Vdekja si braktisje

Opinione

Vdekja si braktisje

Nga: Rexhep Shahu Më: 29 dhjetor 2016 Në ora: 16:50
Rexhep Shahu

Bujar Lakon e kam dashtë por u bë modë me thanë e kam dashtë tash pas vdekjes sepse u turren ta duan të gjithë, të shpallin dashuri të madhe për të pasi ai ka vdekë. Ku ishit ju që e paski dashtë kaq shumë, ku ishit ju kur ai ishte gjallë. Apo po vertetohet edhe kësaj here thënia e vjetër, vdis të të dua… Po mirë, ani që po e doni tash me shpëtu shpirtrat tuaj pasi ju trembi vdekja e atij dhe menduat, kur vdekja mori atë, ne nuk na përfill fare fare. Kështu?!

Tani që po flitet e po bëhet garë kush me e dashtë apo kush me shkrue më bukur për të, edhe unë po them dy fjalë deshpërimi.
Këto ditë kam pa me sy e me sytë e mendjes plot artistë e shkrimtarë nëpër Tiranë, pasi rri përditë në mjediset e tyre. 

Vdiq Bujari e unë shoh vdekjen time të përditshme e të gjithkujt se si vjen, shoh vdekjen e artistëve, poeteve e prozatorëve të njohur të vendit. 
Shumica enden rreth e rrotull Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. I shoh përditë. Enden të papërfillur. Sikur kanë vdekë me kohë e dalin herë pas here nga varri për ndonjë kafe ketëj nga anët tona. 

Kalimtarët që i shohin nuk arrijnë të binden se këta janë ato njerëz që bëjnë libra, që shkruajnë historinë, letërsinë, që bëjnë artin, që kanë bërë dramat, filmat, falë ketyre njerzve mbërthehen të tjerët mbi libra apo para ekranit.

Kalojnë të papërfillur. Njerzve ju duken të zakonshëm, shpesh edhe leshko, humbamenë, mendjemëdhej, vetmitarë, të mjerë.
Unë e di se shumë prej artistëve, shkrimtarëve nuk ua mban me hy në çdo kafe të Tiranës se nuk kanë lekë. Mos u vijë turp, nuk kini lekë, e çoni mendjen tek 100 lekëshi i vjetër i kafes, jo 700 lekëshe jo 800 lekëshe.

Sot sa janë gjallë nuk ua fërshëllejmë, si të vdesin bëjmë sikur qajmë për to, u shkon në varrim edhe kryeministri. Piiiffff. Punë muti.
A u kujtua ndonjëherë kryeministri i vendit për shkrimtarët e artistët. Sa i konsideronin ndihmës besnikë të partisë për edukimin e brezit të ri, ok, ishte ndryshe, u jepnin edhe leje krijuese 3 - 6 apo 12 mujore, me dietë. 

Po këtë çerek shekulli? Këtë çerek shekulli vetem është pritë vdekja e tyre, vdekja me radhë, graduale, si normalitet. Por ndonjë begenisje nuk është bërë për shkrimtarët e artistët, ndonjë shtëpi, jo nuk u është dhenë, ndonjë shtesë banimi, studio, ndonjë lek, çmim merite me lekë, veç atyre që don ministria e radhës, ojq-të e preferuara të qeverisë së radhës, ndonjë bonus jo e jo, ndonjë rrogë e sigurtë jo e jo. 

Janë përbuzë në mënyrë të shkëlqyer shkrimtarët e artistët. Nuk e kam ditë por po e provoj. Si për inat të partisë jam një farë shkrimtari edhe vetë. Provova përbuzje, dënim me uri, me lënie pa punë, pa rrogë shteti se punë kam plot, siç kanë provuar të tjerë para meje. 

Kur unë nuk kam reaguar për të tjerët, as të tjerët nuk reaguan për mua. Punë shqiptarësh e njerzish të vegjël.
Por jo vetëm qeveria a qeveritë janë arrogante, fyese, tallëse, shpërfillëse. Eshte shoqëria në tërësi që shpërfill, që nuk kujtohet për njerzit e paktë të vlerave. Kush u ndal dhe pyeti, ej shkrimtar, si je, a ke ndonjë hall, a mund të të ndihmoj. 

Edhe një të drejtë njerzit e kanë se po shpallen shkrimtarë e poetë sapo po lindin bebet, po shpallen e vetshpallen të famshëm, po ndan çmime për shkrimtarë çdo katund e mahallë, po boton duke pague lekë çdo njeri që di shkrim e këndim, libra koti sa më luksozë. Përkthen me pagesë dikush një libër në gjuhën sanskritisht, po deshe ti, boton 5 kopje dhe shpall në gjithë mediat e dovletit se filan shkrimtar u përkthye psh në Kinë a Indi a Brazil a në Hënë... 

Fama është bërë grishëse e papërballueshme, janë gati me shitë loptë e shpisë me botue libër, me shitë tjegullat e shtëpisë se trupi nuk ka galje, shitet kollaj.
Janë shpikë shkrimtarët e televizioneve e të gazetave. Më anonimët janë më agresivët nëpër televizione, janë frekuentues ekranesh e faqe gazetash. Fitojnë gjithë çmimet e botës shkrimtarët e televizioneve që kanë hapsirat televizive në dispozicion, shesin librat e tyre si sapuna, që të ngjisin zgjeben, nëpër panaire me urdhër partie, me dhunë televizive ndërkohë që letërsia e mirfilltë struket e struket e struket prej dhunës së parfumeve fallco. 

Tani që flasim për Bujar Lakon, hë, më thoni, kush e thirri në ndonjë studio, kush e intervistoi, kush guxoi të lartësonte veten duke ftuar Bujarin. Ishte privilegj dhe është arritje kariere me realizu intervista e biseda me njerëz si Bujar Lako. Se ata janë madhështorë në madhështi, në elegancë, ata nuk flasin pa menduar, nuk marrin zjarr si pushkë jevgu, nuk bëjnë gjithologun a të gjithditurin. Ata do ta ndihmonin shumë shoqërinë por ata nuk flasin nëse nuk ndalohet lehja. 

Pasi vdesin, si Bujari, ne turremi t'i duam, të flasim për to, të përgjerohemi sikur i kemi dashte shumë. Ne në fakt flasim për veten në këto raste, për padinjitetin tonë, për pandershmërinë tonë, për skuthllëkun tonë. Sa janë gjallë nuk i duam, nuk i ftojmë, nuk u flasim, nuk i begenisim, nuk i salutojme në udhë e jo më t'u japim pak me tepër vemendje, nderim, dashuri.

Të gjithë qeveritë janë treguar jo miqësore me shkrimtarë e artistë, por kjo aktualja është treguar më kriminale, më profesionale në përbuzje krim e urrejtje ndaj shkrimtarëve e artsitëve dhe më e sofistikuar se diktatura në dënim, kjo dënoi me uri, me bërje të padobishëm për familjen, për shoqërinë. Kryeministri vetë jo, është si shpirt, s'është dënues ndaj shkrimtarëve sepse ka marrë pjesë në vdekjen e dy prej tyre, të Ardian Klosit e të Bujar Lakos. Pasi të vdesin ai i do njerzit. 

Po 5-6 shkrimtarë kryesorë të vendit sot janë pa punë dhe nuk kanë rrogë. Më saktë janë pa rrogë se punë kanë mjaft. Rrogë nuk u jep qeveria. Punë kanë se ata shkruajnë historinë. Historia e një vendi shkruhet nga shkimtarët.

Shkrimtarët jetojnë ne kujtesën e brezave, jetojnë në popull edhe pse janë të paemëruar nga partia e partitë. Janë pavdeksi.
Ndërsa kryeministrin do ta mbaje mend një dekadë, ja dy dekada e pastaj vetëm nëse e fut ndokush në listë në ndonjë libër për kryeministrat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat