë të organizuar nga dhuna e heshtur që ushtron pushteti kundër tij. Pra, ai bën thirrje për krijimin e shoqërisë shqiptare që duhet të jetë mbi shtetin, dhe jo shteti mbi shoqërinë shqiptare, si deri tani.

Në kushtet e diktaturës komuniste kishim të bënim me përballjen me dhunën e hapur të pushtetit, i cili, për një fjalë të shprehur kundër tij, njeriun e thjeshtë e rraste pas hekurave dhe e dënonte me vite burg. Kurse sot, në kushtet e pluralizmit, përkundrazi, kemi përballë dhunën e heshtur të pushtetit, i cili, njeriun e thjesht, në rast mosbindjeje, e lë në mëshirën e varfërisë ekstreme, çka e detyron ose të braktisë vendin, ose të shtrojë kurrizin para tij. Me fjalë tjera, sot kemi të bëjmë me një diktaturë neokomuniste në kushtet e pluralizmit.

Me mënyrën se si Kryeministri Rama dëshironte të ushtronte një dhunë të heshtur kundër qytetarëve që ishin kundër alternativës majtiste, lexuesit e nderuar janë njohur gjatë fushatës së zgjedhjeve vendore të vitit 2015. Në njërin nga takimet me zgjedhësit, ai pati deklaruar:

“Kush voton opozitën, është budalla dhe PD po bën një fushatë për të mbledhur budallenj. Gratë e demokratëve të ndahen nga burrat e tyre budallenj, të bëhen të zgjuara, domethënë socialiste. Opozita është destruktive. Nëse votoni kandidatët e djathtë, qytetet dhe fshatrat tuaja nuk do të marrin asnjë investim nga qeveria” (Citohet sipas: Mark Marku. “Unë jam budalla”. Faqja e internetit e gazetës “Panorama”. 15 qershor 2015).

Kjo ishte një deklaratë paradoksale, sepse Kryeministri Rama, mes masës së votuesve, kërkonte të kultivonte parimin e nënshtrimit kristian, siç predikohet në Bibël:

“Duajini armiqtë tuaj, bekojini ata që ju mallkojnë, bëjuni mirë atyre që ju urrejnë dhe faluni për ata që ju fyejnë dhe ju përndjekin” (Citohet sipas: Bibla sipas Mateut, 5, 43).

Pra, me këtë deklaratë absurde, Kryeministri Rama kërkonte të grumbullonte rreth vetes njerëz kurrizshtruar, të cilët të ndienin kënaqësi në nënshtrimin dhe në poshtërimin e vetvetes para pushtetit. Me fjalë të tjera, ai, tërthorazi, propagandonte mazokizmin* në radhët e popullit shqiptar.

Prandaj deklaratën e sipërcituar të zotërisë Lulzim Basha e konsideroj si thirrje kundër mazokizmit dhe jo si thirrje për luftë. Me këtë deklaratë, Kryetari i opozitës, në njërën ose tjetrën mënyrë, ka marrë përsipër të krijojë shoqërinë shqiptare në mjedisin shqiptar, që kësisoj të realizohet ajo që thotë shkrimtari i madh rus Viktor Jerofejevi: të kemi një të tillë demokraci, ku, si në vendet perëndimore, njeriu të jetë më i rëndësishëm se shteti dhe jo e kundërta, që shteti të jetë mbi njeriun, siç ndodh në Rusinë putiniane dhe në Shqipërinë “rilindiane” që ka shpikur majtizmi shqiptar në të dyja shtetet shqiptare.

Le të shpresojmë që zotëria Lulzim Basha, si një intelektual i formuar në mjediset e kulturës perëndimore, do ta çojë deri në fund misionin e vet për krijimin e shoqërisë shqiptare, për emancipimin dhe ndërgjegjësimin e saj se pushteti duhet të jetë në shërbim të saj, në mënyrë që qytetarët shqiptarë të çlirohen një herë e përgjithmonë nga kompleksi i inferioritetit që kanë manifestuar deri tani para dhunës së heshtur të pushtetit.

Në këto kushte, nxitimin e prokurorisë për procedimin e zotërisë Lulzim Basha për shkak të deklaratës së tij, e konsideroj të nxituar dhe naive, ashtu siç edhe rezultoi në të vërtetë.

*Në respekt të lexuesve të thjeshtë që nuk e kanë informacionin e duhur, dëshiroj të theksoj se termi mazokizëm (masochism) përdoret në kuptimin: prirje për të gjetur kënaqësi, duke përjetuar poshtërime, dhunë ose tortura. Këtë term e pati përdorur për herë të parë psikiatri dhe nevrologu austriak dhe gjerman Riçard fon Kraft-Ebing (Richard von Krafft-Ebing - 1840-1902) në një monografi me titull “Psikopatia seksuale” (Psychopathia sexualis), të botuar në vitin 1886. Një prirje të tillë ai e pati emërtuar mazokizëm, sipas emrit të shkrimtarit Leopold Zaher-Mazoh (Leopold Ritter von Sacher-Masoch - 1856-1895), në romanet e të cilit janë përshkruar prirje të tilla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat