Sfidat e përditshme të Kosovës

Opinione

Sfidat e përditshme të Kosovës

Nga: Valmir Gashi Më: 10 shkurt 2017 Në ora: 15:30
Valmir Gashi

Kosova la pas një vit të vështirë, shumë të vështirë, ku kriza politike vijoi pa rreshtur, marrëdhëniet ndëretnike u përkeqësuan, marrëveshjet ndërkombëtare, ajo për Asociacionin dhe marrëveshja për Demarkacionin u bllokuan, ekonomia njohu rënie, ndërsa papunësia vetëm rritje.

Por, këto nuk mjaftuan, në katrahurën e vitit që iku, nuk mund të mos e përmendim edhe sundimin e ligjit, që u sfidua nga korrupsioni dhe krimi i organizuar. Arsimi njohu përkeqësim, madje të konfirmuar nga PISA, e shëndetësia përjetoi gjendje të dobët, të njejtë që nga paslufta.

Nga kjo tërësi problemesh serioze viti 2017 duhet të prioritizojë ato më emergjentet që kërkojnë zgjidhje tërësore ose të pjesëshme. Për këtë, Kuvendi dhe Qeveria duhet të punojnë së bashku me qëllim që prioritetet e vitit 2017 të gëzojnë gjithëpërfshirje si dhe mbështetje sa më të gjërë politike. Cilat do të ishin prioritetet themelore?

Ruajtja e stabilitetit politik

Ruajtja e stabilitetit politik është prioritet themelor për Kosovën. Ky prioritet ka dimensionin e brëndshëm dhe atë të jashtëm. Së brëndshmi nevojitet ndërtimi i dialogut politik pozitë-opozitë për gjitha sfidat kombëtare, nevojiten zgjidhje konsensuale, si dhe kërkohet gjithëpërfshirje e tërë aktorëve politik për zgjidhjet politike. Gjithashtu, kërkohet kujdes i vëçant për marrëdhëniet ndëretnike, e përmirësimi i tyre nuk bëhet me iniciativa individuale të zyrtareëve të lartë të Kosovës, por nëpërmjet një strategjie afatgjate institucionale, politike dhe njerëzore.

Në dimensionin e jashtëm, stabiliteti politik lidhet me ndërtimin e një politike të fqinjësisë së mirë, të bashkëpunimit rajonal dhe sidomos vijimi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Në politikën e jashtme më shumë se kudo tjetër nevojitet një bazë sa më e gjerë vendimmarrëse.

Kujdesi për ekonominë

Kosova ka nevojë për më shumë politikë ekonomike dhe për më pak debate bllofe politike rreth saj. Viti 2017 kërkon kujdes shumë më të madh për ekonominë. Qeveria duhet të ndërmarrë politika konkrete për rritjen ekonomike të vendit, për rritjen e investimeve të brendshme dhe investimeve të huaja direkte, për hapjen e vendeve të reja të punës si dhe për shërimin e plagëve sociale siç janë varfëria, pensionet, invalidët dhe veteranët.

Sundimi i ligjit dhe mirëqeverisja

Kosova vijon të ketë probleme serioze me shtetin ligjor. Sistemi i drejtësisë në Kosovë vuan shumë nga ndërvarësia politike, mungon profesionalizmi  dhe integriteti. Shumë dosje presin të gjykohen, dhe qytetarët e kanë humbur krejtësisht besimin tek drejtësia aktuale në Kosovë. Ky degradim i drejtësisë i ka hapur rrugë keq-qeverisjes dhe korrupsionit në të gjitha nivelet , po ashtu dhe krimit, madje edhe krimit të organizuar.

Shteti ligjor dhe mirëqeverisja duhet të jenë në krye të reformave për vitin 2017. Mund të merret shembull Shqipëria, në këtë rast me dy reformat e mëdha të vitit 2016; Ligji për dekriminalizimin në sektorët politik dhe publik si dhe Reforma Kushtetuese në sistemin e drejtësisë.

Përballja me problemet sociale

Kosova është vend e shoqëri post-traumatike, ku e kaluara  dhe tranzicioni i zgjatur kanë lënë plagë sociale të mëdha. Varfëria, pagat e ulëta, pensionet, invalidët, veteranët, pleqtë e fëmijët dhe grupet tjera të shoqërisë janë në gjendje emergjente.

Politikat e Qeverisë duhet të adresojnë seriozisht këto probleme sociale, shumë të rënda, ndryshe vendi do vazhdojë të prodhojë emigracion të dhimbshëm drejt vendeve më me shpresë të Europës. Janë pikërisht këtu; gjendja ekonomike, papunësia, varfëria dhe plagët sociale që pengojnë edhe liberalizimin e vizave për qytetarët e izoluar, e të fyer, të Kosovës.

Njohjet dhe integrimi i vendit

Në plan më të gjërë dy janë sfidat për Kosovën; zgjerimi i njohjeve ndërkombëtare si dhe përshpejtimi i procesit të integrimit euro-atlantik të vendit. Në aspektin e njohjeve duhet strategji më e qartë, ku kërkohet të menjanohet spontaniteti dhe avashllëku, por duhet më shumë bashkëpunim dhe koordinim me Shqipërinë. Dështimi në UNESCO në vitin e kaluar është mësim për vitin që sapo ka filluar.

Integrimi euro-atlantik duhet të vijojë të mbetet prioritet për Kosovën edhe për vitin 2017. Së pari, vendi duhet të plotësojë kriteret e fundit të udhërrefyesit të BE’së për liberalizimin e vizave, dhe më tutje të vijojë të implimentohet plotësisht MSA’ja  me BE’në, në mënyrë që të hidhen hapat e mëtejshëm për integrimin e Kosovës në Bashkimin Europian.

Këtë vit Kosova duhet të zyrtarizojë krijimin e Forcave të Armatosura, për faktin se ky hap diktohet nga nevojat e sigurisë së brendshme, nga kriza e sigurisë në rajon, europë dhe më gjerë. Krijimi i Forcave të Armatosura të Kosovës do nxiste edhe përshpejtimin e integrimit të Kosovës në NATO.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat